Shteti i Izraelit (hebraisht: Medinat Yisrael) është emërtimi zyrtar i vendit. Historia moderne e tij fillon në shekullin XIX kur fillon zgjimi i vetëdijes kombëtare të hebrenjve. Në rrethana ndërkombëtare të reja, pas dy luftërave botërore, kjo do të sjellë krijimin e shtetit të ri në Lindjen e Afërt.
Izraeli i lashtë – Në shkrimet historike, për herë të parë Izraeli përmendet në gurin e gdhendur të faraonit Merneptaha të vitit 1230 para K. Në shekullin X para K. u formua mbretëria e bashkuar e Izraelit e cila gjatë sundimit të Davidit, si kryeqytet e caktoi Jerusalemin. Zbulimet arkeologjike të viteve të fundit në një pjesë të Jerusalemit, të njohur si qytet i Davidit, dëshmojnë për ekzistimin e një pallati impozant të asaj periudhe të cilin arkeologia izraelite Eilat Mazar (Izrael, 1956 – 2021) e konsideron pjesë të rezidencës së Davidit. Pas vdekjes së mbretit Salomon me të cilin ndërlidhet ndërtimi i tempullit të parë çifut, të njohur si tempull i Salomonit, mbretëria e bashkuar izraelite shkatërrohet dhe krijohen dy shtete: Judea me kryeqytet Jerusalemin dhe Izraeli me kryeqendër Samarën.
Në atë periudhë historike Izraeli ka pasur pozitë dominuese dhe sipas shkrimeve asiriane, siç është Monoliti nga Karkari, ka qenë një prej aleatëve kryesorë të Asirisë. Monoliti i Moabitit ose Meshin është gur i gdhendur i lashtë i shekullit IX para K. dhe është shkrimi më i vjetër për Perëndinë e Izraelit Jahve, si dhe për luftërat që i ka zhvilluar Izraeli me popujt fqinjë. Në vitin 722 para K., Izraelin e shkatërroi Asiria, ndërsa dhjetë prej dymbëdhjetë fiseve izraelite u dërguan në robëri dhe u zhdukën në kontekstin historik.
Shteti i Judesë që përfshinte dy fise jugore, u shfaq si faktor i rëndësishëm në rajon në shekullin IX para K. Për dallim nga Izraeli verior, ku përveç jahvizmit ekzistonte edhe besimi politeist, jahvizmi, sidomos pas shkatërrimit të Izraelit, u bë tipar dominues i Judesë. Kulmin e vet, Judea e arriti gjatë sundimit të Ezekinit që shihet te ndërtimet arkitektonike impozante siç janë tuneli-akuadukti, muri mbrojtës i gjerë i Jerusalemit. Janë edhe shkrimet asiriane si p. sh. Portali për Lakishin. Shtetin e Judesë e shkatërroi Babiloni në vitin 586 para K. Pas rënies nën robërinë babilonase, popullsia e Judesë shpërngulet dhe atëherë fillon diaspora e parë e çifutëve. Pas pushtimit të Babilonisë nga Persia, popullsia çifute e shpërngulur, nën udhëheqjen e Ezrës dhe të Nehemisë, kthehet në Tokën Izrael. Në vitin 333 para K., rajoni i Judesë bie nën pushtetin grek, por pas kryengritjes së makabejve në vitin 165 para K., shtetësia çifute rivendoset. Atëherë formohet mbretëria e Hashmonejve, me Jerusalemin si kryeqytet. Mbretërinë e Hashmonejve e shkatërruan romakët në vitin 66 para K., ndërsa kryengritjet izraelite në vitin 70 dhe 135, përpos shkatërrimeve fizike, shkaktojnë edhe dëbimin e popullsisë çifute në mbarë botën. Kjo shënon fillimin e diasporës së dytë e cila do të marrë fund jo më parë se në shekullin XX.
Shënim: Davidi – Ishte mbreti i dytë i Mbretërisë së Izraelit dhe trashëgimtar i mbretit Shaul. Lindi në Bethlehem, vdiq në Jerusalem. Sundoi prej vitit 1005 para K. deri në vitin 965 para K. I bashkoi 12 fiset izraelite. Baba i tij ka qenë Jishaj nga Bethlehemi. E trashëgoi i biri Salomoni.
