Edhe vetë Albin Kurti përmendet në raportin e DASH-it – pushteti i tij po vlerësohet me “korrupsion serioz”
Shqetësimet kryesore për Kosovën mbesin pavarësia e gjyqësorit, kufizimet në liri të mediave, dhe më sfiduesja korrupsioni serioz në Qeverinë e Kosovës.
Kështu të paktën thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023, sa u përket të drejtave të njeriut në botë.
Këto gjetje për Lidhjen Demokratike të Kosovës e Partinë Demokratike të Kosovës ishin të pritshme.
Për Ehat Miftarajn nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për Periskopi thotë që është një nga raportet me më së shumti vërejtje.
E gjithë kjo, sipas Miftarajt ka ndodhur për shkak të mosvullnetit të Qeverisë për t’a zbatuar sundimin e ligjit.
“Raporti i Departamentit të Shtetit për këtë vit për Kosovën është ndër raportet me më së shumti vërejtje për institucionet e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme që prekin demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupstionit. Ky raport është një pasqyre e shtetit të Kosovës në dy nivele. Niveli i parë lidhet me mungesën e vullnetit politik të kësaj qeverie për të zbatuar parimet e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit dhe ndërtimit të kulturës së pandëshkueshmërisë në rastet e korrupsionit”, u shpreh ai për Periskopin.
Ai thotë që përveç ministrave me afera korruptive, edhe vet kryeministri Albin Kurti përmendet në raportin e DASH-it për cenim të sistemit gjyqësorë.
“Fatkeqësisht, në këtë qeveri është normale që ministrat dhe pozitat e larta të përfshihen në afera korruptive dhe për këtë të mos ketë fare pasoja, e për më tepër të iu ofrohet mbështetje dhe mbrojtje edhe nga vet Kryeministri për personat e dyshuar në afera korruptive është ndër herat e para kur vet Kryeministri i vendit përmendet në këtë raport si përson që cenon pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial”, u shpreh ai për Periskopin.
E, njohësi politikë, Dritëro Arifi thotë që është për keqardhje raporti i DASH-it.
Ai fajëson Qeverinë e Kosovës, pasi që nuk i ka marr seriozisht gjetjet e raportit të vitit 2022.
“Gjetjet e raportit për Koosovësn për vitin 2023 është për keqardhje, sepse qeverisja e Kurtit nuk ka arritur që t’i bëjë përmirësimet nga viti 2022, pra në një mënyrë nuk i ka marrë seriozisht raportin e vitit 2022”, ka thënë ai për Periskopin.
Ndërkohë nga ana e Qeverisë së Kosovës, që nga publikimi i këtij raporti, nuk kanë dhënë ndonjë koment.
Ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera.
Raporti i Departamentit të Shtetit thotë se qeveria e Kosovës ndërmori hapa të besueshëm, por jo të vazhdueshëm për të identifikuar, hetuar, akuzuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë abuzuar me të drejtat e njeriut./Periskopi