Drejtori i Barcelonës, Deco ka folur për të ardhmen e trajnerit Xavi Hernandez dhe të sulmuesit Robert Lewandowski.
Zyrtari i lartë i gjigantit katalunas insiston se “Blaugrana” janë të kënaqur me kontributin e dyshes, të cilën e shohin pjesë të ekipit dhe të projektit të tyre edhe në të ardhmen.
“Xavi e ka besimin tonë total, 200 për qind të garantuar. Nuk kam dyshime se ai është trajneri më i mirë për Barçën dhe për projektin e saj. Ai e pranoi sfidën duke ardhur në një moment të rëndësishëm dhe ai është trajneri perfekt për ta rindërtuar ekipin”, deklaroi Deco për “RAC1”.
“Lewandowski ka kontratë dhe ne jemi mjaft të lumtur dhe të kënaqur me të. Ai është njëri prej liderëve të ekipit”, vazhdoi ish-futbollisti i njohur portugez, i cili foli edhe për polemikat e fundit rreth një zënke mes Lewas dhe talentit Lamine Yamal.
“Jam i sigurt se nuk ka asnjë problem mes Lewandowskit dhe Lamine Yamal. Ai është i pari që do ta mbronte talentin tonë”, përfundoi Deco.