VMRO-DPMNE: Dorëheqja e Kovaçevskit, fillim i fundit për LSDM-BDI

VMRO-DPMNE-ja opozitare dorëzimin e dorëheqjes së Kovaçevskit e cilësojnë si fund i qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së. Zëdhënësja e kësaj partie, Maria Miteva, thotë se Kovaçevski është kryeministri që solli vetëm krim dhe korrupsion. Po ashtu, sipas tyre, Kovaçevski është kryeministri që e largoi më së shumti Maqedoninë nga BE-ja, përshpejtoi emigracionin dhe shtoi varfërinë.

“Për shkak të Kovaçevskit, Maqedonia ka marrë raportin më negativ nga KE-ja këtë vit. Mesazhet nga përfaqësuesit evropianë për korrupsionin e padurueshëm në Maqedoni nuk ndalen. Vitin e kaluar, me Kovaçevskin kryeministër, ndodhën skandalet dhe poshtërimet më të mëdha të popullit maqedonas dhe Maqedonisë. Në kohën e Kovaçevskit është përshkallëzuar rrëmuja dhe krimi në rrugë. Ballafaqimet dhe vrasjet më të përgjakshme kanë ndodhur në qendër të Shkupit dhe ende nuk ka përgjegjësi për autorët.”, – deklaroi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Maria Miteva.

LSDM: DPMNE-ja me ofertë të dobët në Qeverinë teknike

Socialdemokratët thonë se lista e kandidatëve që ka dorëzuar Mickoski tregon se DPMNE-ja nuk ka asnjë ofertë programore, por as kuadro cilësore.

“DPMNE-ja ofroi kuadro të dobëta dhe joprofesionale për Qeverinë teknike. Disa nga kandidatët e propozuar për Qeverinë teknike janë miq personal të Hristijan Mickoskit, disa janë ish-zyrtarë në qytetin e Shkupit, e disa janë kuadro të kohës së Gruevskit. Por, asnjëri prej tyre nuk ka ndonjë rezultat pas vetes. Meqë dje Mickoski deklaroi se puna e Qeverisë teknike planifikon të jetë tmerr, po i themi se përpjekja e tij në tmerr do të mposhtet dhe më 8 maj së bashku me qytetarët do ta mposhtim të gjithë tmerrin e DPMNE-së!”, – theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Grubi: Kohë për vendim, vend evropian apo pro-ruse

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri, Artan Grubi, thotë se këto zgjedhje do të definojnë se çfarë shteti duam, evropian apo me ndikim pro-rus.

“Atë çfarë e thash para dy ditësh, sot dëshmohet në mënyrën më të mirë – çfarë Maqedonie duam, evropiane apo pro-ruse? Nga shoqëria euroatlantike, Amerika, Bashkimi Evropian – ajo çfarë fitojmë është rinovimi i spitaleve, ndërtimi i shkollave, ndërtimi i rrugëve, mbështetje për sundimin e ligjit, kurse ajo çfarë marrim nga ana tjetër është vetëm shkatërrim dhe largim nga qëllimet tona strategjike – anëtarësimi në Bashkimin Evropian.”, – u shpreh zëvendëskryeministri, Artan Grubi.

Qeveria teknike do ta marrë mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët, ndërsa fronti opozitar shqiptar kushtëzon votimin në Kuvend me anëtarin e tyre në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Sipas tyre, pa anëtarë të opozitës shqiptare në KShZ, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike.