Malësori fisnik me shpirtin human

MERXHAN JAKUPI

Shkrimtari dhe romancieri i famshëm kolumbian, Gabriel Garsia Markez, ka një frazë të bukur: “Në jetën time kam takuar njerëz me 3-4 vjet shkollë, por jam mahnitur nga talenti, kultura dhe madhështia e tyre. Por kam takuar dhe njerëz me 2-3 diploma, por që kanë qenë megalomanë, të pa edukuar dhe arrogantë”. Kjo frazë e Markezit m’u rikujtua, pas lajmit pikëllues për shkuarjen në përjetësi të Vebi Abazit nga fashati Brodec i malësisë së Sharrit.

Vebi Abazi, në periudhën e ish-federatës jugosllave ka qenë një ndër sipërmarrësit më të njohur në Maqedoni. Në periudhën e ish-Jugosllavisë ka qenë një figurë dhe personalitet i njohur. Në atë kohë, shqiptarët punonin në ish-republikat jugosllave edhe atë në punët më të rënda, sepse konsideroheshin si qytetarë të rendit të dytë. Ai asokohe si sipërmarrës që ishte kishte punësuar mbi 500 punëtorë sezonalë shqiptarë. Ky malësor kishte një bagazh të pasur përvojë dhe aftësi menaxhuese. Falë kontributit të këtij malësori, shumë familje të varfra, studentë dhe persona në nevojë ishin të punësuar në kuadër të firmës së Vebi Abazi. Ky malësor fisnik dhe bujar, kishte edhe ndjenja humane dhe filantropike. La Vebi, ashtu siç e thërritnin dhe e njihnin, ka ndihmuar shumë familje të malësisë së Tetovës, sidomos ato të fshatit të tij të lindjes, të Brodecit, ku ka bërë edhe investime.

MALËSORI ME TIPARE ARBËRORE

Vebi Abazi, pos karakteristikave që u përendën më sipër, ishte një personalitet tipik malësor, me pamje e jashtme burrërore, shtatlartë, me shpatulla të gjera dhe plis të bardhë. Karakteri i tij shpirtëror kishte një ndjenjë humori, oratorie dhe rrëfimtari, ishte një person stoik, me fraza e maksima të ndryshme nga filozofia popullore. Ai kishte një kalë të bardhë, të cilin anamalasit e e quanin “Ati i Vebisë”, me të cilin shpesh shkonte i hipur mbi të edhe nëpër dasma.

Më kujtohet, viteve të 70-ta, kur shkoja në katundin e lindjes, në Veshallë, pranë Brodecit, imazhi i këtij malësori më ka lënë mbresa të thella në rradaken time, si prijës i dasmës që përcillej me curle dhe lodra që ushtonin në bjeshkët e Sharrit. Përballë katundit, tek Kulla vërehej pluhuri. Vebiu, hipur mbi kalin e tij të bardhë, kur dëgjonte zërin e curleve dhe ushtimën e lodrave, thua ti vallëzonte me gjithë kalin, duke shkuar vërdallë atij vendi. Edhe kali i tij e ndiente muzikën dhe me patkonjtë gërmonte truallin. Nga goja e kalit lëvarej shkuma, pas përpjekjeve të këtij “ati të bardhë” që të bëjë një spektakël për të pranishmit, ndërsa Vehbiu hipur mbi kalë, duke i hequr fortë kapistrat për t’i ngritur lart këmbët e parmë, nxirrte koburen nga brezi dhe shtinte në ajër.

LAMTUMIRA E FUNDIT

Herën e fundit kur e takova La Vebiun, ashtu si e thirrja, ishte duke pushuar në kafenenë “RIWA”. Dukej dukshëm i lodhur dhe i thyer në moshë, por ende s’e kishte humbur ndjenjën e hollë të humorit. Iu afrova me respektin e duhur dhe e pyeta për shëndetin e tij. Ai, me një buzëqeshje të lehtë e të përzemërt, më tha: “Të jetosh gjatë duhet të jesh një hero. Më shumë i mbaj në mend njerëzit, miqtë e mi të dikurshëm që kanë shkuar në botën e përtejme, se sa këta që kanë mbetur të gjallë e që më duken si të huaj”.

Në sytë e tij pashë një zhgënjim nga jeta dhe frustrime nga intrigat e disa njerëzve që i kishte pasur bashkëpunëtorë. Në këtë bisedë të tij të fundit që pata, ashtu i zbehur në fytyrë, në mënyrë lakonike ma përmbylli takimin me fjalët: “Nderi i burrit është fjala, soji i kalit është shala, huqi i detit është stuhia!”.

Duke u përshëndetur përzemërsisht me Vebi Abazin, m’u kujtua një thënie e bukur e stoikut romak, Seneka: “Përshëndetuni çdo herë me miqtë e tu kur t’i takoni, pasi mund të jetë ajo përshëndetja e fundit”. Dhe, vërtet ishte përshëndetja dhe lamtumira e fundit me mikun tim, Lalën Vebi.