Sipas Biblës, Salomoni (Solomoni) ka qenë mbret i tretë i Izraelit dhe i çifutëve, bir i mbretit të Izraelit – Davidit dhe i gruas Urie Hetit, Bat-Sheba. Sundoi prej viti 970 deri në 931 para K. Vepër më e rëndësishme e tij është ndërtimi i tempullit të parë në Jerusalem në të cilin është varrosur Arkivoli i Aleancës me dy pllaka në të cilat kanë qenë të shkruara Dhjetë urdhrat e Zotit.
* * *
Zgjimi i vetëdijes çifute – Gjatë shekullit XIX, në radhët e çifutëve të Evropës fillon të gjallërohet identiteti kombëtar. Lind dëshira për t’u emancipuar dhe për t’u kthyer në Izrael. Kështu u krijua lëvizja e quajtur sionizëm. Themelues formal i saj konsiderohet Theodor Herzl (1860-1904). Lëvizja sioniste u formua në vitin 1897 në Bazel të Zvicrës ku u mbajt Kongresi i Parë i Sionistëve. Në këtë tubim u shpall edhe qëllimi – popullit çifut, në Palestinë t’i krijohet shtëpi, të garantuar nga e drejta publike. U themelua Organizata Sioniste Botërore (WZO). Lëvizja e mori emrin sipas kodrës në të cilën ndodhej Tempulli i Jerusalemit (Zion). Më vonë, ky emërtim simbolizonte Jerusalemin. Qëllimi i kësaj lëvizjeje ishte bashkimi i çifutëve në diasporë dhe kthimi i tyre në Palestinë.
Në fillim ishin në dilemë në duhej që atdhe i tyre të jetë Argjentina apo Palestina. Megjithëkëtë, në kongresin e sionistëve të mbajtur në vitin 1906 u vendos që atdhe i tyre të jetë Palestina. Emiri nga Meka, Sherif Husein (Sharif Hussein bin Ali, King of Hejza, Sharif of Mecca, Stamboll, 1853/4 – Aman, Transjordani, 1931) i cili në atë kohë merrej si udhëheqës i arabëve palestinezë, mbante letërkëmbim sekret me emisarin e lartë britanik në Egjipt, sir Henri MekMahon (sir Vincent Arthur Henry McMahon; Shimla, Indi, 1862 – Londër, 1949) kërkonte pavarësinë e plotë të vendeve arabe që ishin nën sundimin osman. MekMahon ia ktheu se Britania e Madhe e mbështet dëshirën për pavarësi të të gjithë popujve arabë nën pushtetin e Sherif Huseinit. Alivahu i parë (kthimi i çifutëve) ndodhi në vitin 1881. Shumë prej atyre që u kthyen ndërtuan vendbanime të reja çifutësh. Si rezultat i valëve të reja të atyre që ktheheshin, sidomos gjatë Luftës së Parë Botërore, numri i çifutëve sa vente rritej. Në vitin 1914 në Palestinë jetonin 60.000 çifutë (rreth 9% e numrit të përgjithshëm të popullsisë).
* * *
Rajonet gjatë Luftës I Botërore – Bisedimet e fshehta të zhvilluara gjatë shkurtit të vitit 1916 midis Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Italisë rezultuan me Marrëveshjen Sykes-Picot – të fshehtë, me të cilën pjesa e Perandorisë Osmane në Lindjen e Afërt – u nda. Derisa Rusia perandorake po shembej si pasojë e rrënimit ekonomik dhe e revolucionit bolshevik, ndërsa Amerika ende nuk ishte përfshirë në luftë në anën e Antantës, ministri britanik i Punëve të Jashtme Artur Balfur (Arthur James Balfour, 1848-1930), më 2 nëntor 1917 i dërgon letër përfaqësuesit të Federatës Angleze të Sionistëve, lordit Uolltër Rotshilld (Walter Rotschild, 1868-1937). Në letër e njofton baronin Rotshilld se qeveria britanike e shikon me sy të mirë krijimin e shtëpisë kombëtare të popullit çifut në hapësirën e Palestinës. Por, Balfuri thekson se në atë hapësirë nuk duhet bërë asgjë që do të çrregullonte statusin e bashkësive të tjera jo-çifute. Letra e Balfurit nuk nënkuptonte një brengë të madhe të Britanisë për popullin hebraik, por, si çdo gjë në historinë perandorake, ishte një përpjekje e paramenduar që me vendosjen e tyre në Palestinë, të siguroheshin interesat britanikë në atë rajon. Jerusalemin e shihnin si një qytet me pozitë strategjike ku kryqëzoheshin rrugët midis Evropës dhe Indisë, midis veriut dhe jugut. Në dhjetor të viti 1917 Britania e Madhe de facto fillon ta administrojë Palestinën si fuqi pushtuese. Shpejt pas kësaj, në vitin 1918, me forcat e bashkuara të britanikëve, të francezëve dhe të arabëve, turqit dëbohen nga Palestina.
