Katandisja e reisit Fetahu dhe e BFI-së

Shkruan Rehan Neziri

Reisi i BFI-së në RMV, Shaqir ef. Fetahu, i përjeton përpëlitjet e fundit të karrierës së tij shterpe pas rrëzimit të ish-reisit Sulejman ef. Rexhepi. Ai „erdhi“ (në fakt u soll) me premtimin se do ta ndryshonte BFI-në, të cilën e kishte katandisur keq mulla Sula.

Por, Shaqir ef. Fetai, brenda tre vjetëve nuk mundi ta lëvizë asnjë gurë më tutje se ç’kishte bërë reisi paraprak. Ai kurrë nuk mundi të çlirohet nga vetëpëlqimi marramendës, që shihet në dashurinë e tij për t‘u fotografuar edhe në rast xhenazeje, ku do të duhej të shprehej keqardhja dhe pikëllimi për të vdekurin dhe familjen e tij dhe të mos i bënte reklamë vetvetes edhe në këso raste. Mbi një vjet e tepër pas „zgjedhjes“ për reis ai priti e përcolli çdokënd në zyrën e tij, madje duke porositur dhe insistuar në forma të ndryshme që njerëzit të shkonin t’ia bënin për hajr reisllëkun, me çka tentonte që me çdo kusht ta legjitimonte vetveten, sepse e ndiente mungesën e saj dhe të fuqisë që nuk e kishte. Ai e di mirë se si u përgatit terreni për shkarkimin e ish-reisit, e di mirë si u zgjodh për reis, e di mirë se politika shtetërore maqedonase e ka sjellë aty ku është sot dhe mbahet si kukull për hesape të pista maqedone dhe ortodokse, pa çka se në dëm të komunitetit shqiptar musliman.

Tani, si „i plotfuqishmi“ i Maqedonisë së Veriut, jo vetëm i BFI-së, sepse kjo për të tanimë është shumë e vogël, duke marrë parasysh lidhjet e tij të thella me mbitokën e nëntokën atje, shkarkon drejtorë të sektorëve të ndryshëm dhe myftilerë të vyeshëm.

Po, ai ndoshta ka të drejtë sipas kushtetutës së BFI-së që ta bëjë këtë, një kushtetutë e hartuar nga reisi paraprak që mendonte se ishte i pazëvendësueshëm dhe i pavdekshëm, dhe të cilën ky i tanishmi do të duhej ta kishte ndryshuar para se të shkonin në zgjedhje në vitin 2020, një kushtetutë që nuk e gjen dot as te web faqja zyrtare e BFI-së. Ky, as që ka mundur, as që ka ditur dhe as që ka dashur ta ndryshojë Kushtetutën, në të cilën ndër të tjera, për fat të keq, definohet qartë se si hyhet në BFI, por jo edhe si dilet. Aty nuk ka afate, sa zgjat mandati i një posti, aty ka vetëm „deri sa ta mbajë abdestin“. Po, po, derisa nuk është i aftë për asgjë, me kusht që të jetë i dëgjueshëm, servil e aminxhi. Përndryshe „sistemohet“ ose përjashtohet.

I mbështjellë me euforinë dhe me aureolën e të gjithpushtetshmit brenda BFI-së, që ia japin servilët të cilët pajtohen me „një asht“ dhe ata të kapurit me shuma të mëdha parash, të destinuara nga diaspora e gjetiu për BFI-në, por që kanë përfunduar në xhepa privatë të tyre, mbase edhe të ndara midis harambashëve, dëshiron ta luajë rolin e të fuqishmit duke i përjashtuar dhe, sipas tij, duke i „sistemuar“ ata që mendojnë ndryshe, që kanë guximin ta thërrasin madje edhe kreun e BFI-së në përgjegjësi dhe llogaridhënie për mospunën e tij, ata që me punën dhe angazhimin e tyre kanë dëshmuar se janë për ngritjen e institucionit të BFI-së e jo për ngritjen e vetvetes nëpërmjet BFI-së.
Njeriu me vetëdije dhe me vetëbesim të ulët, çdo zë a mendim tjetër e merr për nënçmim dhe sulm ndaj vetvetes. I këtillë është Shaqir ef. Fetahu. Fillimisht ai u magjeps me vetveten se „ja, përfundimisht, u bëra reis“, e pastaj u zhgënjye po ashtu me vetveten, sepse nuk dinte çka t‘i bënte këtij „nderi të madh“. Thjesht, reisllëku i mbeti në fyt.

Këtë ngërç personal të tij, tani po përpiqet ta mbulojë me shantazhe, përjashtime, sistemime e shkarkime të figurave kyçe të BFI-së, siç është drejtori i Medresesë Ibrahim ef. Idrizi, drejtori i sektorit fetar-arsimor Jusuf ef. Zimeri e të tjerë dhe tani edhe myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani ef. Nesimi dhe ai i Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani.

