Isen Shabani distancohet nga vendimi i Taravarit: ASH-ja e vetme në zgjedhje

Pas Ziadin Selës, Krenar Llogës, Elmi Azirit, Remzi Memedit, Ilire Dautit dhe shumë zyrtarëve të lartë, nga vendimi i Taravarit që partia të koalicionojë me opozitën është distancuar edhe kreu i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani.

Nëpërmes një statusi në rrjetet sociale, Shabani ka thënë se për momentin vendim i vetëm që vlen e të cilin e kanë marrë organet e Aleancës për Shqiptarët është që kjo parti të shkojë e vetme në zgjedhje.

Sipas tij, organet e partisë nuk kanë pasur zyrtarisht ndonjë ofertë tjetër.

“Duke u nisur nga interesimi mediatik dhe i antarsisë së gjërë, dua t’ju bëj me dije se Aleanca për Shqiptarët nuk ka shqyrtuar asnjë kërkesë në organet e saj partiake, Këshillin Drejtues, Kryesinë Qëndrore dhe Kuvendin Qëndror në lidhje me koalicionet parazgjedhore. Në fuqi ka një vendim të Kryesisë Qëndrore, i cili është votuar UNANIMISHT për të shkuar të vetëm në zgjedhje. I bëj thirrje Kuvendit të ASH-së që të përmbaj propozimin unanim të Kryesisë i cili është: ALEANCA PËR SHQIPTARËT TË DALË E VETME NË ZGJEDHJET PARLAMENTARE 2024!”, ka shkruar Shabani