Prestigjiozja zvicerane “Blick” ka bërë një renditje me 15 lojtarët e Kombëtares së Zvicrës si më të mirët në histori.
Kjo renditje nga gazetarët, Christian Finkbeiner dhe Alain Kunz, erdhi pasi Granit Xhaka u shpall kampion në Bundesliga me Bayer Leverkusenin.
Mesfushori nga Kosova, i cili është kapiten te Zvicra, u rendit si “i katërti më i miri në histori”.
Xhaka është futbollisti me më së shumti paraqitje te “Helvetikët” – 123 në total deri tash.
“Blick” la të hapur mundësinë për të debatuar rreth renditjes së 31-vjeçarit, duke pyetur “A duhet që lojtari rekordmen i kombëtares, Granit Xhaka, të jetë më lart pas fitimit të titullit me Leverkusen?”.
Përveç titullit të fituar së fundmi me skuadrën gjermane, Xhaka numëron edhe dy tituj kampioni me Baselin në Superligën e Zvicrës, si dhe një Kupë të Zvicrës me të njëjtën skuadër. Ai ka të fituar edhe katër trofe me Arsenalin; dy Kupa FA dhe dy Superkupa të Anglisë.
Futbollisti tjetër nga Kosova, Xherdan Shaqiri, u rendit i dyti në këtë listë, ani pse numëron trofe të shumtë në karrierën e tij.
Sulmuesi nga Gjilani ka dy tituj kampioni në Ligën e Kampionëve, një me Bayern Munichin dhe një tjetër me Liverpoolin. Me këto dy skuadra e ka fituar nga një herë edhe Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube.
Shaqiri me “Bavarezët” ka edhe tre tituj kampioni në Bundesligë, dy Kupa të Gjermanisë e një Superkupë të Gjermanisë.
Ndërsa, me Liverpoolin ka edhe një titulli kampioni në Premierligë.
32-vjeçari tre tituj kampioni ka edhe me Baselin në Superligën e Zvicrës, si dhe dy Kupa të Zvicrës.
Shaqiri nga shkurti i vitit 2022 është pjesë e Chicago Fire në MLS.
“Blick” si lojtarin më të mirë në histori e vlerësoi Stephane Chapuisat.
54-vjeçari arritjet më të mëdha në karrierën e tij në nivel klubesh i kishte arritur me Borussia Dortmundin, skuadër me të cilën kishte fituar një herë Ligën e Kampionëve, dy tituj kampioni në Gjermani dhe dy Superkupa të Gjermanisë.