Manchester City ka triumfuar në derbin e qytetit të Manchesterit, të vlefshëm për javën e dhjetë në Premierligë.
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola fitoi pa ndonjë problem sonte ndaj rivalit lokal, Manchester United, për të vazhduar kështu që të mbajë hapin me dy skuadrat e para në tabelë
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Old Trafford” përfundoi me rezultatin 0:3.
Në fitoren e “Qytetarëve” shkëlqeu Erling Haaland. Sulmuesi norvegjez fillimisht realizoi nga penalltia në minutën e 26-të, për të dërguar skuadrën e tij në pushimin mes pjesëve me epërsi minimale.
Ai shënoi edhe në minutën e 49-të për të dyfishuar epërsinë e kampionëve në fuqi të Anglisë, para se të asistonte te goli i tretë i shënuar nga Phil Foden, në minutën e 80-të.
Manchester City pas kësaj fitore ka 24 pikë dhe renditet në pozitën e tretë, por me pikë të njëjta me Arsenalin e pozitës së dytë, dhe dy më pak se lideri, Tottenham Hotspur.
Manchester United mbetet i teti me 15 pikë.