Sylvinho flet për Spanjën dhe grupin e “Euro 2024”, nuk harron edhe përkrahjen që do ta ketë nga shqiptarët

Kombëtarja e Shqipërisë ishte e pafat në shortin e tërhequr të shtunën për grupet e Kampionatit Evropian “Euro 2024”.

Kuqezinjtë u shortuan në Grupin B, bashkë me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.

Edhe pse nuk e donte Spanjën në grup, Sylvinho e analizoi shortin me optimizëm, gëzim dhe dëshirë për të përballuar sfidën.
“Ne presim një skenar të vështirë. Por, jo vetëm grupi ynë. Është hera e dytë që jemi në një kampionat evropian. Jemi rritur dhe do të jetë më mirë se në 2016. Do të jetë e mrekullueshme të testojmë forcën tonë”, trajneri i Shqipërisë në një intervistë për “Marca”.

“Vendi është shumë entuziast. Ne kemi bërë një punë të shkëlqyer. Ne përfunduam të parët kundër Polonisë, e cila është e fortë, dhe një ekipi të madh si Republika Çeke”, shtoi ai.

Sylvinho tha se ka ndjenja të përziera për Spanjën. Si lojtar, ai ka qenë pjesë e Celta Vigos dhe Barcelonës.

“Kam një dashuri të madhe për të. Spanja ka shumë cilësi, në të gjitha fushat dhe është një ekip i mësuar me ndeshje shumë kërkuese”.

Kundër rivalëve që kanë yje kampion bote dhe evropiane (Spanja dhe Italia) dhe një tjetër që ka qenë në mesin e tre më të mirëve në dy Kupat e fundit të Botës (Kroacia), braziliani i Kombëtares shqiptare e shikon grupin me entuziazëm.

“Të shohim se çfarë mund të bëjmë. Si mund t’i përballojmë këto lojëra. Do të jetë mirë. Ne ishim tashmë të lumtur që ishim këtu. E dinim se do të ishte e vështirë dhe se çfarëdo që të përballeshim do të ishte grupi i vdekjes për ne”, tha 49-vjeçari.

Diçka në të cilën Shqipëria do të llogarisë do të jetë përkrahja e madhe nga tifozët.

“Kjo është e vërtetë. Në Gjermani ka shumë shqiptarë dhe do të ishte mirë të shikosh tribunat dhe ta shohësh plot me të kuqe shqiptare”, deklaroi Sylvinho.