Nga Adam Shatz
Më 16 tetor, prezantuesja e podkastit The Daily të New York Times, Sabrina Tavernise bisedoi me dy palestinezë në Rripin e Gazës.
“Pra, Abdallah,” Tavernise pyeti Abdallah Hasaneen, banor i Rafahut afër kufirit egjiptian, i cili kishte sinjal vetëm nga ballkoni i tij, “ne kemi folur për të gjitha sulmet ajrore që kanë ndodhur që nga e shtuna e kaluar, dhe sigurisht ajo që ndodhi edhe të shtunën e kaluar ishte ky sulm shumë vdekjeprurës nga Hamasi ndaj Izraelit.
Si e kuptoni ju atë sulm? Çfarë mendimi keni për situatën?”
“Nuk mund të lësh njerëzit në burgje, t’ju privosh të drejtat themelore dhe mos të presësh që ata të kundërpërgjigjen,” u përgjigj Hasaneen. “Nuk mund t’i dehumanizoni njerëzit dhe të mos prisni asgjë… Unë nuk jam Hamasi, nuk kam qenë kurrë mbështetës i madh i Hamasit… Por ajo që po ndodh nuk ka të bëjë aspak me Hamasin.”
Tavernise (me ndruajtje): “Për çfarë bëhet fjalë?”
Hasaneen: “Ka të bëjë me spastrimin etnik të popullit palestinez, flasim për rreth 2.3 milionë palestinezë. Kjo është arsyeja pse veprimi i parë që Izraeli bëri ishte të ndërpriste ujin, më pas energjinë elektrike dhe ushqimin. Pra, kjo nuk ka të bëjë në asnjë mënyrë me Hamasin. Ka të bëjë me fajin tonë, që ne lindëm palestinezë.”
E ftuara e dytë e Tavernise ishte një grua e quajtur Wafa Elsaka, e cila së fundmi ishte kthyer në Gaza pas 35 viteve që kishte punuar si mësuese në Florida. Atë fundjavë, Elsaka ishte larguar nga shtëpia e familjes së saj, pasi Izraeli paralajmëroi 1.1 milionë banorët e Gazës veriore të largoheshin nga shtëpitë e tyre për t’u zhvendosur në jug, pasi paralajmëruan për një pushtim tokësor. Dhjetëra palestinezë u vranë nga bombardimet teksa largoheshin përgjatë rrugëve që Izraeli tha se ishin të sigurta.
“Ne kemi përjetuar 1948, gjithçka që ne kërkojmë është të jetojmë në paqe në mënyrë që të rrisim fëmijët tanë,” tha Elsaka. “Përse po përsërisim historinë? Çfarë duan ata? Duan Gazën? Çfarë do të bëjnë me ne? Çfarë do të bëjnë me njerëzit? Kërkoj përgjigjet e këtyre pyetjeve që ta dimë. Duan të na hedhin në det? Le ta bëjnë, mos të vazhdojnë dhimbja! Thjesht le ta bëjnë… Më parë, thoja se Gaza është një burg në qiell të hapur. Tani them, Gaza është një varr në qiell të hapur… Ju mendoni se njerëzit këtu janë akoma gjallë? Ata tashmë janë zombi.” Kur Tavernise bisedoi përsëri të nesërmen me Hasaneen, ai tha se ai dhe gjithë familja e tij ishin futur në të njëjtën dhomë, që të paktën të vdesin së bashku.
Situata në Gaza ditët e fundit ka arritur në ekstreme të papërshkrueshme, por kjo nuk është diçka e re. Në tregimin e tij të vitit 1956 “Letër nga Gaza”, Ghassan Kanafani e përshkruan atë si “më të ngushtë se mendja e një njeriu duke fjetur në grahmat e një makthi të frikshëm, me rrugët e ngushta që kishin erën e tyre të veçantë, erën e disfatës dhe varfërisë”. Protagonisti i historisë ishte një mësues i cili për vite me radhë kishte punuar në Kuvajt dhe u kthye në shtëpinë e tij pas një bombardimi izraelit. Kur mbesa e tij vajti për ta përqafuar, ai pa që këmba e saj ishte prerë: ajo ishte plagosur teksa përpiqej të mbronte vëllezërit nga bombat.
Sipas fjalëve të Amira Hass, një gazetare izraelite që për shumë vite ka raportuar nga Gaza, “Gaza mishëron kontradiktën qendrore të shtetit të Izraelit – demokraci për disa, shpronësim për të tjerët; është nervi ynë i ekspozuar.” Izraelitët nuk thonë “vafsh në djall” por thonë “vafsh në Gaza”. Autoritetet pushtuese e kanë trajtuar gjithmonë si një tokë të pashkelur, ngjashëm me Libanin jugor sesa me Bregun Perëndimor, ku zbatohen rregulla të ndryshme dhe shumë më të ashpra. Pas pushtimit të Gazës në 1967, Ariel Sharon, asokohe gjenerali përgjegjës për komandën jugore të Izraelit, mbikëqyri ekzekutimin pa gjyq të dhjetëra palestinezëve të dyshuar për përfshirje në rezistencë (është akoma e paqartë se sa njerëz kane vdekur), dhe gjithashtu shkatërrimin e mijëra shtëpive: kjo u quajt “paqësim”.
Në vitin 2005, Sharon kryesoi “shkëputjen”: Izraeli tërhoqi tetë mijë kolonë nga Gaza, por në thelb, territori mbeti nën kontrollin izraelit, dhe që kur Hamasi u zgjodh në vitin 2006, ka qenë nën bllokadë, të cilën qeveria egjiptiane e ndihmon. “Përse të mos e braktisim Gazën dhe të shpëtojmë?” pyeti rrëfimtari i Kanafanit në 1956. Sot, mendime të tilla do të ishin një fantazi. Populli i Gazës – nuk është e saktë t’i quash gazanët, pasi dy të tretat e tyre janë fëmijë dhe nipër refugjatësh nga zona të tjera të Palestinës – mund të quhen robër në një territor që është copëtuar nga pjesa tjetër e atdheut të tyre. Ata mund të largohen nga Gaza vetëm nëse izraelitët do t’i urdhëronin të banonin në një “korridor humanitar” në Sinai, nëse Egjipti do t’i përulej presionit amerikan dhe do të hapte kufirin.
Motivet pas Vërshimit Al-Aqsa, siç Hamasi e quajti ofensivën e tij, nuk ishin aspak sekrete: për të rishpallur përparësinë e luftës palestineze në një kohë kur dukej se po dilte jashtë agjendës së komunitetit ndërkombëtar; për të siguruar lirimin e të burgosurve politikë; për të krisur rivendosjen e marrëdhënieve miqësore izraelito-saudite; për të poshtëruar më tej Autoritetin e pafuqishëm Palestinez; për të protestuar kundër valës së dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor, po ashtu dhe vizitave provokuese të hebrenjve fetarë dhe zyrtarëve izraelitë në xhaminë Al-Aqsa në Jeruzalem; dhe jo më pak e rëndësishme, për t’ju përcjellë izraelitëve mesazhin se nuk janë të pamposhtur, se ka një çmim për të paguar për ruajtjen e status quo-së në Gaza.
Arriti një sukses të tmerrshëm: për herë të parë që nga 1948, ishin luftëtarët palestinezë, jo ushtarët izraelitë, ata që pushtuan qytetet në kufi dhe terrorizuan banorët e tyre. Kurrë më parë Izraeli nuk është dukur vend më pak i sigurt për popullin hebre. Siç tha dhe Mahmoud Muna, pronar i një biblioteke në Jeruzalem, ndikimi i sulmit të Hamasit ishte “si tkurrja e njëqind viteve të fundit brenda një jave”. Megjithatë, kjo tronditje e status quo-së, kjo goditje për një lloj barazie ngjethëse me makinën e frikshme të luftës të Izraelit, ka ardhur me një çmim të lartë.
Luftëtarët e Hamasit dhe Xhihadit Islamik – brigada me rreth 1500 komando – vranë më shumë se një mijë civilë, përfshi gra fëmijë dhe foshnja. Është e paqartë se përse Hamasi nuk u kënaq pasi arriti objektivin fillestar. Faza e parë e Vërshimit Al-Aqsa ishte klasike – dhe legjitime – lufta guerrile kundër një fuqie pushtuese: luftëtarët depërtuan kufirin dhe murin rrethures të Gazës, dhe sulmuan postet ushtarake.
Imazhet e hershme të këtij sulmi, së bashku me raportimet se luftëtarët nga Gaza ishin zhvendosur në njëzet qytete izraelite, shkaktuan eufori të kuptueshme mes palestinezëve; të njejtën gjë shkaktoi dhe vrasja e qindra ushtarëve izraelitë, dhe marrja e më shumë se 250 pengjeve. Shumë pak njerëz në Perëndim e kujtojnë se kur palestinezët nga Gaza protestuan në kufi në vitet 2018-19 gjatë Marshit të Madh të Kthimit, forcat izraelite vranë 223 prej tyre. Por palestinezët e kujtojnë, dhe vrasja e demonstruesve të paarmatosur vetëm sa e ka shtuar joshjen e luftës së armatosur.
