Shkup, 11 prill – Zëvendës kryetari i Qeverisë për kordinim të Çështjeve Politike të Resorëve dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi ka pritur në takim përfaqësuesin special të Republikës së Slovenisë për Ballkanin Perëndimor, z. Anžej Frangeš.
Në takim u bisedua për çështjet aktuale në vend dhe rajon, bashkëpunimin mes dy vendeve, integrimin europian si dhe zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Grubi dhe Frangeš përshëndetën marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe shprehën pritshmërinë që dinamika e vendosur aktive e bashkëpunimit të vazhdojë edhe më tej në të gjitha sferat.
Duke e falënderuar ambasadorin Frangeš për mbështetjen që Slovenia jep në rrugën tonë euroatlantike, Grubi theksoi vendosmërinë që Republika e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë të jetë vend i përkushtuar për sigurinë përmes unitetit, si dhe marrëdhënieve të mira me vendet fqinje, shtetet europiane dhe SHBA-të, si vende mike.
Të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare dhe orientimin properendimor të vendit, përfshirë edhe rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese si kusht kyç që vendi të ecë përpara në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, për një të ardhme më të mirë për mbarë rajonin.