Interi fiton ndaj Salzburgut

Interi ka regjistruar fitore ndaj Salzburgut, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tretë në Grupin D në Ligën e Kampionëve.

Skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi triumfoi si vendase me rezultatin 2:1.

Alexis Sanchez (19’) shënoi për epërsinë fillestare, me Interin që hyri në pushimin mes pjesëve me epërsi minimale.
Salzburgu ia doli të barazonte shifrat në pjesën e dytë përmes Oscar Gloukh (57’).

Megjithatë, nënkampionët e Evropës rikthyen sërish epërsinë me Hakan Çalhanoglun (64’), i cili shënoi nga penalltia.

Italianët shënuan edhe një herë tjetër në minutën e 81-të, por goli i Lautaro Martinezit u anulua nga VAR-i, për shkak të pozitës jashtë loje.

Vlen të theksohet se te “Nerazzurrët” u aktivizua edhe mesfushori shqiptar, Kristjan Asllani, i cili hyri si zëvendësues në minutën e 76-të.

Interi pas kësaj fitore ka 7 pikë dhe tani prin në Grupin D, me tri pikë më shumë se Real Sociedadi, që takohet sonte me Benfican.

Salzburgu mbetet i treti me tri pikë.