Në Konferencën e Paqes në Versajë në vitin 1919, u mor vendim për të ardhmen e rajonit. Nga mandati i përcaktuar me marrëveshjen e Lidhjes së Kombeve, Palestina kalon nën tutorinë britanike të drejtpërdrejtë. Me të marrë mandatin Britania, 76% të Palestinës së Mandatuar e ndan dhe në atë territor e formon Transjordaninë. Në krye të saj e sjell këshilltarin e vet, Sherifin hashemit nga Meka, i cili e kishte humbur luftën për pushtet në Arabi kundër familjes Saud. Në Jordani edhe sot qeveris e njëjta familje mbretërore.
* * *
Periudha e pasluftës dhe Lufta II Botërore – Gjatë viteve ’20 dhe ’30 të shekullit XX dhe krahas vendosjes së hebrenjve dhe të arabëve në Palestinën e Mandatuar (Mandatary Palestine), shpërthejnë konfliktet dhe kryengritjet e arabëve palestinezë. Arabët çohen në kryengritje në vitin 1922 dhe në vitin 1929. Gjatë kryengritjeve arabe, britanikët kryesisht qëndrojnë mbanë, përkundër mandatit mbi Palestinën, të marrë nga Lidhja e Kombeve, për të formuar në atë territor shtëpi kombëtare për çifutët. Shembulli më i njohur i veprimit arab në këtë kryengritje është shkatërrimi i vendbanimit të lashtë çifut në Hebron në të cilin çifutët u kthyen pas luftës së vitit 1967. Sipas disa studiuesve, Britania fillon ta kufizojë vendosjen e çifutëve, por jo edhe të arabëve.
Ardhja e nazistëve në pushtet në Gjermani në vitin 1933 e intensifikon vajtjen e çifutëve në Palestinë. Arabët shkaktojnë trazira në Jerusalem dhe në Jafë (Jaffa). Arabët i kundërvihen ardhjes së çifutëve. Në vitin 1936 kundërshtimet e tyre u shndërruan në kryengritje. Britanikët e shuajnë kryengritjen vetëm pas tre vjetëve. Udhëheqësi i kryengritjes, myftiu i Jerusalemit Haxhi Amin al Huseini (Muhammed Amin al-Husseini; Jerusalem, 1897 – Bejrut, 1974) ikën në Berlin. Gjatë Luftës II Botërore, kreu i SS-ve dhe i Gestapos Hajnrih Himler (Heinrich Himmler, 1900-1945) e dërgoi atë në rajonet e Shtetit të Pavarur Kroat për t’i vizituar krerët e Hanxhar divizionit. Qeveria britanike e dërgon Komisionin Peel, nën udhëheqjen e lordit Robert Peel (William Robert Wellesley Peel, 1867-1937). Komisioni konstaton se mandati nuk funksionon më dhe rekomandon ndarjen e vendit në dy shtete – hebraik dhe arab dhe themelimin e zonës asnjanëse të shenjtë të cilin do ta administronte Britania.
Brenda dy vjetëve, Britania, me Hitlerin në pushtet në Gjermani dhe me Luftën II Botërore në prag të derës, e botoi “Librin e bardhë” në të cilin e kufizon dukshëm hyrjen e hebrenjve në Palestinë, duke i kufizuar imigrimet në pesë vitet e ardhshme, në 75.000 vetë. Hebrenjtë këtë e kanë parë si shkelje të Deklaratës së Balfurit dhe të mandatit.
Gjatë luftës kanë ndodhur shumë imigrime apo ardhje legale dhe jolegale dhe polarizime të mëtejme të të dy bashkësive. Gjatë holokaustit në Evropë, Britania e Madhe dhe ShBA-ja nuk i kanë pranuar emigrantët hebraikë, kështu që e vetmja shpresë e tyre ka qenë Palestina. Si rezultat i kësaj, në vitin 1947 hebrenjtë përbëjnë 33% të popullsisë së Palestinës. Ndër vite, hebrenjtë i kanë zgjeruar hapësirat e veta duke blerë toka edhe prej arabëve.
