Nga: Alpin Ollogu
Shembulli, rasti vijues, ka të bëjë me një akt në ushtrimin e detyrës zyrtare në një prej shoqërive aksionare në Maqedoninë e Veriut, vërtetimi i keqpërdorimit të së cilës, konsumon vepër penale me dënim nga 5 deri në 8 vite burg. Zvarritja mbi 7 (shtatë) vjeçare e Prokurorisë Themelore Publike Gostivar, si dhe Prokurorisë Themelore Publike Kërçovë, për të vendosur në lidhje me akt – denoncimin. Dhjetëra ankesa të vazhdueshme nga denoncuesi në Këshillin Prokurorial dhe Prokurorinë e lartë Gostivar, kundër zvarritjes nga prokuroritë themelore. E për ta kurorëzuar të gjithën me akt-urdhërin e ndalimit të hetimeve për të dyshuarin e denoncimit penal, pas më shumë se 7 vitesh nga denoncimi, akt – urdhër ky që cënon dukshëm, paanësinë, ndërgjegjen dhe profesionalizmin e prokurorisë.
Ky pretendim dhe dyshimi i arsyeshëm i procedimit dhe akt-urdhërit antiligjor nga prokuroria publike, për të cilën gjithsecili profesionist i fushës mund ta shqyrtojë në vijim (konform ligjit, pa shfaqur identitetin e personave fizik apo juridik), shërben si një shembull i rradhës për atë që u tha nga raporti i fundit i Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut, “arritje e pikës kritike në gjyqësor”, pas skandaleve të shumta lidhur me lirimin e shumë zyrtarëve të korruptuar nga ndjekja penale nga periudha e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, vjetërsimin e lëndëve edhe lirimin nga burgu të disa prej tyre.
Rasti vijon si më poshtë:
Kryetari i bordit drejtues dhe pronari i aksioneve dominuese i shoqërisë aksionare, së bashku me nënshkrimin e tre anëtarëve të tjerë të Bordit drejtues (një prej të cilëve i familjes së ngushtë), me shumicë votash, merr vendim që pronën e tij private, tokë ndërtimore prej 500 m2, t’ja shesë shoqërisë aksionare që drejton, me vlerë prej 127.000,00 euro. Pronë që i njejti, në cilësinë e personit fizik, e blen nga një pronar i mëparshëm (jo me larg se 2-3 vite dhe jo më shumë se 7.000 euro, gjë e cila mund të vërtetohet me kontratën e shitblerjes).
Së pari, me aktin e vendimit në bordit drejtues për shitblerjen e pronës – tokë ndërtimore, në kundërshtim me nenin 355 të ligjit për shoqëritë tregtare, si kryetar i bordit drejtues, merr pjesë dhe mundëson mbledhje të bordit të drejtorëve dhe votim për marrje vendimi, pa kforum pune dhe pa të drejtë për marrje vendimi, pasi numri i antarëve joekzekutiv në mbledhjen ku vendoset për aktin e shitblerjes, nuk është më shumë se numri i antarëve ekzekutiv.
Së dyti, kryetari i bordit drejtues, në kundërshtim me nenin 349 të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, i vetëdijshëm se në mbledhje vendoset për lidhjen e një kontrate në të cilën shoqëria aksionare është palë dhe në të cilën kryetari i bordit drejtues si anëtar i organit udhëheqës, ka interes të drejtëpërdrejtë (shitjen e pronës së tij private), kështu i njëjti, sipas nenit 349 pika 2 e Ligjit për shoqëritë aksionare, nuk e paraqet interesin e vetë në mbledhjen e bordit drejtues (dhe këtë e bën me qëllim mos të largohet nga votimi, siç e parasheh ligji), me qëllim që të realizojë shtiblerjen e patundshmërisë. Akti, ligjërisht krijon konflikt interesi, shitje të pronës private, ku i njëjti person paraqitet si shitës – person fizik edhe si blerës – person juridik (drejtues në personin juridik), shoqërinë aksionare.
