Jo vetëm për luftën Rusi – Ukrainë, por edhe për luftën mes Izraelit dhe Palestinës (Hamasit) – si në shumë vende tjera, edhe në Maqedoninë e Veriut po përhapen me shpejtësi përmes kanaleve të mediave sociale, narrativa të rreme dhe përmbajtjet mashtruese, shkruan PRESSonline.al
Më 17 tetor, një përdorues i Facebook ndau fotografi tronditëse të fëmijëve viktima të luftës së bashku me një imazh të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke pohuar në mënyrë të rreme se ata ishin viktima të sulmeve izraelite në Gaza. Kontrolluesit e fakteve identifikuan se këto foto ishin nga konflikti i mëparshëm në Siri.
Më 15 tetor, një tjetër përdorues nga Maqedonia e Veriut propagandoi një teori konspirative që fajësonte në mënyrë të paarsyeshme popullatën hebreje për një të ashtuquajtur “rivendosje të madhe”, që synonte dominimin botëror.
Më 18 tetor, një portal i medias në internet përkeqësoi keqinformimin duke shpërndarë një video të vitit 2021, duke sugjeruar se ishte një incident i fundit i automjeteve egjiptiane të ndihmave humanitare të ndaluara në kufirin e Gazës.
Më 10 tetor një punonjës i MPB-së me postim në Facebook ka shprehur mbështetje për sulmet e militantëve palestinezë të Hamasit ndaj Izraelit. Këtë rast në opinion e denoncoi ish-ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev.
Në rrjetet sociale Facebook, Tuiter, Youtube, TikTok predikues të fesë islame hoxhallarë dhe pjesëtarë të komunitetit islam komentojnë dhe dënojnë agresionin ndaj popullit palestinezë në Rripin e Gazës. Në anën tjetër, ato që arsyetojnë sulmet e Izraelit mbi Gazën këto komente i shohin si vokabularë i ashpër dhe shpërndarjes të gjuhës së urrejtjes.
A nxisin klerikët fetar islam gjuhë të urrejtjes?
Hoxhë Bedri Lika shprehet kategorikisht kundër këtyre konstatimeve.
“Gjatë komentimit të luftës dhe gjenocidit që po ndodh në Gaza mund t’i duket dikujt se po përdoret vokabular i ashpër, por realisht ashpërsinë e krimit dhe gjenocidit që po ndodh në Gaza nuk mund ta përshkruaj fjala dhe komenti i askujt. Por me gjithë atë i gjithë ai krim në asnjë mënyrë nuk duhet të na nxit të jemi të padrejtë si njerëz dhe si mysliman, sepse Islami erdhi në shërbim jo vetëm të myslimanëve por në shërbim të njerëzimit pa dallim kombi, race dhe bindjeve fetare që mund ti ketë. Islami është i ndërtuar mbi parimin të respektojmë detyrimisht të drejtën, barazinë dhe lirin e çdokujt”, deklaroi hoxhë Bedri Lika për PRESSonline.al
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut Reis Ulema Ef. Shaqir Fetahu për PRESSonline.al – thotë se BFI e Republikës së Maqedonisë së Veriut me shqetësimin më të madh po përcjell luftën e trishtueshme në mes izraelitëve dhe palestinezëve që po merr viktima njerëzore, duke filluar nga fillimi i kësaj lufte, në veçanti bombardimet izraelite në Rripin e Gazës që po sjellin vrasje dhe mbytje të mijëra viktimave të pafajshme.
“Lufta nuk sjell zgjidhje dhe sa më shpejt të ndalet dhe t’i qasen zgjidhjes të këtij problemi që zgjat me dekada. Bisedimet janë e vetmja zgjidhje, edhe atë zgjidhje e drejtë. BFI e RMV apelon të gjithë faktorëve relevant ndërkombëtar të shtojnë kujdesin për të ndal këtë konflikt të trishtueshëm ku humbin jetën të rinj, pleq, fëmijë dhe njerëz dhe destabilizon rajonin dhe shton problemet. Andaj, ndalimi i konfliktit është e patjetërsueshme që do të sillte paqen e përhershme drejt një perspektive të shëndoshë në ardhmëri, në veçanti definimin definitiv të shtetit palestinez që do të ishte një garanci e paqes në rajon”, shprehet Fetahu.
