Biserko për Qeverinë e re në Serbi: Dy emra që janë nën sanksione amerikane, po vazhdon trendi autoritativ
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një intervistë ekskluzive për Radio Dukagjinin ka komentuar përbërjen e re qeverisëse në Serbi.
Emërimin në kabinet të personave që janë në listë të zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo e ka quajtur si befasi.
“Kjo është qeveri e vazhdimësisë nuk ka emra të rinj dhe befasuese është se kanë hyrë dy emra që janë nën sanksione amerikane, Aleksandar Vullin dhe Nenad Popoviq”, thotë Biserko.
Ajo tha gjithashtu se nuk ka asgjë të re në drejtimin që pritet të marr Serbia, në raport me integrimin evropian.
“Nuk ka risi as se në ç’drejtim do të shkoj Serbia, a është integrimi evropian rruga që do të ndjek Serbia, e që gjykuar në çdo gjë, nuk është, bazuar në aktivitetet e fundit diplomatike. Në Këshillin e Sigurimit dhe Këshillin e Evropës, Serbia vazhdon të eksponohet jashtëzakonisht anti-evropiane, para se gjithash sepse mbështetet tek Rusia dhe përkrahjen e saj në OKB, për të penguar miratimin e Rezolutës për Srebrenicën. Po ashtu e shfrytëzoi Rusinë lidhur me raportin për Kosovën”, thotë Biserko.
Sipas saj, trendi autoritativ në Serbi po vazhdon edhe duke forcuat lidhjet me Hungarinë, Kinën dhe Rusinë.
Kështu Biserko thotë se sfidë e vetme për Qeverinë mund të jetë ndihma e paralajmëruar e BE-së në vlerë prej 6 miliardë eurosh, si mbështetje për reformat në Ballkanin Perëndimor.
“Pyetja është se si do të sillet tash perëndimi. Ata kanë ashpërsuar qëndrimin ndaj Serbisë, veçmas pas Banjskës dhe po përpiqen të pengojnë çfarëdo eskalimi, duke pasur parasysh potencialin e dëshmuar në rastin Banjskë”, ka thënë Sonja Biserko.