Të departizohet dhe depolitizohet BFI-ja

Pushteti aktual tashmë është i detyrueshëm që të reagojë dhe ta çlirojë sa më parë Bashkësinë Fetare Islame nga procesi i bdizimit të saj. Pushteti aktual i detyrohet myslimanëve të vendit që t’ua rikthejë dhe t’ua sigurojë një Institucion të blinduar nga çfarëdo neo-tentative të partive për t’i ngulur thonjtë e interesit në këtë Institucion; t’ua rikthejë dhe t’ua lëshojë në dorë subjekteve reformuese dhe progresiste tërë atë shkëlqim të pastër fetar islam që e ka pasur dhe që i takon ta ketë BFI-ja

 

 

 

Nga Mr. Eset Shaqiri

 

 

 

Ndërrimi i pushtetit nuk nënkupton vetëm ndryshim qeveritar por, ky ndërrim prek “pushtetet” e ngritur në çdo digaster, në çdo eshalon, madje edhe në çdo organ e institucion të themeluar përgjatë qeverisjes. Mund edhe të mbyllen, varësisht nga konceptimi politik i pushtetit të cilin e ka ideuar partia që fiton të drejtën e drejtimit të qeverisë.

Me rastin e ndërrimit të pushtetit preken edhe ato institucione e organizata që nuk kanë të bëjnë asgjë me politikën dhe me organet politike të shtetit por që në krye të tyre janë instaluar drejtues të instrumentalizuar nga pushteti paraprak. Më së rëndi ky proces i spastrimit politiko-partiak zhvillohet nëpër institucionet fetare ku politika ditore, për interesa partiake, ka ngritur një konstrukt, një instalacion hibrid, i cili, me patjetër duhet që të dekonstuohet deri në gjendjen si ka qenë pa i futur duart politika.

Dua të shtroj pyetjen dhe të ngris çështjen e Bashkësisë Fetare Islame në RMV, të këtij Institucioni fetar mbi të cilën, politikat partiake të pushtetit që po ikë, ia dolën ta shndërrojnë në filiale e në shtabe të papërfillshme të nëndegëve partiake! Askush nuk guxon të shpresojë në amnesti, e aq më pak të amnistohet! Forcat e reja të pushtetit të ardhshëm duhet të dëshmojnë se janë për reforma të thella shoqërore, se janë të gatshme ta luftojnë korrupsionin, padrejtësinë dhe instalimet e mekanizmave degjeneruese pikërisht duke filluar nga shpëlarja e institucioneve fetare prej llumit partiak që, nëse vazhdon si i pa prekur, atëherë, do ta kemi skajshmërisht të radikalizuar sektarizimin e institucionit fetar.

LSDM tashmë kaloi në opozitë! BDI-ja, e cila, për 23 vjet rresht drejtoi me fatet e shqiptarëve në RMV, tashmë sikur po pajtohet me faktin që është e drejtë absolute e VMRO-së të bëjë koalicion qeveritar me ato parti me të cilat mendon se mund ta qeverisë vendin pa problem! Pra, edhe BDI-ja, si prijatare e Frontit Evropian, po bëhet gati të kalojë në opozitë! Kalimi në opozitë e një partie përcillet me porosinë e nënkuptueshme që thotë se, të gjithë drejtuesit e instaluar nga kjo parti, do ta kenë fatin e të kaluarit në opozitë, si matrica e tyre! Dhe, pjesa dërmuese e drejtuesve të institucuioneve, organiztave, organeve e enteve të ndryshme, ose japin dorëheqje, ose e presin “aferën e kurdisur” e cila ua përshpejton shkarkimin nga posti drejtues! BDI nuk do të guxojë t’i drejtohet që të tërhiqet, por as që do të mundohet ta mbajë edhe më tej si instalacion të pështirë Shaqir Fetain në krye të BFI-së, sepse, me autmatizëm dhe publikisht do të pranonte fajësinë fatale të saj mbi degradimin deri në këtë derexhe të papërballueshme të BFI-së.

Shaqir Fetai, si marionetë e BDI-së, duhet ta ketë kuptuar deri më tani se, momentet e tij në krye të BFI-së po përfundojnë, se sa më parë që do të vetëlargohet aq më mirë do të jetë për të dhe për Institucionin.