Po, Shaqir ef. Fetahut, mendimet dhe vizionet ndryshe të këtyre njerëzve i kanë ngelur në fyt, nuk ka ditur si t‘i gëlltisë, si t’i artikulojë e si t’i marrë parasysh, sepse i ka munguar edhe fuqia intelektuale edhe ajo burrërore. Në vend të ruajtjes së kompaktësisë brenda institucionit, me mendime pro e kontra, ai e ka zgjedhur rrugën më primitive, atë të krijimit të taboreve brenda BFI-së: në të dëgjueshëm dhe rebelë. Si duket, në këtë punë djallëzore ai është shumë i suksesshëm.
Ai ka vuajtur dhe akoma vuan nga kompleksi i inferioriterit dhe nga e ashtuquajtura perëndi „se çka do të thonë të tjerët“. Shpeshherë e ka thënë se si do të hyjë në Çegran i korritur, pa fytyrë, sepse ai fytyrë e di vetëm atë pjesë të përparme të kokës që e shohin të tjerët, ani se korritet me kolegët, ani se korritet me burrërinë e tij të cunguar, ani se e merr në qafë BFI-në, ani se korritet me Zotin.

Atij nuk i pengoi dhe kurrë nuk u prononcua personalisht kundër thënieve dhe dokumenteve që u publikuan në media të ndryshme se ai, në të kaluarën e tij, ka qenë spiun i UDB-së.
Vetë në moshë pensionimi, edhe pse e tejkaluar, ai me ceremoni demonstrative i përcjell në pension kolegët e tij nga BFI-ja. Një hije që dëshiron t‘ia bëjë vetvetes. Mesazhi është i qartë: „Mua mos më ngucni, sepse kam punë të mëdha për të kryer. Pa mua nuk bëhen ato, pa mua shkatërrohet institucioni i BFI-së.“ Eh, sa e sa varre janë të mbushura me njerëz që thonin se bota do të përfundonte pa ta, që pretendonin se ishin të pazëvendësueshëm e të pavdekshëm. Pikërisht këta u harruan nga të gjallët brenda tri ditëve dhe nuk u përmendën më.

BFI-ja ka nevojë të reformohet nga koka e deri në rrënjë
E para e së parës është ndryshimi i kushtetutës së saj, i sistemit zgjedhor brenda saj, i futjes së demokracisë në këtë sistem zgjedhor, duke nisur nga mutevelinjtë (kryetarët e këshillit) e xhamisë, duke kaluar te myftilerët e deri te reisi.
Duhet të definohen qartë dhe në mënyrë demokratike afatet e mandateve të të gjitha posteve brenda BFI-së, e jo të rrinë aty „deri në vdekje“. Duhet të ketë dallim midis vendeve të punës dhe posteve.
Duhet të rritet përgjegjësia në punë dhe transparenca në financa. Përderisa BFI-ja financohet nga xhemati vendas dhe ai i diasporës, e jo nga shteti – që do të duhej të ishte një hap tjetër gjigant i BFI-së, udhëheqësit e saj duhet të japin llogari përpara financuesve të tyre, sepse ata janë zotërinjtë e vërtetë të BFI-së, e jo të sillen si kapadainj ndaj tyre.

Duhet të rregullohet akreditimi i Medresesë e jo t’i hiqet emri shkullor i saj „Isa Beu“ dhe ajo të shndërrohet në një gjimnaz orientalistik, siç po lëshon pe, apo siç nuk po e kupton, reisi aktual me klikën e tij.
Duhet të rritet cilësia në arsimin fetar në të gjitha nivelet, duke i përthithur kuadrot e arsimuara në qendra të ndryshme të botës, e jo duke i anatemuar dhe larguar më të mirët e saj nga institucionet e BFI-së.
Duhet të kujdeset për rikthimin sa më të plotë të vakufeve, e jo të bëhen pazare me politikanë të caktuar, vetëm e vetëm për ta denigruar myftiun e zonës ku ndodhet vakufi e për ta sjellë në vathë myftiun „e padëgjueshëm“. Reisi aktual është i gatshëm të bëjë pazare edhe me djallin, vetëm e vetëm që një myfti i këtillë të mos ketë sukses në rikthimin e vakufeve, sepse sukseset e të tjerëve nuk e gëzojnë atë, pasi shpirti i tij mendon se BFI-ja është pronë e tij private. Për reisin aktual suksesi i kolegëve dhe i bashkëpunëtorëve është halë në sy, përderisa nga ai sukses nuk përfiton edhe ai, materialisht ose shpirtërisht.

