Koment: TetovaSot
Fenomeni ASH është më i çuditshmi në skenën politike në Maqedoni dhe në fakt duket se janë dy ASH brenda një subjekti. Njëra që plotëson apetitet e disa individëve për pushtet dhe tjetra që do të bëjë opozitën duke qenë fund e krye brenda pushtetit, por që kanë një grimcë opozitarizmi megjithëse shumë kundërthënëse.
Që të dyja këto bashkë po e dërgojnë këtë subjekt drejt një turpi që tashmë ka dalë në shesh.
ASH-ja së fundmi duket si nusja që dëshiron të jetë e virgjër natën e martesës, por në të gdhirë kjo s’mund të jetë kështu.
Është një subjekt që e ka dehur pushteti dhe për të vjelë vota meqë vijnë zgjedhjet e reja, do të bëjë opozitën brenda qeverisë duke dalë blof sepse po merret me pushtetin në të cilin fund e krye është edhe vetë.
Është pra ankthi që e krijoi vetë dhe tani nuk mund më të çlirohet prej saj.
Partia e Taravarit ka mbetur pezull, as në qiell e as në tokë.
Ajo që dihet është se ASh-ja është pjesë e ekzekutivit.
Bëhet se e do ndryshimin dhe atë mundësi e ka sepse është në pushtet, atëherë çfarë pushteti tjetër kërkon që ta bëjë të njëjtin ndryshim?!
Sado që nusja mund të kërkojë të jetë e virgjër natën e parë të martesës kjo është e pamundur, është një rregull i pashkruar se duhet të shkojë drejt mbarështrimit.
ASH një fakt duket se nuk e qartëson dot, pra faktin që kur bëhesh pjesë e pushtetit je fund e krye me pushtetin nuk mund të jesh në pushtet e të thuash sjam në pushtet ose je ose dil, dhe akoma më keq që në momentin që nuk e di çka je është më keq se sa të jesh me pushtetin.
ASH po e humb identitetin dhe ky është një çmim që mund të paguhet shtrenjtë në zgjedhjet e radhës sepse nuk të beson më kush se je opozitë kur po e mjelë qeverinë me gjitha benifitet që të jep ajo.
ASH është një parti e dyzuar dhe nuk është duke e kuptuar nëse e dëshiron pushtetin në të cilin është apo opozitën.
Këtu janë dy pjesë e këtij subjekti.
Të parët që janë duke përfituar dhe s’mund t’i lëshojnë nga duart gjithë këto “salltanate” dhe është edhe pjesa tjetër e mbetur që nuk janë në poste dhe natyrshëm e duan opozitën.
Por që të jesh në pushtet dhe ta kritikosh atë, me automatizim e kritikon vetveten, atëherë ky fenomen ndodhë vetëm në ASH.
Qeveria është tërrësi dhe nuk ka qeveria ime dhe ajo e ytja. Nuk ka pjesa ime është perfekte dhe pjesa tjetër e pushtetit është e zezë. Ose është prefekte ose është e zezë.
Ky subjekt i pushtetit dhe i opozitës bashkë, tashmë shkon në dy drejtime.
Njëri që udhëhiqet nga Sela dhe Lloga që e duan pushtetin dhe tjetri nga Taravari me grupën e tij që e duan pushtetin por e ëndërrojnë opozitarizimin.
Dhe çuditërisht sërish kthehemi tek ajo që i bie që nusja natën e martesës dëshiron të hyjë në shtrat me burrin, por të ngelet e virgjër njëkohësisht.
Por a mund të ngelet e Virgjër nusja? Kjo pyetje për drejtuesit e ASH-së edhe mund të jetë!