Lloga në Ankara do të kërkojë informacione shtesë për ekstradimin e Palevskit

Një delegacion i kryesuar nga ministri i Drejtësisë Krenar Loga, do të jetë më 8 shkurt në Ankara ku do të ketë takime me përfaqësuesit zyrtarë të Turqisë, ndërsa një nga çështjet që do të diskutohet është ekstradimi i Ljupço Palevskit, i dyshuari për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit.

Kryeministri teknik Talat Xhaferi në një intervistë për AIM thotë se nuk dëshiron të paragjykojë nëse këto bisedime mund ta përshpejtojnë ekstradimin e Palevskit, por thekson se nevojitet komunikim personal dhe i drejtpërdrejtë për të parë se çfarë duhet bërë më tutje.

“Pra, tani nuk dua të paragjykoj se kush, çfarë do të jetë përmbajtja e bisedave atje. Por në çdo rast, komunikimi i drejtpërdrejtë dhe personal është i nevojshëm për të qenë aty, për të parë se cilat do të ishin procedurat, çfarë do të duhej bërë shtesë, eventualisht. Prandaj ky komunikim është personal dhe është krijuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet përkatëse vëllazërore me të cilat ne bashkëpunojmë dhe me të cilat kemi marrëveshje bilaterale për komunikim, tha Xhaferi në një intervistë për AIM.

Nga Ministria e Drejtësisë për AIM konfirmuan se Lloga më 8 shkurt do të jetë për vizitë zyrtare në Turqi së bashku me përfaqësues të gjyqësorit. Ai do të takohet me ministrin e Drejtësisë së Republikës së Turqisë, ndërsa janë planifikuar takime me kryetarin e Kuvendit, me kryetarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, si dhe me përfaqësues të Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë.

Nga Ministria e Drejtësisë theksojnë se nuk mund të ndajnë informacione zyrtare se kur do të ekstradohet Palevski dhe sa mund të qëndrojë në Turqi, kjo është pyetje e autoriteteve turke sipas ligjeve të tyre. Pas sjelljes së tij në vend, Palevski me vendim të gjykatës do të dërgohet në IEVP dhe do të vazhdojë procedura para organeve të drejtësisë.