Paga minimale të jetë si në vendet e rajonit! Punëtorët po ikin për shkak të rrogave të ulëta

Sindikata e Sektorit Privat, Administrativ dhe Publik iu bashkua Konfederatës Organizative Sindikale të Maqedonisë. Kryetari i KOSM-së Marjan Risteski tregoi se do të dorëzojnë kërkesë në Qeverinë e ardhshme për të miratuar ligjin për marrëdhëniet e punës për sektorin publik dhe atë privat, që paga minimale të jetë më e lartë ose e njëjtë me vendet përreth.

Nënkryetari i Organizatës sindikale të Ndërmarrjes Qarkulluese Publike Shkup, Mexhit Idrizi, thotë se në këtë ndërmarrje ka mungesë të punëtorëve për shkak se ikin jashtë vendit.

I pyetur se a do ta mbështesin protestën që do ta mbajë LSM më 8 prill për punëtorët shëndetësorë që punojnë me kontratë, Risteski tha se ata gjithmonë i mbështesin, por shtoi se nuk janë ftuar nga ana e LSM-së.