Popullata çifute: në vitin 1919 – 10%; në vitin 1939 – 29%; në vitin 1947 – 31%. Posedimi i tokës: në vitin 1918 – 2%; në vitin 1935 – 5,5%; në vitin 1947 – 6%.
Në vitin 1945, presidenti i ShBA-së e fton Britaninë t’i çelë dyert e Palestinës për 100.000 çifutë të cilët e kanë mbijetuar holokaustin si dhe përndjekjet e pasluftës nëpër Evropë.
* * *
Plani i viti 1947 i Kombeve të Bashkuara – Në vitin 1947 qeveria britanike kumton se ka ndërmend të heqë dorë nga mandati ndërsa çështjen e Palestinës t’ua lërë Kombeve të Bashkuara. Më 29 nëntor 1947, një komision i posaçëm miraton Rezolutën 181 dhe e propozon planin e mëposhtëm të ndarjes:
– Mandati britanik mbi Palestinën ndahet në dy shtete, arab dhe hebraik, të lidhur me union ekonomik, ndërsa zona e Jerusalemit vihet nën mbikëqyrje ndërkombëtare;
– Shteti hebraik do të përfshinte 55% të territorit (duke përfshirë edhe shkretëtirën Negev) me 498.000 hebrenj dhe kinse vetëm 497.000 banorë të bashkësive johebraike;
Disa të dhëna demografike të Kombeve të Bashkuara flasin për një raport më të keq për hebrenjtë, ngase sipas tyre, arabët do të duhej të përbënin 51% të popullsisë së Izraelit;
– Shteti arab do të përfshinte 45% të territorit me 807.000 banorë të bashkësive johebraike dhe me 10.000 banorë të bashkësisë hebraike;
– Zona e Jerusalemit do të kishte 105.000 banorë të bashkësisë johebraike dhe 100.000 hebrenj.
Hebrenjtë në Palestinë e pranuan Planin, ndërsa arabët palestinezë e refuzuan në tërësi për arsye se konsideronin se i tërë territori u takon atyre. Për ta kuptuar drejtësinë e pikëpamjes së tyre, nuk duhet harruar se hebrenjtë përbënin shumicë vetëm në rajonin e qytetit Jaffa, ndërsa në 15 rajonet territoriale të tjera, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1945 arabët kanë qenë shumicë.
Themelimi i shtetit të Izraelit – Më 14 maj të vitit 1948 përfundoi mandati britanik (British Mandate for Palestine). Po atë ditë u shpall shteti i Izraelit. Të nesërmen, shtetet arabe, në emër të mbrojtjes së vëllezërve të tyre arabë që iu nënshtruan spastrimit etnik të përgjakshëm, të kryer nga hebrenjtë, e sulmuan Izraelin. Spastrimi etnik kishte filluar në vitin 1947. Midis Izraelit, në një anë dhe shteteve arabe – Libanit, Sirisë, Egjiptit, Transjordanisë, Arabisë Saudite dhe Jemenit, në anën tjetër, shpërtheu lufta. Përkundër gjendjes së rëndë, ushtria izraelite u tregua superiore. Në luftën 7-mujore ushtria izraelite i mundi ushtritë arabe dhe vuri nën kontroll mbi 78% të pjesës së mbetur të Palestinës që ishte nën mandat. Judea dhe Samara ranë nën kontrollin transjordanik. Ato edhe i aneksojnë këto territore, duke marrë emërtimin Bregu Perëndimor, ndërsa Transjordania, pas kalimit të lumit, emrin e vet e ndërron në Jordani. Aneksimin e njohin Britania dhe Pakistani. Rripin e Gazës e merr dhe e anekson Egjipti.
Sipas vlerësimeve izraelite, nga rajonet që ishin nën kontrollin izraelit ikën apo u dëbuan rreth 520.000 vetë; sipas vlerësimeve arabe, kanë ikur apo janë dëbuar 900.000 vetë, ndërsa sipas të dhënave të KB-ve – rreth 720.000 vetë. Në të njëjtën kohë, nga shtetet arabe u dëbuan 800.000 deri në një milion hebrenj. Prej tyre, rreth 600.000 gjetën strehim në Izrael.
