NGA: MERXHAN JAKUPI
Viti 2024 do të karakterizohet si vit i zgjedhjeve, në një masë prej mbi 40 për qind në tërë Globin. Këtë vit do të mbahen zgjedhje në Rusi, Indi, ShBA dhe në disa shtete të BE-së, do të ketë zgjedhje parlamentare edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Kroaci, sikundër edhe në shtetin ku zhvillohet lufta, në Ukrainë. Së këndejmi, ky vit mund të jetë viti i ndryshimeve, me liderë të rinj dhe me agjenda të reja politike dhe gjeostrategjike, për një të ardhme më të mirë apo për kriza të reja, që s’mund të parashikohen prej tash.
Zgjedhjet më me peshë, ku gjithë komuniteti ndërkombëtar do të jetë i fokusuar, do të jenë ato në fund të vitit, në ShBA. Shumë analistë kanë potencuar se ka mundësi që në zgjedhjet e nëntorit në ShBA të fitojë Donald Tramp. Nëse rikujtojmë, në zgjedhjet paraprake, Tramp nga shumë gazeta prestigjioze ishte cilësuar si një karikaturë, me shpoti e tallje, duke mos besuar se një egocentrik dhe sharlatan mund të vijë në postin e presidentit. Këtë radhë, në shumë media dhe nga shumë analistë, Trampi merret si një kandidat më serioz, ndonëse “ujku qimen e ndërron, por jo edhe huqet”.
Ardhja e Trampit do jetë një sfidë për gjithë komunitetin ndërkombëtar. Ai do të vazhdojë me narrativin dhe agjendën e tij të mëhershme, për dobësimin e NATO-s dhe tërheqjen nga disa marrëveshje ndërkombëtare të mëhershme. Në anën tjetër, një fitore e Donald Trampit do të ishte e mirë se ardhur për politikën agresive të Putinit, sikundër edhe për nacional-populistët e BE-së, si Orbani, Le Pen, mbi të gjitha edhe për Aleksandër Vuçiqin, Millorad Dodikun, për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor nën tensione dhe për vazhdimin e realizimit të projektit “Bota Serbe”, pas dështimit të memorandumeve dhe elaborateve të akademive serbe.
closevolume_off
Zgjedhjet në Rusi do të sjellin rizgjedhjen e Vladimir Putinit, i cili, siç pritet, do të vazhdojë të jetë edhe më i ashpër dhe do të shndërrohet në kancer krizash për Evropën. Putin do të vazhdojë me retorikën e tij të vjetër, për të mbajtur ekuilibrin dhe interesat gjeopolitike e gjeostrategjike në Ballkanin Perëndimor, me dy aktorët e tij, Aleksandër Vuçiqin dhe Millorad Dodikun, si dhe me aleatin e vetëm në BE, Orbanin.
Rrëshqitja e BE-së në popullizëm
Po ashtu, këtë vit do jenë në fokus të vëmendjes edhe zgjedhjet për përbërjen e re të Parlamentit Evropian, që, sipas disa analistëve, në ato zgjedhje ka të ngjarë të fitojnë partitë nacionale-populiste dhe ultranacionaliste. Përforcimi i të djathtës populiste është në rritje, sidomos në Holandë, nga lideri ultranacionalist e populist, Hez Wilders, pastaj nga Melone Salvini të Italisë, Le Pen i Francës etj. Këto forca, së bashku me Donald Trampin do të minimizojnë dhe dobësojnë vlerat dhe liritë demokratike, si një koncept i avancuar i demokracisë në botë.
Viti 2024 do jetë një vit i nxehtë, që do të ecë në tehun midis luftës dhe paqes. Edhe ky vit, sipas analistëve, do të jetë ngjashëm si vitin që lamë pas, me kriza dhe luftë në Evropë dhe në Lindjen e Afërt dhe Lindjen e Mesme, ku Izraeli dhe ushtria e Benjamin Natanjahut do të vazhdojë gjenocidin e paparë mbi popullin palestinez. Po ashtu, do të ashpërsohet recesioni ekonomik, inflacioni, trazirat, luftërat lokale, rebelimet në shtetet Afrikane dhe fluksi i refugjatëve nga këto shtete drejt BE-së.
Sytë nga Evropa e shpirtin nga Rusia
Sipas sondazheve, mbi 70 për qind të serbëve në Serbi, Republikën Serbe dhe atyre në Mal të Zi, në Kosovë dhe në Kroaci janë rusofilë. Sipas analistëve, serbët janë në pritje të ardhjes së Donald Trampit dhe të populistëve ultarnacionalistë në BE. Iluzionet dhe narrativi i elitës politike serbe është se me ardhjen e këtyre forcave do të ndryshojë ekuilibri dhe diskursi politik në Ballkanin Perëndimor.
Nëpër manifestime dhe kampanjën zgjedhore në Serbi ka pasur slogane e pamflete “E duam Serbinë si gjithë Rusinë!”. Është për t’u habitur sjellja në stilin “të hash bukën e nikoqirit dhe ta përmbysësh atë”, t’i thuash pizeveng, është poshtërsi e pa precedencë.
Siç dihet, në Luftërat Ballkanike, serbët ishin të parët që dolën me valixhe në dorë, si refugjatë në shtetet perëndimore dhe se liderët e tyre dhe pjesa dërmuese ishin aktorë të luftërave në ish-Jugosllavi në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar.
Shumica e investimeve në Serbi janë nga BE-ja, ndërtohen shkolla, spitale, rrugë dhe infrastrukturë tjetër nga fondet dhe donacionet e BE-së. Një e treta e serbëve në Ballkanin Perëndimor punojnë në SHBA dhe në shtetet e BE-së. Paradoksi dhe ironia e madhe është pikërisht aty se serbët, megjithatë, mbeten emocionalisht dhe shpirtërisht të lidhur me vëllezërit e tyre rusë. Në anën tjetër, në periudhën e luftërave në ish-Jugosllavi, nuk pati refugjatë serbë në Rusi, përveç bashkëshortes së Sllobodnan Millosheviqit, Mira Markoviqit dhe djalit të saj, Marko Millosheviq.