Mediumi zviceran shkruan për shpërthimin e Zhegrovës

Edon Zhegrova ka munguar në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, pasi në të njëjtën kohë ishte në detyrë me klubin e tij francez Lille.

Por, ai nuk do të jetë as për ballafaqimin me Zvicrën të shtunën pasi nuk është ftuar nga trajneri Primoz Gliha dhe për këtë situatë, ai ka reaguar në rrjetet sociale duke hedhur akuza ndaj drejtuesve te Federatës së Futbollit të Kosovës dhe përgjegjësve të kombëtares për të cilët ka thënë se marrin vendime individuale dhe se bëjnë thashetheme e intriga kundër tij.

Për këtë situatë, ka shkruar edhe mediumi i madh zviceran “90 min”, duke e trajtuar si “problem serioz” te Kosova.

“Ka shumë zhurmë me kundërshtarin e radhës së Zvicrës, Kosovën, përpara duelit kualifikues në Bazel (e shtunë, ora 20:45). Në mes të gjithë kësaj është ish-lojtari i FCB-së, Edon Zhegrova. Futbollisti i Lille humbi ndeshjen kualifikuese kundër Izraelit (1-0) të dielën sepse ai ishte në aksion me klubin e tij në Ligue 1 kundër Toulouse në të njëjtën kohë. Megjithatë, anësori do të ishte në dispozicion për ndeshjet e ardhshme kundër Zvicrës dhe Bjellorusisë. Por tani Zhegrova mesa duket nuk ftohett më në kombëtare. “Nëse nuk vini për këtë lojë, atëherë harroni dy të tjerat. Ne nuk kemi nevojë për ju”, citon Zhegrova federatën në historinë e tij në Instagram.”, shkruan mediumi zviceran.

Ndryshe, Zvicra dhe Kosova do të ballafaqohen të shtunën në Basel.