Gjykata Sportive e Holandës këtë të enjte mori vendim për perjashtimin me dy vite të Marc Overmars nga çdo rol në futboll. Dy vite perjashtim, njëri prej tyre me kusht.
Shkak për këtë vendim është bërë sjellja e holandezit, i cili akuzohet se dërgonte foto erotike, seksuale punonjëseve në kohën kur ishte drejtor sportiv tek Ajaxi.
Në vendimin e gjykatës thuhet se “në shqyrtimin e sanksionit të duhur, komisioni disiplinor mori parasysh se çështja ishte shumë e publikuar, në dëm të të akuzuarit”, ku theksohet gjithashtu se “sjellja e papërshtatshme” e Overmarsit zgjati shumë dhe kishte disa raste të identifikuara.
Holandezi dha dorëheqjen në shkurt 2022 nga Ajaxi, por nënshkroi një muaj më vonë me Antwerpin, në Belgjikë.
Ish-sulmuesi holandez ka fituar Championsin me Ajaxin gati tri dekada më parë, si dhe ka luajtur për Arsenalin dhe Barcelonë. Overmars kishte qenë drejtor sportiv në klubin e Amsterdamit për një dekadë kur dha dorëheqjen.