Fundi i epokës Messi – Ronaldo, këta janë favoritët e Topit të Artë 2024
Topi i Artë është trofeu më prestigjioz individual në futboll dhe çdo lojtar synon dhe ëndërron ta fitojë atë një ditë.
Lionel Messi është mbret i Topave të Artë me 8 të tillë të fituar gjatë karrierës, i ndjekur nga Cristiano Ronaldo, i cili i ka 5.
Por, derisa dy legjendat e futbollit po shkojnë drejt fundit të karrierës, tash po nis një epokë e re, shkruan “Gazeta Express”.
Yje të rinj kanë dalë në skenë dhe ata po mundohen ta mbulojnë zbrazësinë që do ta lënë argjentinasi dhe portugezi.
Edhe këtë vit, ceremonia e ndarjes së Topit të Artë do të mbahet në fund të tetorit, njëjtë si vitin e kaluar, në Paris të Francës.
Edhe pse nuk është zbuluar ende lista e kandidatëve për ta fituar Topin e Artë, pasi sezoni 2023/24 po shkon drejt fundit, është koha ideale për t’i zbuluar Top-5 favoritët e Topit të Artë 2024.
Erling Haaland në sezonin e kaluar ishte kandidati kryesor për ta fituar Topin e Artë, bashkë me Messin.
Por, në këtë edicion lëndimet nuk e lanë rehat sulmuesin norvegjez.
Ai tash e gjen veten në vendin e pestë pasi i realizoi 39 gola dhe i bëri 6 asistime, duke e fituar Botërorin e Klubeve dhe Superkupën e Evropës me Manchester Cityn.
Këtë fundjavë mund ta fitojë edhe titullin në Premierligë pasi në mesjavë i shënoi dy gola ndaj Tottenhamit.
Harry Kane është njeriu më i pafat në botë. Edhe në këtë edicion, sulmuesi anglez mbeti pa trofe, njëjtë si në krejt karrierën e tij.
Sidoqoftë, ish-futbollisti i Tottenhamit e pati një sezon mbresëlënës në nivelin personal, shkruan “Gazeta Express”.
Sulmuesi i Bayern Munichut i realizoi 48 gola dhe i bëri 14 asistime, ndërsa është i katërti në listën tonë.
Kylian Mbappe do të largohet nga Paris Saint-Germaini si kampion i Francës dhe si lojtari më i mirë i vitit në Ligue 1.
Sulmuesi francez e pati një tjetër sezon të jashtëzakonshëm individualisht duke i shënuar 50 gola dhe duke i bërë 17 asistime.
Përforcimi i ardhshëm i Real Madridit momentalisht e sheh veten në vendin e tretë tek favoritët e Topit të Artë.
Sezoni debutues i Jude Bellingham me Real Madridin është si në përralla.
Ylli anglez e fitoi La Ligën dhe Superkupën e Spanjës, ndërsa ka mundësi ta fitojë edhe Ligën e Kampionëve pas pak javësh.
Ish-futbollisti i Borussia Dortmundit e pati një pjesë të parë të sezonit mbresëlënëse, ndërsa në muajt e fundit ka paksa rënie.
Përfaqësuesi anglez i ka realizuar 24 gola dhe i ka bërë 13 asistime me “Los Blancos”.
Vinicius Junior ka bërë përparim të hatashëm nga viti në vit tek Real Madridi.
Ylli brazilian e ka marrë në dorë ekipin spanjoll, me të cilin e fitoi La Ligën dhe Superkupën e Spanjës, ndërsa synon ta mbyllë sezonin edhe me trofeun e Championsit.
Vini ka kontribuar me 21 gola dhe me 11 asistime tek “Mbretërit”, ndërsa shënoi “hat-trick” ndaj Barçës në finale të Superkupës spanjolle.
Ishte protagonist edhe ndaj Manchester Cityt dhe Bayern Munichut në Champions.
Për këtë, sulmuesi i krahut aktualisht është favorit për ta fituar Topin e Artë sivjet.
Në mesin e lojtarëve që shkëlqyen në këtë sezon janë edhe Foden, Rodri, Kroos, Lautaro, Wirtz, Rodrygo, Saka e të tjerë.
Revista “France Football”, e cila e ndan këtë çmim, i ka zbuluar edhe kriteret për ta fituar këtë trofe.
I pari ka të bëjë me paraqitjet individuale dhe me karakterin e konkurrentit, shkruan “Gazeta Express”.
Kriteri i dytë do të fokusohet në performancën kolektive, pra kontributin tek ekipi dhe te Kombëtarja.
Dhe, kriteri i tretë dhe i fundit ka të bëjë me klasin e lojtarit dhe me “fair-playn” që e tregon ai gjatë vitit.
Lista fillestare do të jetë me 30 kandidatë, të cilët do të zgjidhen nga redaktorët e “France Football”, organizatorët e garës, gazetarët e zgjedhur nga top 100 vendet në renditje të FIFA-s dhe nga selektorët dhe nga kapitenët.
Për Topin e Artë 2024 do të llogaritet periudha prej gusht 2023 deri në korrik 2024.