Shkruan: Florim Zeqa 27.04.2024
Në partitë tona nuk i duan idealistët, por servilët dhe puthadorët, i duan përversat dhe ata që punojnë parreshtur për interesin e liderit dhe të partisë e jo për interesin e shtetit dhe qytetarëve. Shumica e liderëve partiakë (jo të gjithë) jo vetëm që nuk janë idealista, janë njerëz pa ndjenja dhe të pashpirtë të cilët janë të gatshëm që të shkelin edhe mbi kufoma nëse është nevoja, vetëm e vetëm për mbajtjen apo marrjen e pushtetit.
Partitë politike dhe “ushtarët” e Facebook-ut
Nga ri-shpallja e pavarësisë e këndej, Në Kosovë është vështirësuar tejë mase jeta për njerëzit e ndershëm dhe atdhetarë. Edhe po deshe nuk të lejojnë të punosh për të mirën e popullit, pasi, para çdo investimi që e bëjnë njerëzit e pushtetit e llogarisin interesin (pëfitimin) personal të tyre.
Nuk mundesh me qenë as afarist i suksesshëm pa ua ndarë hisen pushtetarëve, në të kundërtën ta bllokojnë aktivitetin afarist, qoftë me bllokimin e eksportit të lëndës së parë apo të importit të produkteve tua jashtë vendit.
Pra, nëse nuk je në shërbim të një lideri të një partie politike, as që mund të fillosh veprimtari afariste në Kosovën e kapur dhe ngulfatur nga grupet e interesit, të cilët menjëherë të kushtëzojnë dhe izolojnë në ecjen përpara me biznesin tuaj.
Pa u bërë pjesë integrale e grupeve të interesit, njëjtë e ke në cilën do parti që shkon!
Ose duhet me iu nënshtru urdhërave të tyre ose të largojnë menjëherë nga rrethi i ngushtë klanor!
Nëpër partitë tona politike nuk i duan njerëzit e ndershëm dhe atdhetarë që ofrojnë ide dhe iniciativa për zhvillimin e vendit, por duan “ushtarë” të Facebook-ut që tërë ditën e lëvdojnë liderin dhe partinë, porqë njëkohësisht ofendojnë dhe kërcënojnë njerëzit e ndershëm dhe atdhetarë.
Edhe populli është bërë sikur politikanët
Nuk është thënë kot ajo thënja: “Shqiptarit pa ja k…nanën nuk të thotë babë”! Vetë populli po i do dhe po i voton në zgjedhje njerëzit e kësaj kategorie, të kategorisë më të ulët të shoqërisë sonë.
Me këtë trend të ecjes sonë si shoqëri njerëzore, së paku edhe për një çerekshekulli nuk do të kemi ndryshime përmbajtësore dhe substanciale në skenën tonë politike. Nëse vazhdohet ecja jonë me hapat e Breshkës, atëherë do të mbesim shumë prapa vendeve të zhvilluara të rajonit, e të mos flasim për vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian, prej të cilave jemi me qindra vite pas.
Nuk jam pesimist, por si të pritet ndryshim substancial, kur çdo ditë Kosovën po e braktisin të rinjët dhe shtresat intelektuale, po largohen mjekët dhe infermirët, studentët dhe profesorët, policët dhe ushtarët! Me një fjali, çdo ditë e më shumë Kosova po varfërohet në vlerat e saj intelektuale, kulturore dhe tradicionale.
Pas kalimit të suksesshëm të testit demokratik, fillon epoka e ndryshimit politik
E vetmja shpresë mbetet tek ngjizja e alternativës së re, që unë e kam projektuar si Alternativa Demokratike për Ndryshim (ADN). Vetëm përmes kësaj force të re politike, të pastër dhe të shëndoshë kombëtare mund të arrihet kthesa e madhe pozitive në Kosovë. Në të kundërtën, jo vetëm që do të vendnumrojmë, rrezikojmë të rrëshqasim në greminën e pafund.