Lloga: Nevojitet angazhimi i pushtetit ligjvënës edhe i atij ekzekutiv që në të gjitha këto procese, Gjykata Kushtetuese të qëndrojë gjithmonë në krye të detyrës
Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga pati fjalën tij në Konferencën Ndërkombëtare me rastin e 60 vjetorit të Gjykatës Kushtetuese. Duke folur për “mbrojtjen kushtetuese-gjyqësore të lirisë së mendimit dhe lirisë së të shprehurit publik të mendimit”, Lloga thekson se, Gjykatat Kushtetuese përfaqësojnë garantuesit kryesorë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërsa drejtësia kushtetuese konsiderohet si gur-themel i demokracisë kushtetuese.
,, Në festën e këtij jubileu, domethënës për të gjithë ne, fillimisht dëshiroj të shpreh respektin dhe mirënjohjen time për të gjithë gjyqtarët dhe kryetarët e Gjykatës Kushtetuese, pa kontributin e të cilëve sukseset e gjyqësorit kushtetues në Maqedoninë e Veriut do të ishin shumë të mangëta.
Gjykata Kushtetuese, si faktori kryesor i ruajtjes së shtetit të së drejtës, nëpërmjet praktikës së saj forcon të drejtat e njeriut dhe ruan autoritetin jo vetëm të aktit më të lartë juridik të vendit tonë, por edhe të marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare”, – tha Lloga.
Në këtë drejtim vlen të përmendet që, Gjykata Kushtetuese shpesh i referohet praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjë që tregon orientimin e praktikës së saj gjyqësore drejt vlerave dhe standardeve evropiane, të mishëruara në Konventën Evropiane për të Drejtat Njeriut.
Në fund, kuptohet që, nevojitet edhe angazhimi i pushtetit ligjvënës edhe i atij ekzekutiv në mënyrë që, në të gjitha këto procese, Gjykata Kushtetuese të qëndrojë gjithmonë në krye të detyrës dhe të jetë e gatshme për të ushtruar juridiksionin e saj si dhe të mbetet garantuese e mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe vlerave themelore të ngulitura në Kushtetutën tonë, me integritet profesional dhe me pavarësi të plotë në vendimmarrje.
Vë STRATEGJINË ZHVILLIMORE SEKTORIALE PËR GJYQAËSORIN (2024-2028), vëmendje e veçantë i kushtohet Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në këtë dokument konstatohet se janë të nevojshme debate dhe analiza profesionale për atë se a është e nevojshme që në mjedisin aktual shoqëror politik, të zgjerohen kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht në kontekst të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjithashtu, në veçanti është konstatuar se analizat e kryerjes së funksioneve të Gjykatës Kushtetuese kërkojnë hapjen e debateve për reforma në drejtim të rregullimit ligjor të procedurës para gjykatës, kompetencën e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe çështje të veçanta të statusit.