Lirim Mehmetaj
Lëvizja Vetëvendosje shkoi në Maqedoni të Veriut, u pozicionua kundër partisë më të madhe shqiptare atje, u fut në mes të partisë së dytë më të madhe dhe e ndau në gjysmë, u tha njërës pjesë që nxirrni kandidat për president, që t’ua mundësojë fashistëve të VMRO-së ta mposhtin kandidatin e LSDM-së, ua pamundësojë shqiptarëve që të përfitojnë më shumë nga një marrëveshje parazgjedhore politike nëse i ndihmojnë presidentit aktual të fitojë sërish dhe provuan ta zënë ngushtë BDI-në që nëse bën thirrje për votim të Stevo Pendarovski, t’u thonë shqiptarëve “ja, ne po iu ofrojmë kandidat shqiptar, kurse të tjerët po iu thonë votoni për një maqedonas”.
Tash kur BDI, në pamundësi të tjera, del edhe vetë me një kandidat shqiptar për president, këta deklarojnë “po i përçani shqiptarët”.
D.m.th këta janë aq pa skrupuj sa që të thonë “ne si Vetëvendosje kemi të drejtë të vijmë në një shtet tjetër, të fusim fitila mes jush, të përçajmë aq sa mundemi e ku të mundemi, ama këtë të drejtë e kemi veç ne”.
Është pak a shumë sikur atë ditë në seancë kur Albin Kurti dilte u thoshte opozitës “juve po iu kërkon Vuçiç-i” me demek jeni tradhtarë e bashkëpunëtorë të Serbisë, ama më pas i njëjti u kërkonte deputetëve opozitarë që mos t’ia ofendojnë ministrat, ta ruajnë kulturën e komunikimit.
Për këto mendje të çoroditura kështu nevojitet themelim i një komisioni ndërkombëtar për përzgjedhjen e neurologëve e psikologëve më në zë që të fillohet një studim i gjerë e i thellë se ndryshe nuk shpjegohen dot.