Shkëlqejnë Çuni dhe Arijon Ibrahimovic, ia dhurojnë fitoren Frosinones me golat e parë në Serie A

Frosinone ka regjistruar fitore ndaj Empolit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të në Serie A.

Ndeshja e zhvilluar sonte në stadiumin “Benito Stirpe” përfundoi me rezultatin 2:1,.

Dy sulmuesit shqiptarë, Marvin Çuni dhe Arijon Ibrahimovic, shënuan golat e fitores për Frosinonen. Për të dy ishte hera e parë që shënojnë në elitën e futbollit italian.

Çuni realizoi në minutën e 58-të me asistimin e Ibrahimovicit. Çuni, që është i lindur në Gjermani, përfaqëson Kombëtaren e Shqipërisë.

Madje, 22-vjeçari debutoi muajin e kaluar me Kombëtaren A shqiptare, në miqësoren ndaj Bullgarisë.

Edhe Ibrahimovic është i lindur në Gjermani, por ka prejardhje nga Kosova. 17-vjeçari përfaqëson Gjermaninë. Ai së fundmi ka luajtur edhe për Gjermaninë U19.

Arijon Ibrahimovic golin sonte e shënoi në minutën e 74-t.

Për Empolin autor i golit ishte Francesco Caputo, që shënoi në minutën e 86-të. Etrit Berisha dhe Ardian Ismajli kompletuan tërë ndeshjen, kurse minuta nuk pati për Stivi Shpendin.

Frosinone pas kësaj fitore ka 15 pikë dhe ndodhet në pozitën e 11-të, kurse Empoli renditet i parafundit (19) me vetëm 7 pikë të grumbulluara.