Kombëtarja shqiptare e vajzave luajti ndeshjen e pestë në Grupin B1 ndaj Irlandës së Veriut, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Ligës së Kombeve. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Air Albania” përfundoi me fitoren e Irlandës së Veriut me rezultatin 0-4.
Trajneri Armir Grima e nisi me këtë formacion titullar sfidën ndaj Irlandës së Veriut: Viona Rexhepi (GK), Armela Tukaj, Sara Maliqi, Qendresa Krasniqi, Megi Doçi (C), Ezmiralda Franja, Gresa Berisha, Lucie Gjini, Kristina Maksuti, Matilda Gjergji, Mikaela Metalla – njofton FSHF.
Fillimi i ndeshjes është i barabartë, ndërsa me kalimin e minutave Irlanda e Veriut krijon superioritet në lojë, duke u afruar disa herë rrezikshëm drejt zonës së Shqipërisë. Kombëtarja kuqezi mbrohet mirë por në minutën e 43 të pjesës së parë, Irlanda e Veriut kaloi në avantazh falë golit të Simone Magill.
Pjesa e parë përfundoi 1-0 në favor të Irlandës së Veriut ndërsa fraksioni i dytë nisi me një ndryshim për Shqipërinë, nga loja u largua Mikaela Metalla dhe vendin e saj e mori Fortesa Berisha. Irlanda e Veriut realizoi edhe golin e dytë në të 47-ën me Simone Magill, ndërsa Danielle Maxwell shënoi golin e tretë në minutën e 58-të.
Shqipëria pati një rast të mirë shënimi në minutën e 83-të me Fortesa Berishën, por goditja e saj u ndal nga portierja kundërshtare. Më pas Irlanda e Veriut realizoi edhe golin e katërt të sfidës me Megan Bell. Në fund gjithçka përfundoi me fitoren e Irlandës së Veriut 0-4.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit në transfertën e Hungarisë të martën e 5 dhjetorit.