Duhet të kujdeset për jetën fetare, shpirtërore dhe materiale të muslimanëve dhe t‘i përfaqësojë ata në mënyrë të denjë në të gjitha instancat, brenda dhe jashtë vendit. Çfarë mjerimi është kur e shikojmë reisin tonë aktual se si shkon në seminare dhe simpoziume të ndryshme si dëgjues, pa thënë asnjë fjalë përshëndetëse madje, e jo më deklaratë serioze apo të shtjellojë ndonjë temë shkencore. Dorën në zemër: fotot e shumta nga aeroportet, restorantet, byrektoret, kafenetë e qosheve të sallave të konferencave nuk i mungojnë.
Këto dhe punë të tjera madhore që e presin BFI-në, nuk mund t‘i kryejë reisi aktual që tanimë do të duhej të ishte pensionuar dhe as struktura aktuale e Rijasetit të BFI-së tanimë të katandisur. Ai nuk e ka as kapacitetin për këtë, por as edhe vullnetin, sepse është duke u vetëkënaqur në konforin që e ka krijuar brenda BFI-së, falë politikanëve sllavo-maqedonas dhe falë servilëve e të kapurve brenda radhëve të tij, gjë të cilën ai me emra e mbiemra e ka deklaruar vetë brenda mureve të BFI-së. Nëse nuk është kështu, atëherë ai e ka për borxh ta thotë haptas se ka gënjyer dhe shpifur ndaj bashkëpunëtorëve të tij, po nëse është e vërtetë, atëherë është dashur që ata fillimisht t’i „sistemojë“ e jo t’i shpërblejë me poste të tjera.

Nga ta shikosh, zi e më zi. (Me këtë rast, nuk kam fjalë se si ta shpreh pezmatimin dhe zhgënjimin tim të thellë kundrejt angazhimit me mish e me shpirt të ish-mikut tim, që të vijë në krye të myftinisë së Tetovës, duke tentuar kështu ta largojë mikun e jetës, të studimeve po edhe të shtëpisë nga posti i tij. Nuk e di me çfarë fytyre dëshiron të bëhet myfti i Tetovës, kujt do t’i shesë Islam e fetva?! Mjerim mbi mjerim).
Shaqir ef. Fetahu ka edhe një siklet tjetër: edhe ata që sot duket se ia mbajnë anën, janë duke ia rrëmihur tokën nën këmbë. Ai e di këtë dhe kjo po ia shton metastazën e vrerit në vetvete.
Kështu që, në vend që të largojë e shkarkojë punëtorë të zellshëm nga BFI-ja, ai duhet të bëhet burrë dhe të vetëlargohet me fytyrën që i ka mbetur, me çka do ta çlirojë vetë BFI-në nga Shaqir ef. Fetahu dhe nga rrethi vicioz ku është futur BFI-ja.
Më së miri që e ka njohur reisin aktual, si duket ka qenë ish-reisi mulla Sula, i cili në një televizion tha: „Shaqir Fetahu nuk e nxjerr dot macen nga përsheshi“.
Shaqir ef. Fetahu, me sjelljet dhe me lojërat e tij të pista, na çon t‘i këndojmë rahmet për së gjalli mulla Sulës!

Për fund, dikush mund të pyesë se çka kam unë si një hoxhë që jetoj në diasporë të përzihem në punët e BFI-së?! Po e sqaroj: nga i njëjti reis, nga i njëjti drejtor për diasporë, nga e njëjta BFI në vazhdimësi kërkohet prej nesh imamëve që zeqatin, fitrat, kurbanat dhe kontributet e tjera financiare t’i destinojmë për në BFI. Këtë e kemi bërë me nder, sa kemi mundur, sepse pavarësisht personave që e udhëheqin atë, ne ia kemi ditur për borxh Medresesë „Isa Beu“ dhe popullit musliman që e ka mbajtur në këmbë këtë institucion të dritës që po fiket gradualisht. Në vazhdimësi na kërkohet t’i ruajmë lidhjet me vendlindjen dhe me BFI-në, dhe kjo për ta ka nënkuptuar thuajse gjithmonë vetëm rrjedhjen e parave të xhematlinjve tanë të zellshëm këtu në diasporë, që po mbajnë nga dy-tre vende pune për ta siguruar familjen e vet këtu, familjarët në vendlindje, xhamitë këtu dhe xhamitë në vendlindje, bashkësitë fetare islame këtu dhe ato në vendlindje. Pikërisht, në emër të bujarisë dhe fisnikërisë së këtyre njerëzve tanë, marr guximin ta shpreh zhgënjimin tim me udhëheqësit e BFI-së dhe të kërkoj llogari, sepse ne imamëve na kanë vënë në mes si në sanduiç dhe na kontaktojnë sa herë që u shterret grazhdi.

Autori i shkrimit Rehan Neziri është Imam në Xhaminë e Kreuzlingenit në Zvicër

09.11.2023