Milicia Hezbollah e Libanit ka lëshuar dhjetëra raketa në veri të Izraelit, duke paralajmëruar se kjo breshëri ishte përgjigja fillestare ndaj vrasjes, që besohet se është kryer nga Izraeli, të një udhëheqësi të lartë të aleatit të saj, Hamasit.
Hezbollahu tha se ka lëshuar 62 raketa drejt një baze izraelite të vëzhgimit ajror në malin Meron, duke pretenduar se raketat kanë goditur në shënjestër. Ushtria izraelite tha se rreth 40 raketa janë gjuajtur në drejtim të Meronit dhe se baza ishte shënjestra, por nuk përmendi nëse raketat kanë arritur të godisnin bazën. Izraeli tha se është kundërpërgjigjur duke goditur qelizën e Hezbollahut që lëshoi raketat.
Përshkallëzimi ndërkufitar vjen në kohën kur sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nisi një turne diplomatik në Lindjen e Mesme. Ky është udhëtimi i katërt i tij në rajon që kur nisi lufta Izrael-Hamas tre muaj më parë.