E gjitha kjo në kundërshtim me nenin 457, 459, dhe 460 të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, që e bën kontratën e pavlefshme dhe pa fuqi juridike, ndërsa përfituesin e saj, të denoncuarin (së bashku me familjarin e tij si nënshkrues, pjesë e bordit drejtues), me përgjegjesi të dënimeve penale me keqperdorimin e detyrës zyrtare, përfitime të vlerave pasurore të parashikuar nga neni 122 pika 36 e Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga dëmi i shkaktuar në vlerë prej 7.602.605,00 denarësh ose 127.220,00 euro. Gjithashtu dëmtimi i mbi 100 aksionarë (aksionarëve të vegjël), me 127.000,00 euro, në ndarjen e dividentës vjetore apo rritjen e kapitalit aksionar.
Kronologjia e denoncimit penal:
1. Më datë 03.02.2017, bëhet paraqitja/denoncimi penal;
2. Më datë 24.10.2017, (mbas 8 muajsh nga denoncimi), denoncuesi ankohet në Prokurorinë e Lartë Gostivar, për zvarritje të hetimit dhe vendosje në lidhur me denoncimin penal. Prokuroria e Lartë Gostivar, me njoftim të datës 27.10.2017 vit, numër “РО.бр.63/17“, lajmëron se Prokuroria Themelore Gostivar tashmë e ka thirrur denoncuesin të dëshmojë për paraqitjen penale (kjo thirrje, mbas datës së ankesës në Prokurorinë e Lartë, mbas 8 muajsh zvarritje, kur në rastin konkret denoncuesi i ka dërguar si prova prokurorisë të gjitha aktet e shitblerjes, vendimet e bordit drejtues, biles edhe specifikimet e sanksionuara nga kodi penal, për vepra penale që ndiqen me detyrë zyrtare, (që do të thotë thirrje në cilësinë e dëshmitarit, e pakuptimtë për hetimin, humbje kohe, tentim për vjetërsim e lëndës).
3. Më datë 22.01.2018, (mbas 1 viti nga denoncimi) denoncuesi, edhe mbas dhënies së dëshmisë në Prokurorinë Themelore Gostivar (përsëritur të njëjtat fakte të paraqitjes penale), parashtron ankesë në Këshillin e Prokurorëvë të RMV-së, për zvarritje të lëndës. Këshilli i prokurorëve me datë 14.06.2018 vit (mbas 5 muajsh nga ankesa), me aktin “РО.бр.15/17“ lajmëron denoncuesin se Prokurori Publik është duke punuar lëndën në suaza të ligjit dhe pas vendimit të duhur prokurorial, do t’ju njoftojë për të njëjtën.
4. Më datë 24.01.2019, (mbas 2 vitesh nga denoncimi) denoncuesi parashtron ankesë në Prokurorinë publike të Maqedonisë, si dhe në Këshillin e prokurorëve, për zvarritje të denoncimit dhe marrjes së një vendimi ligjor. Ndërsa Këshilli prokurorial “РО.бр13/18“, përgjigjet me të njëjtin arsyetim, “Prokurori publik është duke punuar lëndën në suaza të ligjit dhe pas vendimit të duhur prokurorial, do t’ju njoftojë për të njëjtën”.
5. Më datë 08.01.2020, (mbas 3 vitesh nga denoncimi) denoncuesi parashtron ankesë në Prokurorinë e Lartë Gostivar dhe Këshillin Prokurorial, për zvarritje të lëndës dhe sjelljen e një vendimi ligjor, gjithashtu Prokuroria Publike me aktin “РО.бр.15/17“, përgjigjet duke thënë se Prokuroria Publike ka kërkuar nga prokurori i lëndës që të sjellë një vendim në përputhje me ligjin. Më datë 19.02.2020, Prokuroria Publike Gostivar me aktin “КО.бр.124/17”, njofton denoncuesin se për shkak të ndryshimeve në Kodin penal, lënda si kompetencë kalon në Prokurorinë Themelore Kërçovë (edhe ky një vendim antiligjor me qëllim zvarritjeje, pasi ndryshimi ligjor për ndryshim kompetence territoriale përfshinte vetëm lëndet për të cilët nuk ishte marrë asnjë veprim procedural, e jo si në rastin konkret).
