Koalicioni “VLEN” ka paraqitur padi në Gjykatën Administrative kundër vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare. Padia ka të bëjë me vendimin e KSHZ-së për votimin në Banjicë të Poshtme në Gostivar. Gjykata Administrative në faqen e tyre përmes një komunikate për media bën të ditur se padia tashmë është pranuar dhe se është ngritur lëndë.
“Gjykata Administrative ndërmerr të gjitha veprimet procedurale në përputhje me afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Shtojnë se Afati për këtë lëndë skadon në mesnatë. Nga ana tjetër, edhe koalicioni “Fronti Evropian”, i udhëhequr nga BDI, ka paralajmëruar paraqitjen e padive në Gjykatën Administrative pas vendimeve të Komisionit Zgjedhor.
Bujar Osmani, dje në një deklaratë për media tha se kanë marrë vendim për ankesë në Gjykatën Administrative ndaj vendimeve të KSHZ-së për njësinë zgjedhore të pestë dhe të gjashtë. Osmani po ashtu ka paralajmëruar se do të ngrenë padi kundër anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për, siç tha ai, shkelje të së drejtës së votuesve për të shprehur vullnetin e tyre.