Lënia e duhanit zvogëlon rrezikun e kancerit në çdo moshë, sipas studimit të fundit të shkencëtarëve koreano-jugorë.
Hulumtimet kanë treguar se shanset për të zhvilluar kancerin zvogëlohen me 50 për qind të paktën 15 vjet pas lënies së duhanit, raportoi Guardian.
Studimi zbuloi gjithashtu se rreziku i kancerit të mushkërive bie edhe më shumë, veçanërisht për ata që e lënë duhanin para moshës së mesme.
Studiuesit analizuan të dhënat mjekësore të gati tre milionë qytetarëve të Koresë së Jugut të cilët kishin kontrolle shëndetësore nga viti 2002 e tutje dhe regjistruan raste të kancerit, duke përfshirë tumoret e mushkërive, mëlçisë dhe stomakut deri në vitin 2019.
Gjatë studimit, rreth 200,000 njerëz u diagnostikuan me kancer.
Hulumtimi u krye nga Qendra Kombëtare e Kancerit që ndodhet afër Seulit. Pas një ndjekjeje mesatare prej 13 vitesh e pesë muajsh, rreziku i kancerit të mushkërive tek ata që e kishin lënë duhanin ra me 42 për qind, me një rënie më të vogël prej 27 për qind për kancerin e mëlçisë dhe 14 për qind për kancerin e stomakut krahasuar me ata që vazhduan të pinë duhan.
Sipas studimit, duhanpirësit që e lanë duhanin para moshës 50 vjeç kishin një rrezik 57 për qind më të ulët të kancerit të mushkërive gjatë periudhës së ndjekjes krahasuar me ata që vazhduan të pinë duhan.
Ata që e lanë duhanin në moshën 50 vjeç e lart kishin një ulje prej 40 për qind të rrezikut të kancerit të mushkërive gjatë asaj kohe.