Reagimi befasues i Ronaldos pasi Messi fitoi “Topin e Artë” – Portugezi iu përgjigj gazetarit që “sulmoi” argjentinasin

Të hënën, Lionel Messi u shpërblye me trofeun e tetë të “Topit të Artë”, që është edhe rekord historik.

Gjithsesi, kishte persona që nuk u pajtuan me këtë – duke besuar se ky trofe duhet t’i takonte Erling Haalandit.

Një prej tyre është gazetari spanjoll, Tomas Roncero, i cili tha në një video për “Diario AS” se trofeu duhej t’i kishte shkuar sulmuesit të Manchester Cityt.

“Përshëndetje miq. Ajo që dinim ka ndodhur. Ata i dhanë një tjetër ‘Top të Artë’ Messit. Ai shkoi të pensionohej në (Inter) Miami, por ai tashmë po shikonte të pensionohej në PSG për t’u përgatitur për Kupën e Botës. Ka fituar Botërorin, po mirë, por me 6 penallti në favor të tij. Kupa e Botës ishte 10 muaj më parë, ne jemi në nëntor. Messi ka tetë ‘Topa të Artë mirë’, ai duhet të ketë pesë. Ai ka ‘Topin e Artë’ të Iniestas, Xavit, Lewandowskit – i cili fitoi gjashtë trofe në një sezon – dhe Haaland, i cili ishte golashënuesi më i mirë i gjithçkaje”, u shpreh ai.
Mediumi spanjoll e publikoi deklaratën e tij në “Instagram”, aty ku Cristiano Ronaldo do të përgjigjej. Portugezi, i cili kishte një rivalitet të madh me Messin për shumë vite, e ka pëlqyer postimin, si dhe ka komentuar disa “emoji” duke qeshur.

Reagimi i Ronaldos lë të nënkuptohet që edhe ai është i mendimit që Messi nuk e meritonte të fitonte “Topin e Artë”.