Chelsea ia shkakton humbjen e parë Tottenhamit në derbin e “nëntë” golave e dy kartonëve të kuq

Tottenham Hotspur e ka regjistruar humbjen e parë të këtij sezoni në Premierligë.

Skuadra e drejtuar nga Ange Postecoglou pësoi humbje sonte në derbin ndaj rivalit lokal, Chelsea, të vlefshëm për javën e 11-të.

Tottenhami pësoi humbje në shtëpi me rezultatin 1:4, në një ndeshje që prodhoi thuajse gjithçka.

Spurs kaluan të parët në epërsi me golin e Dejan Kulusevskit (6’). Epërsinë e dyfishuan pas tetë minutave përmes Heung-min Son, por që goli i tij u anulua nga VAR-i për shkak të pozitës jashtë loje.
Chelsea pastaj shënoi dy gola përmes Raheem Sterling (21’) dhe Moises Caicedo (28’), por që u anuluan nga VAR-i. E para për shkak të lojës me dorë, kurse e dyta për shkak të pozitës jashtë loje.

Në vazhdim vendasit mbetën me një futbollist më pak, pasi Cristian Romero (33’) u përjashtua direkt karton me të kuq, që i ndihmoi kundërshtarëve të barazojnë rezultatin me golin e Cole Palmer (35’) nga penalltia.

Tottenhami goditjen e radhës e mori në pjesën e dytë, kur Destiny Udogie (55’), u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë.

“Blutë” e shfrytëzuan epërsinë numerike, me Nicolas Jackson (75’) që shënoi për epërsinë e parë në ndeshje.

Gjithsesi, Tottenhami ia doli të barazojë rezultatin pas katër minutave me golin e Eric Dier, por që edhe ky gol u anulua nga VAR-i për shkak të pozitës jashtë loje.

Jackson (90+4’, 90+7’) e vulosi fitoren në fund, duke shënuar edhe dy gola tjerë për të kompletuar het-trikun e tij.

Chelsea pas kësaj fitore ka 15 pikë dhe tani ngjitet në pozitën e dhjetë në tabelë.

Tottenham Hotspur, që ka humbur pozitën e liderit, është në pozitën e dytë me 26 pikë.