6. Me datë 17.11.2020, (mbas afër 4 vitesh nga denoncimi), përsëri dërgohet ankesë në Prokurorinë Themelore Publike Kërçovë si dhe Këshillin e Prokurorëvë, për zvarritje të lëndës – denoncimit penal. Këshilli prokurorial me aktin “РО.бр.13/18“, përgjigjet me arsyetimin e njejtë, “procedura për lëndën është në vijim procedimi”.
7. Më datë 05.05.2022, (tani mbas 5 vitesh e 3 muaj nga denoncimi) përsëri parashtrohet ankesë në Këshillin Prokurorial të Maqedonisë së Veriut, për zvarritje të lëndës. Ndërsa në 18.05.2020, Prokuroria Themelore Kërçovë, sjell urdhër për ndërprerjen e hetimit të këtij denocnimi penal, me arsyetimit se nuk ka prova që i dyshuari ka kyer vepër penale.
8. Në afat prej 8 ditësh, nga urdhëri prokurorial për ndërprerje të hetimeve, denoncuesi ankohet në Prokurorinë e Lartë publike Gostivar, kundër akt – urdhëresës për ndërprerje të paligjshme të hetimit penal nga Prokuroria Themelore Publike Kërçovë. Prokuroria e Lartë Gostivar pranon ankesën e denoncuesit dhe me akt-vendim, obligon Prokurorinë Themelorë Kërcovë, vazhdimin e hetimit dhe sjelljen e një vendimi të duhur ligjor.
9. Më datë 14.10.2022, 17.02.2023 dhe 13.06.2023, denoncuesi parashtron ankesa në Këshillin Prokurorial, për zvarritje të lëndës nga Prokuroria Themelore Kërçovë. Ndërsa në 27.03.2023, Prokuroria Themelore Kërçovë, me aktin “KO.бр.535/20“, përsëri urdhëron ndërprerjen e procedurës së hetimit për denoncimin penal, me arsyetimin se nuk ka prova që i dyshuari ka kryer veprën penale. Kundër aktit të ndërprerjes së hetimit, denoncuesi ankohet në Prokurorinë e Lartë Gostivar, por që prokuroria e Lartë Gostivar, tani nuk e pranon ankesën kundër vendimit të Prokurorisë Themelore Kërçovë, dhe atë me një arsyetim bosh dhe aspak profesional, ngjashëm si akt-urdhëri i Prokurorisë Themelore Kërçovë, arsyetuar me ”vlerën e çmimit të tokës/truallit”. Kështu me akt vendimin “КОЖ-1 бр.67/23“, vërtetohet akti “KO.бр.535/20“ i Prokurorisë Themelore Kërçovë, i urdhër ndalimit të hetimeve për të dyshuarin e denoncimit.
Mbas dhjetëra ankesave për mos-zvarritje të denoncimit penal, presionit të vazhdueshëm në të gjitha instancat e prokurorisë publike (në harkun kohor prej më shumë se 7 (shtatë) vitesh nga denoncimi, deri në aktin e urdhëresës së ndalimit të hetimeve), i dhënë edhe ky akt-urdhër pas kaq vitesh, si presion nga ankesat e vazhdueshme, Prokuroria Themelore Publikë Kërçovë, me pastaj vërtetuar nga Prokuroria e Lartë Gostivar, arsyetojnë akt-urdhëresën e ndalimit të hetimeve kundër të dyshuarit të denoncimit penal, pa arsyetuar dhe shqyrtuar asnjë fjalë të vetme për shkeljet e plota të dispozitave ligjore të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, të cilat derivojnë përgjegjësi penale dhe që është thelbi i denoncimit penal në rastin konkret.
