ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONI – STATUSI POLITIK
– ribotim –
Çështja shqiptare në Maqedoni duhet të shtrohet në rrugën politike demokratike dhe paqësore. Ajo mund të zgjidhet me realizimin e kërkesave të poshtëshënuara:
1. Të krijohen në Maqedoni dy entitete: entiteti shqiptar dhe entiteti sllavo-maqedonas. Kufijtë e entitetit shqiptar do të shtriheshin deri aty ku flitet gjuha shqipe, e ajo flitet në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë: në Kumanovë, në Shkup, në Tetovë, në Gostivar, në Dibër, në Kërçovë, në Strugë. Shqiptarët jetojnë në trojet e tyre etnike edhe në Ohër, në Prespë, në Resnjë, në Manastir, në disa fshatra të Velesit dhe të Prilepit; ose
2. Të krijohet në Maqedoni njësia politiko-territoriale shqiptare në të cilën do të përfshiheshin qytetet e sipërthëna, prej Kumanove deri në Strugë;
3. Federalizmi i Maqedonisë;
4. Të krijohet një Maqedoni dykombëshe, përkatësisht binacionale;
5. Shqiptarët të jenë popull vendimmarrës;
6. Zyrtarizimi i gjuhës shqipe në mbarë territorin e Maqedonisë;
7. Nxënësit maqedonas ta mësojnë shqipen si lëndë detyruese, që nga klasa e tretë e arsimit fillor, njashtu siç e mësojnë edhe nxënësit shqiptarë maqedonishten;
8. Themelimi i një parlamenti dydhomësh: dhoma e qytetarëve si dhe dhoma e dy bashkësive etnike, në të cilën ligjet dhe aktet e tjera normative do të miratoheshin njëzëri apo me konsensus. Me fjalë të tjera, bashkësitë etnike do të kishin të drejtën e përdorimit të vetos;
9. Të bëhet denacifikimi i Maqedonisë, ngase është shteti më i nacifikuar në Evropë;
10. Ndryshimi i flamurit të shtetit, për arsye se me të identifikohet bashkësia etnike sllavo-maqedonase;
11. Ndryshimi i himnit të shtetit, për arsye se me të identifikohet bashkësia etnike sllavo-maqedonase;
12. Ndryshimi i stemës së shtetit, për arsye se ajo nuk përmban asnjë karakteristikë të bashkësisë etnike shqiptare;
13. Lufta e 2001-shit të zërë vendin e merituar në historinë e Republikës së Maqedonisë dhe të përfshihet në tekstet shkollore dhe universitare të këtij vendi;
14. Të zgjidhet statusi i dëshmorëve të luftës së 2001-shit;
15. Të zgjidhet statusi i invalidëve të luftës së 2001-shit;
16. Të zgjidhet çështja e ndërrimit të emrit në mënyrë që Maqedonisë t’i hapet shtegu i integrimit euro-atlantik;
17. Sllavo-maqedonasit janë popull me identitet të diskutueshëm;
18. Sllavo-maqedonasit nuk mund të jenë mbartës të vetëm të shtetësisë;
19. Sllavo-maqedonasit nuk mund të jenë trashëgues të vetëm të shtetësisë;
20. Të bëhet regjistrimi i popullsisë sipas standardeve evropiane;
21. Buxheti i shtetit të ndahet në mënyrë proporcionale si dhe në bazë të kontributit ekonomiko-financiar të shqiptarëve në krijimin e tij, duke përfshirë edhe mjetet financiare të diasporës shqiptare që derdhen çdo vit në Maqedoni;
22. Investimet e huaja të realizohen në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë, në përputhje me potencialin demografik të shqiptarëve si dhe me kontributin e tyre ekonomiko-financiar;
23. Të intensifikohen marrëdhëniet e gjithanshme midis Maqedonisë dhe Shqipërisë si dhe Maqedonisë dhe Kosovës;
24. Studentët e dalluar shqiptarë në ngarkim të buxhetit të shtetit, të dërgohen për ngritje profesionale dhe për specializime në botën e jashtme;
25. Pjesa shqiptare e mjeteve, e harxhuar për projektin “Shkupi 2014”, t’u kthehet shqiptarëve;
26. Të themelohet Gjykata Speciale e cila do të merrej me procedimin e rasteve që burojnë nga përgjimet;
27. Të zgjidhet statusi i ish të burgosurve dhe i të përndjekurve politikë shqiptarë në Maqedoni që kanë vuajtur dënime nëpër burgjet jugosllave, që nga viti 1944 e këndej;
28. Të lirohen nga burgjet e Maqedonisë të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë;
29. Një pjesë e të dënuarve shqiptarë t’i nënshtrohen rigjykimit, në mënyrë që e vërteta të dalë në shesh;
30. Të ndërtohen në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë zona të lira ekonomike;
31. Të ndërtohen vija hekurudhore moderne me të cilat Maqedonia do të lidhej me Shqipërinë dhe me Kosovën;
32. Të bëhen investime infrastrukturore kapitale në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë, duke ndërtuar autostrada moderne në vijat:
– Gostivar – Qafa e Thanës;
– Tetovë – Glloboçicë, deri në kufirin me Kosovën;
– Tetovë – Prizren, duke çelur tunel nëpër malin Sharr;
– Shkup – Prishtinë;
– Të ndërtohen rrugë automobilistike në fshatrat e rrethit të Kumanovës që lidhen me Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë);
* * *
Refuzimi i kërkesave, nga pala sllavo-maqedonase, për një status shtetformues të shqiptarëve, mund t’i shtyjë ata:
– të veprojnë politikisht – jashtë institucioneve të shtetit;
– të zbatojnë politikën e mosbindjes civile pasive;
– të ndjekin politikën e mosbindjes civile vepruese;
– të krijojnë sistem paralel;
– të realizojnë të drejtën për vetëvendosje.
Zgjidhja e çështjes shqiptare në Maqedoni është në interes të paqes dhe të qëndrueshmërisë së shtetit.
Zgjidhja e çështjes shqiptare në Maqedoni është në interes të qëndrueshmërisë së rajonit.
Pa u zgjidhur çështja shqiptare, Maqedonia kurrë s’ka për të qenë shtet i qëndrueshëm dhe demokratik.
Pjesa veriperëndimore e Maqedonisë paraqet vazhdimësi të pashkëputur etnike, gjuhësore, historike, kulturore dhe etnografike të trojeve kombëtare shqiptare në gadishull.
Xhelal Zejneli