Sepse, pushteti aktual tashmë është i detyruar që të reagojë dhe ta çlirojë Bashkësinë Fetare Islame nga procesi i bdizimit të saj. Pushteti aktual i detyrohet qytetarëve të vendit me përkatësi fetare islame, që t’ua rikthejë dhe t’ua sigurojë një Institucion të blinduar nga çfarëdo neo-tentative të partive për t’i ngulur thonjtë e interesit në këtë Institucion. Pushteti aktual duhet t’ua rikthejë dhe t’ua lëshojë në dorë subjekteve reformuese dhe progresiste tërë atë shkëlqim të pastër fetar islam që i takon ta ketë BFI-ja. Pushteti aktual duhet që urgjentisht, madje, që nga ky Institucion, të dalë me konstatime mbi ndikimet dhe tendencat e ish-pushtetit për të degraduar, degjeneruar dhe shkatërruar çdo aset të shenjtë të shoqërisë së këtij vendi. Pushteti i ri, nëse nuk ka informacione të mjaftueeshme, duhet të ulet me drejtues të Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI dhe të jetë sa më e qartë mbi tendencat sektariane dhe mbi radikalizimin e strukturave të caktuara që pushteti i cili sapo iku kishte planifikuar t’i ndërmerrte dhe t’i zhvillonte në dëm të fesë islame dhe të myslimanëve të vendit. Pushteti aktual duhet të interesohet dhe të hedhë dritë mbi shumë raste që flasin për korrupsion, për vjedhje dhe për veprimtari subversive që do ta dëmtonin shtetin, shoqërinë por që do ta “lartësonin” strukturën politike që sakaq do të na dilte si “shpëtimtare e vendit”! Për të manipuluar situata duhet njerëz të manipulueshëm!

Mbi të gjitha, janë të mjaftueshëm faktet e pamohueshëm që gjatë fushatës zgjedhore u diskutuan në opinion për “rijasetin” e Shaqir Feait, për BFI-në, si për shtabe zgjedhore të BDI-së! U zunë hoxhallarë me paratë e fitrit në xhep duke blerë vota, u fotografuan e u inçizuan makinat zyrtare të BFI-së, të Myftinisë së Shkupit, të Tetovës, të Gostivarit etj. të parkuara natë e ditë para shtabeve partiake të BDI-së. U përcollën e u identifikuan qindra bashkëpunëtorë të Shaqir Fetait duke u angazhuar në animimin e xhemateve për të votuar sa më masovikisht për BDI-në, ndërkohë që në vetë Çegranin e tij nuk ia doli të ndikojë për ta votuar BDI-në.

Askush asgjë nuk ka kundër BDI-së! BDI-ja e ka të drejtën absolute për të zgjeruar shtabe e veprimtarë nga profile të ndryshëm, pra, edhe hoxhallarë. Por, ja që hoxhallarët, institucionet fetare, nuk e kanë të drejtën, madje kategorikisht duhet të qëndrojnë sa më larg institucioneve fetare dhe sa më larg të ushtruarit të profesionit hoxhë nëse pranojnë që të instrumentalizohen nga cilado parti! Së këndejmi, Shaqir Fetai i instrumentalizuar partiakisht, sa më parë duhet të ecë që të deinstrumentalizohen edhe nëpunësit e tjerë si dhe të marrin fund pratikat e përzierjeve politike-partiake në Bashkësinë Fetare Islame, sepse, në të kundërtën, ky institucion do të shndërrohet në bastion të përhershëm të bastardëve partiakë. Këta “bastardë” duhet të deklarohen qartë nëse janë për profesionin e shenjtë të hoxhës apo parapëlqejnë të vazhdojnë si marionetë partiakë. Pushteti i fuqishëm dhe i sinqertë nuk ka nevojë për marioneta, porse, ka nevojë për institucione stabile, për shoqëri të qetë dhe për strategji afatgjate që do ta ngrisin cilësisht standardin e jetës. Vetëm kësisoj, si dhe duke e çrrënjosur korrupsionin, padrejtësinë, depolitizimin dhe departizimin e institucioneve, pushteti do të shtojë forcën e vet dhe, me këtë, edhe mirëqenien në vend.