Prokuroria Themelore Kërçovë dhe Prokuroria e Lartë Gostivar, arsyetojnë akt-urdhëresën e ndalimit të hetimeve, me një arsyetim joprofesional dhe dukshëm të anshëm, krejt në kundërshtim me thelbin e denoncimit, duke arsyetuar me vlerën apo çmimin e shitblerjes se truallit ndërtimor, dhe atë duke u thirrur në një metodologji nga Qeveria e RMV-së, për vërtetimin e vlerës së tokës ndërtimore në atë zonë ku gjendet toka/trualli i shitblerjes së këtij denoncimi.
Por e gjitha kjo në një përllogaritje tymnajë, pa një ekspertizë konkrete, për arsyen e thjeshtë se trualli konkret nuk mund të futet në një vlerësim maksimal të vlerës së saj, pa u marrë në konsideratë realiteti faktik i shitjes së truallit të natyrës dhe pozicionit të njëjtë me atë të lëndës konkrete, pasi zona në fjalë është shumë e gjerë dhe pozicionet e truallit ndërtimor janë të ndryshëm, si nga ato me daljen në rrugën kryesore dhe ato pa dalje në rrugën kryesore (që është shembulli i truallit në fjalë, pa dalje ligjore në rrugën kryesore, truall që i njejti, në harkun kohor prej 2-3 vitesh, është blerë rreth 7.000 euro dhe i njejti shitet 127.000,00 euro).
Edhe pse fundja, denoncimi penal nuk ka të bëjë me çmimin – vlerën e shitblerjes së tokës ndërtimore, por me shkeljet ligjore të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, shkeljet pocedurale dhe konflikti interesit në shit-blerjen e truallit, shkelje për të cilat Prokuroria Themelore Kërçovë me aktin “KO.бр.535/20”, dhe Prokuroria e Lartë Gostivar, me aktin “КОЖ-1 бр.67/23“, nuk e thonë asnjë fjalë arsyetimi në akt-urdhërin e ndalimit të hetimit për të dyshuarin e denoncimit, edhe atë pas më shumë se 7 vitesh nga dita e denoncimit.
Për ta kuptuar më thjesht, është sikur një pushtetar të blejë një gjësend apo shërbime të ndryshmë, por duke shkelur procedurat ligjore të blerjes, pa bërë tendera publik apo ofertat e parashikuara, kurse prokuroria të arsyetojë këtë antiligjshmëri, duke u arsyetuar me çmimet e vlerës së gjësendeve ne treg edhe atë me vlerësime joserioze ekspertizash. Ose një pushtetar ti japë punë apo shërbime ndonjë kompanie tregtare që ai dëshiron, duke shkelur rregullat ligjore të tenderimit, ndërsa prokuroria ta arsyetojë – mbulojë kriminalitetin e pushtetarit, me çmimin e tregut për shitblerjen apo punën e kryer nga kompania e preferuar e pushtetarit.
Ky shembull, dyshim dhe pretendim i arsyeshëm i antiligjshmërisë së prokurorisë në rastin në fjalë, besoj si qindra e mijëra të tjerë në vendin tonë, të dalë paradoksalisht nga dyert e drejtësisë, tregon qartë situatën ku gjendemi, “pikën kritike në gjyqësor” – siç u tha në raportin e fundit të Bashkimit Evropian. Situatë e cila tregon edhe njëherë urgjencën e domosdoshme të vetingut në drejtësi, minimalisht si në shembullin e R. Shqipërisë, pa manipuluar popullatën dhe faktorin ndërkombëtar me reforma të dështuara gjyqësore, reforma syfaqësie dhe dëmtuese të buxhetit të shtetit, të një prej shteteve më të varfër të Evropës.
,