Petrit Saraçini nga Instituti për Media dhe Analitikë (IMA) thotë se për fat të keq, çështjet tilla si konflikti në Izrael dhe në Rripin e Gazës shpeshherë përdoren prej strukturave të ndryshme radikale, jo vetëm fetare por edhe politike, për të nxitur urrejtje mes komuniteteve të ndryshme edhe në Maqedoninë e Veriut.
“Këtë e pamë edhe lidhur me agresionin rus në Ukrainë, por edhe gjatë disa incidenteve në vend në të kaluarën, të cilat trajtoheshin në opinion edhe në kontekst të marrëdhënieve ndër-fetare dhe ndëretnike – siç ishte për shembull rasti me vrasjet te Liqeni i Smillkovës në vitin 2020, ose kremtimet fetare gjatë pandemisë së Kovidit në vitet 2020-21, për të përfunduar me debatet që po zhvillohen kohëve të fundit lidhur me ndërtimin e objekteve fetare në Kodrën e Diellit. Për të parandaluar rrezikun që kjo retorikë dhe nxitja e gjuhës së urrejtjes të ndikojë në tensionimin e marrëdhënieve ndër-fetare dhe ndëretnike në vend, rol të rëndësishëm kanë mediat, të cilat nuk duhet të bëhen transmetues të retorikës së tillë, por ta trajtojnë atë siç e parashohin standardet etike të gazetarisë dhe t’ia bëjnë publikut me dije qartësisht se bëhet fjalë për retorikë nxitëse ose gjuhë të urrejtjes”, thotë Saraçini për PRESSonline.al
Sigurisht, shprehet ai më tej, se është akoma më e rëndësishme që me këtë të merren edhe organet shtetërore përkatëse, të cilat duhet të veprojnë shpejt në rastet kur ka gjuhë të urrejtjes, e cila është vepër penale sipas Kodit Penal në vendin tonë, dhe të marrin masa ndëshkuese për ata që thyejnë ligjin.
“Vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohet që retorika e tillë të ndikojë në tensionimin e marrëdhënieve ndër-fetare dhe ndëretnike në vend”, nënvizoi ai.
Izraeli dhe Palestina “mollë sherri” në politikën e Maqedonisë së Veriut
Si për shumë çështje të tjera, partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë qëndrime të ndryshme për luftën midis Izraelit dhe Palestinës. Edhe pse shumica janë kundër sulmeve terroriste të Hamasit, ka nga ata që kritikojnë Izraelin për spastrimin etnik të Palestinës.
Dy partitë më të mëdha politike në vend, LSDM në pushtet dhe opozita VMRO-DPMNE, ndonëse kanë dallime diametralisht të kundërta në rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, në lidhje me luftën mes Izraelit dhe Palestinës, kanë qëndrime të ngjashme.
– Ne dënojmë fuqishëm dhe pa mëdyshje sulmet terroriste të Hamasit kundër Izraelit. Apelojmë për zgjidhje përmes dialogut, botës i duhet paqe, thuhet në njoftimin e kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në rrjetet sociale.
Nga opozitarja VMRO-DPMNE kanë deklaruar se qëndrojnë dhe i japin mbështetje të qartë Izraelit dhe dënojnë sulmet terroriste të Hamasit.
E majta e Dimitar Apasievit justifikon veprimet terroriste të Hamasit, duke deklaruar se Izraeli po kryen spastrim etnik në Palestinë.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka dënuar sulmet e Hamasit ndaj Izraelit.
“Solidariteti ynë i plotë me Izraelin vazhdon, këto akte terrori duhet të ndalen menjëherë”, ka shkruar Osmani në rrjetin social X-X.
Ndryshe nga Bujar Osmani, deputeti dhe kryetari i partisë Populli, Skënder Rexhepi Zejd, ka një qasje tjetër ndaj luftës mes Izraelit dhe Palestinës. Por ai thekson se qëndrimet e tij janë personale, dhe se nuk janë as si kryetar partie dhe as si deputet.
“Pasi që nga natyra jam kundër dhunës pavarësisht ndaj kujt ushtrohet, unë e kam ngritur zërin edhe ndaj vrasjes së civilëve të pafajshëm izraelit. Por, këtu nuk mund të tërheqim paralele barazie mes të dy popujve ngase kemi të bëjmë me okupator dhe të okupuar, me popull që jeton të gjitha liritë dhe mirësitë në kohën kur tjetrit ia mohon edhe të drejtat elementare njerëzore, thjesht kemi të bëjmë me dy botëra të ndryshme ku viktimë është vetëm populli palestinez”, deklaroi Rexhepi për PRESSonline.al (D.J)