Kombëtarja e Kosovës ka regjistruar fitoren e dytë në kuadër të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Të përzgjedhurit e Primoz Gliha triumfuan sonte ndaj Izraelit, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”. Gjendja e fushës së stadiumit ishte e rënduar dhe pati kritika rreth saj.
Gjithsesi, kjo përballje prodhoi një gol dhe tri pikë për “Dardanët”, duke u mbyllur me rezultatin 1:0.
Golin e fitores e shënoi Milot Rashica, në minutën e 41-të. Ai u asistua nga Vedat Muriqi.
Kosova pati edhe raste tjera shënimi, me Rashicën, Muriqin e Krasniqin, por që nuk ia dolën t’i konkretizonin me gol.
Izraelitët nuk është se treguan ndonjë rrezik serioz shënimi. Krejt në fund ata mbetën me një futbollist më pak, pasi Revivo u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë.
Kosova mbetet e katërta në Grupin I, tani me 10 pikë të grumbulluara.
Izraeli është i treti me një pikë më shumë.
“Dardanët”, që kanë ende gjasa të pakta matematikore për kualifikim historik, më 18 nëntor zhvillojnë ndeshjen e radhës, në udhëtim ndaj Zvicrës.
Kosova e mbyll në shtëpi ciklin kualifikues me ndeshjen ndaj Bjellorusisë, më 21 nëntor.