Grupi i Shqipërisë/ Polonia barazon me Çekinë dhe shuan shpresat për vendin e dytë. Llogaritë se kush kualifikohet
Me Shqipërinë (siguroi kualifikimin me barazimin 1-1 në Moldavi) që luajti pasdite ndeshjen e vet në grupin E kualifikues të Euro 2024, në mbrëmje u zhvillua edhe një takim tjetër, mjaft i rëndësishëm.
Polonia nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Çekisë në PGE Narodowy (Warsaw), duke shuar kështu përfundimisht shpresat për të arritur te vendi i dytë. Kjo, për faktin se polakët renditen në vendin e 3-të me 11 pikë dhe sonte u luajt ndeshja e fundit kualifikuese për Lewa-n me shokë. Gjithsesi, për ekipin e Michal Probierz ka edhe një shans të fundit për Europian, pasi mund të arrijë këtë objektiv si vendi i 3-të më i mirë.
Çekia, e dyta me 12 pikë i mjafton një pikë ndaj Moldavisë në ndeshjen e fundit për të prerë një biletë për në Gjermani. Në krahun tjetër, Moldavia me 10 pikë mund të shkruajë historinë me një fitore, duke kapërcyer të gjithë dhe duke u pozicionuar e dyta.
Mundësitë e kualifikimit:
Çekia kualifikohet: Nëse barazon ndaj Moldavisë / Nëse fiton ndaj Moldavisë
Moldavia kualifikohet: Nëse mund Çekinë
Polonia kualifikohet: Nëse del e 3-ta më e mirë, Play Off.