Medai Shaholli
A është ky shqetësimi i shqiptarëve edhe sot se ‘Shqipëria do të bëhet kur toskët do bëhen me besë dhe gegët kur do vënë mend’, e thënë ndryshe kjo thënie epike e Fishtës për shqiptarët, duket se është shprehur në momente zhgënjimi dhe pakënaqësie me sjelljet dhe qënrdimet e shqiptarëve në marrëdhëniet mes tyre gjatë shekullit të kaluar.
Edhe sot kjo thënie tingëllon si këmbanë alarmi me përçarjet, grindjet dhe urrejtjen, bajraktarizmin dhe kapadahillëkun brenda shqiptarëve, ka bërë që të dështojë motoja e Rilindasve tanë si amanet për bashkim kombëtar, shpirtëror dhe kulturor mes shqiptarëve në hapësirën mbarëshqiptare.
A qëndron kjo goditje e rëndë e Fishtës si ‘romuz’ ndaj shqiptarëve të paudhë apo e ka fjalën për një lis me dy degë që nuk çelin në të njëjtën kohë dhe nuk rriten njëllojë?
Mos vallë Fishta stigmatizon në mënyrë figurative dy vëllezër shqiptarë ku njëri i bie kurdhës tjetri çekanit?
Akuza që i bënë Fishta shqiptarëve të pamoralshëm përmes kësaj shprehje me sarkazmën dhe ironinë e thellë për dy vëllezër, ku njëri është i pabesë ndërsa tjetri pa mend, paraqet gjendjen aktuale të kohës që përkon shumë me aktualitetin e sotëm dhe po atë disponim brenda shqiptar që mbretëron në gjithë hapësirën shqiptare.
Kjo është njollë e zezë për shqiptarët e kohës ku interesat lokaliste dhe bajraktarizmi si mentalitet kapërcenin çdo përpjekje të vockël të shqiparëve atdhetarë për mbrojtjen dhe ruajtjen e identitetit dhe dinjitetit kombëtar e deklamuar në mënyrë figurative nga një shkrimtar dhe poet apo nga një përfaqësues i klerit si Fishta kritik i veseve të ulta të shqiptarëve të kohës.
A mund të ketë patur të drejtë Fishta me ‘këtë dackë’ drejtuar shqiptarëve të kohës mendoj se është objekt i diskutimi për sociologët dhe historianët për ta vlerësuar atë përkufizim ngacmues si të drejt apo si akuzë e mosunitetit të shqiptarëve gjatë historisë.
Dhe së fundmi, një shekull më pas, po të ishte gjallë Fishta a do të përsëriste të njëjtën thënie se: A kanë sot toskët besë dha a kanë arritur gegët të vënë mend?