Koha e vulosjes së gjenocidit

 

MERXHAN JAKUPI

 

Sipas disa analistëve dhe ekspertëve ballkanikë, muaji maj do jetë politikisht i nxehtë. Më 2 maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në Nju-Jork do të miratojë Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. Kjo Rezolutë ka të bëjë me  11 korrikun e vitit 1995, kur është kryer nga forcat paramilitare serbe ndaj popullatës boshnjake, ku janë vrarë mbi 8 000 civilë, në mesin e tyre edhe pleq, gra dhe fëmijë. Më 17 maj 2024, po ashtu, Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Asamblenë e Këshillit Evropian do të votojnë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë instancë të lartë evropiane.

Kështu, pra, muaji maj do jetë i turpshëm për politikën e kaluar gjenocidale dhe të tashme luftënxitëse të regjimit serb, në krye me Vuçiqin dhe atë të Republikës Serbe, me Dodikun. Sipas liderëve dhe elitës politike serbe, kjo rezolutë për gjenocid në Srebrenicë qenkësh një padrejtësi historike, sepse po e ngarkon me akuzë të rëndë mbarë kombin serb për gjenocid, se me këtë  politikë të shumicës së shteteve perëndimore paskëshin qëllime të caktuara, për njollosje dhe etiketim.

 

PROTESTAT ANTI-PERËNDIMORE

 

Protestat dhe manifestimet të mbajtura në Banja-Llukë, kundër Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë ishin anti-perëndimore, me pankarta, slogane, fyerje verbale dhe urrejtje të shprehur. Turma mbante portrete të Vladimir Putinit dhe të liderit kinez Xi Jinping. Ishin krah për krah Aleksandar Vuçiq dhe Millorad Dodik. Lideri i Republikës Serbe, një pinjoll politik i Putinit, tha se serbët nuk munden të tremben dhe të injorohen, sepse janë një popull me gjen luftarak. Po qe se serbëve u shpallet se janë popull gjenocidal, Republika Serbe do të shkëputet nga shteti artificial, duke iu bashkuar shteti amë. Kjo është e drejta e çdo populli për vetëvendosje.

Aleksandar Vuçiq, siç thotë një avokat serb, në fjalimin e tij në Banja-Llukë ka folur me kokë të nxehtë para turmës, me shumë emocione dhe me nje vokabular rrugaçërie. Vuçiq ka thënë se vërtet populli serb është i vogël, por përgjatë gjithë historisë nuk është gjunjëzuar dhe frikësuar. Ditën përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë, populli serb do ta festojë dhe do të dalë me flamuj, simbole, “trobojkë”, duke treguar krenarinë, dinjitetin dhe mos përkuljen ndaj armiqve. Ndërsa lideri i Republikës Serbe, Dodik, kishte shtuar se në të ardhmen bajraku serb do të valojë nga krahina serbe Knin e deri në Prizren. Po ashtu, edhe diplomati Ivica Daçiq, në një konferencë shtypi kishte thënë se po qe se në muajin maj miratohet Rezoluta për gjenocid dhe nëse shteti i rremë, Kosova, pranohet në Këshillin Evropian, atëherë Serbia do ta ndryshojë gjeo-strategjinë politike dhe do të shkojë me Traktatin e BRIX-it.

 

PËRGJEGJËSIA E POPULLIT SERB

 

Analisti politik për politikën e jashtme, Boshko Jakshiq, ka sugjeruar se qeveria serbe e ka për obligim moral që të veprojë për sa i përket Rezolutës në Asamblenë e OKB-së. Kjo Rezolutë dënon gjeneralët, individët dhe grupet që kanë kryer gjenocid dhe krime ndaj popullit boshnjak, por kjo nuk konsiston me përgjegjësinë kolektive të mbarë popullit serb. Sigurisht se liderët serbë e dinë këtë, por retorika e tyre është që të mbeten në pushtet. Boshko Jakshiq shton se vetë elita politike e Beogradit dhe Vuçiqi janë fajtorë, pasi më se tre dekada vazhdon estabilishmenti dhe diskursi, si një vazhdimësi ideologjike e viteve të 90-ta të Sllobodan Millosheviqit.

Historiani dhe diplomati serb, Milan Protiq, ish-ambasador në SHBA, thotë se e gjithë kjo katrahurë politike është për ta shkëputur Serbinë, që ajo të mbetet në mes Rusisë dhe Mongolisë. Kosova është shtet i pavarur dhe vetë Vuçiqi, si dhe elita politike e Serbisë duhet të votojë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me çka nënkuptohet edhe pranimi i saj si shtet i pavarur. Kjo do të thotë se do të fillojë një epokë e re, ku këto dy shtete do të jenë në BE dhe NATO.

Politika dhe strategjia e SHBA-së dhe BE-së për ta toleruar dhe përkëdhelur Vuçiqin është e njëjtë si në kohën e luftës në Bosnjë, kur për aktor kryesor e konsideronin Millosheviqin. Sipas një avokati serb, kancelarët e Brukselit nuk kanë zgjidhje tjetër, pasi që edhe opozita ka të njëjtën tezë dhe doktrinë. BE-ja, sipas avokatit serb, në të ardhmen nuk do ta tolerojë më Vuçiqin. Deri më tash më shumë ia kanë dhënë karotën sesa shkopin. Në të ardhmen, Vuçiqin e presin ditë të vështira, ndërsa shtetet perëndimore nuk do të lejojnë që ai të sheh Perëndimin vetëm si mbushje të xhepave, ndërsa Rusinë si vëllanë e madh. Vuçiq ka lejuar në dekadën e fundit që me influencë, propagandë në media, të aterojnë agjentët rusë në hapësirën gjeografike serbe. Vuçiq ende luan lojën e dy karrigeve, në pritje që të marrë anën definitive, me lindjen apo perëndimin.