Luftërat pas viti 1948, Suezi (1956) – Nacionalizimi i kanalit të Suezit i dha pretekst Izraelit për ta sulmuar Egjiptin, me qëllim që të merrnin fund sulmet “terroriste” në kufi. Pas një trysnie të fuqishme të Amerikës dhe luftës afatshkurtër, Izraeli u pajtua të tërhiqet nga Sinai duke i premtuar atij se anijet izraelite në gjirin Akabsk nuk do të sulmohen nga Egjipti dhe do të lundrojnë pa pengesa.
Lufta gjashtëditëshe e vitit 1967 – Deri në fund të vitit 1966, konfliktet midis Izraelit dhe fqinjëve arabë morën përmasa serioze. Dënimi i incidenteve nga KB-të, ishte joefektiv. Kur kryetari i Egjiptit Gamal Abdel Naser (Gamal Abdel Nasser, 1918-1970) e mbylli për lundrim gjirin Akabsk, tensionet politike arritën kulmin. Naseri i zhvendosi forcat egjiptiane afër kufirit. Për të parandaluar çfarëdo sulmi arab, Izraeli goditi i pari dhe forcat egjiptiane i shkatërroi qysh në baza. Me të asnjanësuar (neutralizuar) Egjiptin, Izraeli sulmoi Jordaninë dhe Sirinë në rajonin e Judesë dhe të Samarës, përkatësisht të Bregut Perëndimor. Vuri nën kontroll edhe rrafshnaltën e Golanit.
Brenda më pak se një jave, Izraeli ia mori Egjiptit rripin e Gazës dhe tërë Sinain. Jordanisë ia mori bregun perëndimor, ndërsa Sirisë ia zaptoi rrafshnaltën e Golanit. Pasoi Rezoluta e Këshillit të Sigurisë të KB-ve, e cila bazohej në parimin e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe si dhe në parimin “territor për paqe”. Si kompensim për paqen, Izraelit i kërkohej të tërhiqet nga pjesë të caktuara të territoreve të pushtuara (brenda kufijve të sigurt dhe të mbrojtshëm).
* * *
Lufta e tetorit të vitit 1973 – Më 6 tetor të vitit 1973, me një sulm të befasishëm, ushtria egjiptiane e kaloi kanalin e Suezit, por kur tentoi ta rikthejë befasishëm Sinain, sakaq pësoi disfatë. Efekti psikologjik i fitores iniciale të Egjiptit në luftë, bëri të mundur vizitën historike të kryetarit Anvar el-Sadat (Muhammad Anwar el-Sadat, 1918 – atentat në Kajro më 1981) në Izrael në vitin 1977 dhe bisedimet e paqes që arritën kulmin me marrëveshjen në Kemp Dejvid të ShBA-së.
Marrëveshja e Kemp Dejvidit (Camp David) u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë më 17 shtator 1978 nga kryetari i Egjiptit Anvar el-Sadat (1918-1981) dhe nga kryeministri i Izraelit Menahem Begin (Menachem Begin; Brest, Bjellorusi, 1913 – Tel Aviv, 1992), pas 12 ditë bisedimesh të fshehta në Kemp Dejvid. Bisedimet u zhvilluan nën patronazhin e presidentit të ShBA-së Xhimi Karter (James Earl “Jimmy” Carter Jr., 1924- ). Sipas kësaj marrëveshjeje, Izraeli, Egjipti dhe ShBA-ja janë dakord që Izraeli të tërhiqet nga Sinai, Izraeli dhe Egjipti do t’i normalizojnë marrëdhëniet, ndërsa marrëveshja do të ndërlidhet me bisedimet për autonominë e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe në rripin e Gazës. Këtu s’kemi të bëjmë drejtpërsëdrejti me çështjen palestineze.
* * *
Aneksimi i rrafshnaltës së Golanit në vitin 1981 – Në vitin 1981 qeveria izraelite miratoi ligj sipas të cilit Izraeli edhe zyrtarisht e anekson rrafshnaltën e Golanit.
OÇP-ja (PLO) në Liban – Organizata për Çlirimin e Palestinës (OÇP), pas përpjekjes së dështuar të puçit në Jordani, zhvendoset prej aty dhe vendoset në Liban. Atë e përdor si bazë për sulme ndaj Izraelit. Në vitet 1978 dhe 1982, ushtria izraelite e sulmon Libanin dhe hyn në të. Prej aty tërhiqet kah fundi i vitit 1982 por në jug të vendit e ka ruajtur kontrollin mbi rripin prej dhjetë miljesh. Si pasojë e aksionit izraelit, OÇP-ja largohet nga Libani dhe forcat e veta i vendos në Tunizi.
