Bombardimet dhe pushtimi tokësor i Gazës nga Izraeli, kanë detyruar pothuajse të gjithë palestinezët të shkojnë drejt qytetit jugor të Rafahut, përgjatë kufirit me Egjiptin.
Para luftës, zona kishte një popullsi prej 280.000 dhe sipas agjencisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, kjo shifër është rritur në mbi një milion ditët e fundit.
Ndërtesat në Rafah janë të mbushura me njerëz dhe shumë familje kanë hapur dyert për të afërmit e zhvendosur. Mijëra tenda janë ngritur në perëndim të qytetit ndërsa mijëra njerëz po flenë jashtë, pavarësisht motit të ftohtë dhe shpesh me shi dimri.
Mes tyre është edhe familja al-Saikali, e cila u largua nga qyteti i Gazës dhe përfundoi në kamp 12 ditë më parë. Ata u zhvendosën në Rafah pasi fillimisht kërkuan strehim në kampin Nuseirat dhe më pas në Kan Junis.
“Kemi rreth 10 ditë, ndoshta 12 ditë këtu dhe nuk kemi pjata, lugë, apo filxhanë. Kur përgatit mëngjesin për fëmijët e mi, duhet t’u kërkoj të gjithëve në çadrat brenda kampit të marrin një lugë, pjatë ose filxhan. Fëmijët e mi dhe unë flemë me këto tre batanije. Njërën e vendosim në tokë për të fjetur dhe tjetrën e përdorim si mbulesë”, tha Galia al-Saikali, e zhvendosur nga Gaza.
18 anëtarë të familjes jetojnë në një tendë. Ata jetën në kamp e përshkruajnë si vuajtje.
“Kanë sjellë një kamion me ujë dhe e kanë zbrazur në rrugë. E zbrazën në rrugë sikur ua hidhnin lopëve. Jeta jonë është një jetë me mundime, një jetë shumë e rëndë, më shumë se sa mund ta imagjinoni. Nuk ka ujë, absolutisht nuk ka ujë në banja dhe nuk ka as pastërti”, u shpreh Saleh al-Saikali, i zhvendosur nga Gaza.
Gaza po përballet me mungesa të ushqimit dhe ilaçeve dhe është e varur kryesisht nga ndihmat dhe furnizimet që rrjedhin përmes dy pikëkalimeve, një egjiptian dhe një izraelit. Më shumë se gjysmë milioni njerëz në Gazë, rreth një e katërta e popullsisë vuajnë nga uria, thanë Kombet e Bashkuara.
Ndërkohë, zyrtarët e shëndetësisë paralajmërojnë për shkallë më të madhe të përhapjes së sëmundjeve, sidomos te fëmijët.
Lufta shpërtheu më 7 tetor 2023 kur grupi radikal Hamas hyri në jug të izraelit duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.
Që nga fillimi i luftës janë vrarë mbi 22.400 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e drejtuar nga Hamasi./