Zëndëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë, Bojan Mariçiq i pyetur për zhvillimet brenda Aleancës për Shqiptarët dhe për propozimin për shkarkimin e dy ministrave të kësaj partie, u shpreh se i respekton të gjithë partnerët dhe se ndodhitë më tutje, do të varen nga vlerësimi dhe gjykimi i kryeministrit Xhaferi. Siç përcjell tvklan.mk, Mariçiq shtoi se Aleanca është “një partner i rëndësishëm në Qeveri dhe mendimet dhe propozimet e tyre duhet të dëgjohen”.
“Çështja e propozimit për zgjedhjen dhe shkarkimin e anëtarëve të Qeverisë është në kompetencë të kryeministrit, përkatësisht të mandatarit. Mandatari Talat Xhaferi propozoi përbërjen e Qeverisë, Kuvendi e mbështeti dhe që atëherë jemi anëtarë të Qeverisë me kryeministrin Xhaferi. Do të shohim në lidhje me atë që doli nga Aleanca, supozoj se kryeministri i Qeverisë Teknike, Xhaferi, do të veprojë sipas asaj që është indikacion politik… Dje kemi pasur një seancë të gjatë të Qeverisë dhe janë marrë shumë vendime. Në disa vendime morën pjesë ministrat aktualë dhe zëvendësministrat aktualë nga Aleanca. Ka pasur disa mendime të ndryshme, por kjo është një Qeveri që bashkon disa parti. Nëse kryeministri bën një vlerësim, atëherë duhet ta pyesni nëse ai do të kërkojë shkarkimin e tyre. Është e rëndësishme, natyrisht, se kë dhe si mbështesin partitë sepse qeveria formohet në bazë të vullnetit të partive”, deklaroi Mariçiq në një deklaratë për gazetarët.