Intifada e parë – Në dhjetor të vitit 1987 fillon kryengritja si një shpërthim spontan i protestës së palestinezëve në rajonet e zaptuara, kundër pushtimit njëzetvjeçar. Intifada filloi kur fëmijët dhe të rinjtë dolën në rrugë duke hedhur gurë dhe bomba ndezëse ndaj ushtarëve izraelitë si dhe kur u bë thirrje për grevë të përgjithshme. Me këtë protestë palestinezët deshën të tregojnë se nuk janë popull i armatosur, por thjesht, duke hedhur gurë dhe duke organizuar demonstrata e greva mund t’u shkaktojnë hebrenjve dëme të konsiderueshme. Besohet se intifada ka ndikuar që në vitin 1991 të fillojë në Madrid procesi i paqes. Protesta përfundoi në shtator të vitit 1993.
Shpallja e shtetit të Palestinës – Më 15 nëntor 1988, në mbledhjen e mbajtur në Algjer, Këshilli Kombëtar Palestinez shpalli Deklaratën e pavarësisë, duke themeluar me këtë shtetin e Palestinës në rajonet e pushtuara. Po atë ditë, Jordania hoqi dorë nga Bregu Perëndimor në favor të palestinezëve, për arsye se në atë territor shumica e popullsisë ende ishin të kombësisë palestineze. Shpallja e Palestinës nënkuptonte njohjen e Rezolutës 181 të KB-ve, d.m.th. ndarjen e territoreve nga viti 1947, miratimin e parimit të ndarjes, pajtimin që çështja të zgjidhet me formimin e dy shteteve dhe heqjen dorë nga terrorizmi. Sakaq, shtetin palestinez e njohën 55 shtete. Në prill të vitit 1989 qeveria izraelite reagoi me propozimin për zgjedhje të lira në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës që do të çonin në vetëqeverisje kalimtare.
Kuvajti dhe Lufta e gjirit – Është thënë se Iraku nuk e ka sulmuar Kuvajtin për ndonjë kontest kufitar apo për naftë, por për t’u bashkuar të gjithë arabët dhe që forcat e tyre të përqendrohen në luftë kundër Izraelit. Mbështetja që i dha Jaser Arafati invadimit të Kuvajtit nga Iraku, ndikoi që zgjidhja e çështjes palestineze të zvarritet vite me radhë.
Te Sadam Huseini (Saddam Husein, 1937-2006), palestinezët shihnin njeriun e fuqishëm i cili ka forcë dhe guxim t’u bëjë ballë Izraelit dhe ShBA-së.
Jaser Arafati (emri i vërtetë Muhammad Yasir ‘Abd al-Rahman ‘Abd al-Ra’uf ‘Arafat; Kajro, 1929 – Paris, 2004) ka qenë politikan palestinez, një prej organizatorëve të Fatahut, organizatës ushtarake më të fuqishme brenda Organizatës Çlirimtare Palestineze (PLO) dhe kryetar i saj prej viti 1968 deri në vdekje.
Procesi paqësor në Madrid në vitin 1991 – Në vitin 1991, me nismën amerikane u mbajt në Madrid një konference treditore. Izraeli nuk e njihte OÇP-në (PLO-në). Për këtë arsye, palestinezët ishin të përfshirë si anëtarë të delegacionit jordanez, por mund të vepronin si të pavarur. U zhvillua një debat i shtruar, sidomos rreth formulës “territor për paqe”. Të dyja palët ranë dakord që bisedimet t’i vazhdojnë në muajt e ardhshëm. Grupet e skajshme (ekstremiste) palestineze si Hamasi dhe Xhihadi Islamik e dënuan procesin si “shitje të Palestinës”, ndërsa për nënshkrimin e Marrëveshjes, Arafatin e braktisi aleati dhe këshilltari shumëvjeçar i tij – Eduard Said.
Eduard Said (Edward Wadie Said; Jerusalem, 1935 – Nju-Jork, 2003) ishte akademik palestinez-amerikan, profesor i anglishtes dhe i letërsisë krahasuese në Universitetin Kolumbia të Nju-Jorkut; veprimtar politik; magjistroi dhe doktoroi në Harvard; mbrojtës i të drejtave të palestinezëve dhe kritikues i sionizmit. Mbështeste OÇP-në (PLO-në) e Jaser Arafatit prej të cilit u nda në vitin 1991.
