Katër sfidat e rrezikshme

MERXHAN JAKUPI

Shumë analistë, studiues dhe aktorë të elitës politike perëndimore, kanë të njëjtin mendim se bota demokratike dhe e lirë, në dekadat që do të vinë do të kanoset nga katër sfida dhe kërcënime. Sfida e parë është kriza demografike; sfida e dytë janë ndryshimet klimatike; sfida e tretë është inteligjenca artificiale dhe; e katërta është rreziku nga rivalët e regjimeve autoritare, despotike dhe tiranike, siç janë Kina, Rusia dhe Irani.

Rreziku dhe kërcënimi nuk do të jenë vetëm mbi botën perëndimore, por me këto sfida dhe rreziqe do të përballet i gjithë globi. Siç paralajmërojnë këta analistë dhe studiues, popujt evropianë në përgjithësi janë nocione të mplakura. Sfida akute, me të cilën përballet bota perëndimore është e pashmangshme. Rënia e natalitetit te shoqëritë perëndimore është një deficit social i një armate të mplakur, ku do të mungojnë fondet për pensionistët.

KRIZA DEMOGRAFIKE DHE MUNGESA E FUQISË PUNËTORE

Po ashtu do të jetë kostoja e lartë e sigurimeve shëndetësore të popullatës jo produktive dhe të mplakur, ku jeta mesatare te këta popuj është mbi 80 vjet. Po ashtu mungon dhe fuqia punëtore, për të shmangur këtë sindromë, si alternativë. Qasja do të jetë sjellja e emigrantëve dhe e refugjatëve nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine. Vitet e fundit është zbrazur gjithë Ballkani, prej nga shumë të rinj kanë shkuar të punojnë në shtetet perëndimore, kurse shtetet e Ballkanit kanë krizë demografike dhe mungesë të fuqisë punëtore.

Sfida e dytë është ajo e ndryshimeve klimatike, ndotja e gjithë planetit, ku bota perëndimore është aktori kryesor për mbështetjen dhe financimin, kurse shtetet e tjera nuk kanë fonde për të ndarë.

Sfida e tretë është inteligjenca artificiale, një tablo që deri dekadën e fundit ishte nën margjina, kurse bota perëndimore dhe gjithë globi në të ardhmen do të përballen me inteligjencën artificiale, një narracion transformimi i homosapiensëve në homodeus. Inteligjenca artificiale është me dy medalje: njëra do të jetë një revolucion dhe progres i gjithë njerëzimit, kurse medalja tjetër është se alegorizmat, robotët, do të zëvendësojnë njerëzimin në shumë fusha. Këto ndryshime mund të jenë katastrofike për tërë njerëzimin. Shumica e njerëzimit dhe e klasës punëtore sot mbeten pa punë. Më së shumti do të preken shërbimet publike, mjekësia dhe fushat e tjera.

Inteligjenca artificiale si sfidë është se regjimet autoritare, si Kina, Rusia dhe Irani e disa të tjera do ta shndërrohen në DIKTATURA DIGJITALE, ku inteligjencën artificiale do ta përdorin si klishe, determinim dhe alegorizëm për të mbajtur nën kontroll gjithë shoqërinë, siç ishte në komunizëm, larja e trurit dhe krijimi i njeriut të ri.

DEPRESIONI GJEOSTRATEGJIK I BOTËS PERËNDIMORE

Sfida e fundit, me të cilën aktualisht përballet bota perëndimore, është duke përjetuar depresion gjeopolitik dhe gjeostrategjik. Kërcënimi më i madh për botën perëndimore janë rivalët e saj, siç janë Kina, Rusia dhe Irani. Këto shtete qeverisen nga regjime totalitare, autoritare dhe despotike. Nga këto shtete, jo vetëm që rrezikohet perëndimi, por e gjithë bota. Rendi i ri multipolar është kërcënim i botës së lirë dhe formimi i një perandorie e së keqes, siç ishte Bashkimi Sovjetik. Sfida aktuale që është duke përjetuar bota perëndimore është edhe lufta në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, në shumë shtete arabe dhe islame, dy despotët e tij kinezë, Xi Jinping dhe ai rus, Vladimir Putin, konsiderohen si shpëtimtarë dhe hero të botës arabe. Po ashtu dhe serbët në Ballkan janë duke pritur shpërbërjen e BE-së, si dhe dobësimin e SHBA-së, ku në të ardhmen si lidership dhe superfuqi do jenë këto shtete despotike dhe tiranike, si Kina dhe Rusia. Ky lloj lidershipi është ëndrra dhe realizimi i Botës serbe, ku serbet do të jenë aktorë homogjenë në Ballkanin Perëndimor dhe aspiratat për kthimin e Kosovës nën Serbi.

Është për t’u habitur se edhe në opinionin publik shqiptar dhe në disa portale, lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka ngjallur një simpati dhe vetëkënaqësi ndaj Kinës, Rusisë dhe Iranit, kurse është shtuar doza antiperëndimore.