Oslo I – Gjatë procesit të Madridit, me ndërmjetësimin e qeverisë norvegjeze filluan bisedimet sekrete në Oslo që u finalizuan me Marrëveshjen Oslo I, të nënshkruar në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë më 13 shtator 1993 nga kryeministri izraelit Jicak Rabin (Yitzhak Rabin, 1922-1995) dhe nga armiku shumëvjeçar i tij Jaser Arafat. Me marrëveshjen parashikohej tërheqja shkallëzore (graduale) e Izraelit nga Gaza e Xherikoni (Jerihon) dhe dorëzimi i qeverisjes Vetadministrimit Palestinez. Suksesi më i madh ishte njohja e OÇP-së si përfaqësuese e palestinezëve. Në anën tjetër, OÇP-ja e njohu formalisht të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, ndonëse ende nuk e ka ndryshuar kartën në të cilën apelon për zhdukjen e Izraelit.
Në vitin 1994, Jicak Rabini bashkë me ministrin izraelit të Punëve të Jashtme Shimon Peres (Vishnyeva, Bjellorusi, 1923 – Sheba, Izrael, 2016) dhe me Jaser Arafatin, morën çmimin “Nobel” për paqe. Në një tubim paqeje të mbajtur më 4 nëntor 1995, Jicak Rabini u vra nga ekstremisti izraelit Jigal Amir (Yigal Amir, 1970- ). Vdekja e tij ishte një humbje e pazëvendësueshme për procesin e paqes në Lindje të Mesme.
Ndër palestinezë kishte të tillë që iu kundërvunë marrëveshjes fuqimisht. Kjo shkaktoi ndërmarrjen e akteve të cilësuara si terroriste që manifestoheshin me sulme vetëvrasëse ndaj objektivave civile nëpër autobusë, restorante etj.
Oslo II – Në shtator të viti 1995 pasoi Marrëveshja Oslo II e cila i zëvendësoi të gjitha marrëveshjet e deriatëhershme. Bregu Perëndimor u nda në 4 zona, ndërsa propozimi ishte i papranueshëm, si për palestinezët, ashtu edhe për izraelitët. Pasojë e marrëveshjes ishte vrasja e Jicak Rabinit.
Vazhdimi i konfliktit – Për të arritur një zgjidhje përfundimtare për konfliktin midis dy popujve, në korrik të viti 2000 presidenti Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946- ) i priti në Kemp Dejvid kryeministrin izraelit Ehud Barak (1942- ) dhe kryesuesin e Vetadministrimit Palestinez Jaser Arafat.
Sipas palës izraelite, palestinezët i kanë refuzuar lëshimet zemërgjera të hebrenjve, ndërsa sipas palës palestineze, Izraeli nuk ka ofruar sa duhet.
Gjatë fushatës parazgjedhore për kuvendin izraelit Kneset, udhëheqësi i partisë Likud Ariel Sharon (Ariel “Arik” Sharon, 1928-2014), më 28 shtator të viti 2000, i shoqëruar prej njëmijë policëve, i vizitoi gërmadhat e Tempullit të Dytë hebraik në Kodrën e Tempullit në Jerusalem. Me këtë rast deklaroi se Izraeli kurrë nuk do të heqë dorë nga e drejta ndaj Kodrës së Tempullit. Palestinezët e shfrytëzuan këtë për ta ndërmarrë intifadën (rebelimin, protestën) e dytë apo intifadën al-Aksa që vazhdon edhe sot. Palestinezët dolën nëpër rrugë për të protestuar. Protestat bëheshin gjithnjë më të dhunshme. Vazhduan edhe sulmet vetëvrasëse me bomba, të filluara në vitin 1994. Sipas të dhënave të caktuara, prej sulmeve të tilla kanë gjetur vdekjen shumë civilë izraelitë. Në sulmet ndaj kolonëve hebraikë janë përfshirë edhe pjesëtarët e Hamasit. Izraelitët ndërkaq ushtrojnë trysni ndaj palestinezëve duke ua kufizuar lëvizjen dhe duke ua mbyllur kufijtë.
* * *
Mosarritja e një marrëveshjeje racionale midis dy popujve, që nënkupton krijimin e dy shteteve dhe njohjen e ndërsjellë, solli tmerrin që tronditi mbarë botën.
Xhelal Zejneli