Gjithsesi, faza e dytë ishte ndryshe nga e para. Bashkë me banorët e Gazës, shumë prej tyre që largoheshin për herë të parë në jetën e tyre, luftëtarët e Hamasit nisën një seri vrasjesh. Ata e kthyen festivalin Tribe of Nova në një festë të mbushur me gjak, një tjetër Bataclan. Ata goditën familjet në shtëpitë e tyre në kibuce. Ata nuk ekzekutuan vetëm hebrenjtë, por beduinët dhe emigrantë të cilët punonin në atë vend. (Disa nga viktimat ishin hebrenj që njiheshin për punën e tyre në solidaritet me palestinezët, veçanërisht Vivian Silver, një izraelito-kanadeze që tashmë është marrë peng në Gaza.) Siç Vincent Lemire vuri në dukjë në Le Monde, duhet kohë për të vrarë “civilët e fshehur në garazhe dhe parkingje ose të strehuar në dhoma sigurie”. Zelli dhe durimi i luftëtarëve të Hamasit është drithërues.
Asgjë në historinë e rezistencës së armatosur palestineze ndaj Izraelit nuk i afrohet shkallës së kësaj masakre – as sulmi i Lojërave Olimpike të Mynihut në 1972 nga Shtatori i Zi, as masakra e Maalot nga Fronti Demokratik për Çlirimin e Palestinës në 1974. Më shumë izraelitë mbetën të vrarë më 7 tetor sesa në pesë vitet e Intifadës së Dytë. Si shpjegohet ky cirk vrasjesh? Zemërimi i nxitur nga intensifikimi i shtypjes izraelite është padyshim një arsye. Gjatë vitit të kaluar, më shumë se dyqind palestinezë janë vrarë nga ushtria dhe kolonët izraelitë; shumë prej të cilëve ishin minorenë.
Por ky zemërim ka rrënjë shumë më të thella sesa politikat e qeverisë së djathtë të Netanyahut. Ajo që ndodhi më 7 tetor nuk ishte një shpërthim; ishte një akt metodik vrasjesh, dhe vrasja sistematike e njerëzve në shtëpitë e tyre ishte një mimikë e hidhur e masakrës së vitit 1982 nga falangistët e mbështetur nga Izraeli në Sabra dhe Shatila në Liban. Postimet e përllogaritura të videove ku tregohen vrasjet në rrjetet sociale të viktimave tregon se hakmarrja ishte ndër motivet e komandantëve të Hamasit: Mohammed Deif, drejtuesi i krahut ushtarak të Hamasit, humbi gruan dhe dy fëmijët e tij në një sulm ajror në 2014.
Dikush kujton vëzhgimin e Frantz Fanon se “personi i kolonizuar është një person i persekutuar që vazhdimisht ëndërron të bëhet persekutues”. Më 7 tetor, kjo ëndërr u bë realitet për ata që u futën në Izraelin jugor: më në fund, izraelitët do të ndjenin pafuqinë dhe tmerrin që ata kishin njohur gjatë gjithë jetës së tyre. Spektakli i gëzimit palestinez – dhe mohimet e mëvonshme se kishte ndodhur vrasja e civilëve – ishte shqetësues por vështirë se befasonte. Në luftërat koloniale, shkruan Fanon, “e mira është thjesht ajo që i lëndon ata më shumë.”
Ajo që lëndoi izraelitët pothuajse aq sa vetë sulmi, ishte fakti se askush nuk e kishte pritur atë që ndodhi. Qeverisë izraelite iu dha një paralajmërim i përgjithshëm nga egjiptianët se Gaza po ziente. Por Netanyahu dhe bashkëpunëtorët e tij besonin se e kishin kontrolluar me sukses Hamasin. Kohët e fundit, kur izraelitët zhvendosën një numër të konsiderueshëm ushtarësh nga kufiri i Gazës në Bregun Perëndimor, ku ata kishin për detyrë të mbronin kolonët që kryenin masakra në Huwara dhe qytete të tjera palestineze, në vetvete nuk merakoseshin: ata kishin sistemet më të mira të vëzhgimit në botë dhe rrjete të gjera me informatorë në Gaza. Irani ishte kërcënimi i vërtetë, jo palestinezët, të cilëve u mungonte aftësia dhe fuqia për të nisur një sulm të qënësishëm. Ishte kjo arrogancë dhe përbuzje raciste, e ushqyer nga vitet e pushtimit dhe sundimit të aparteidit, që shkaktoi “dështimin e inteligjencës” të 7 tetorit.
Janë propozuar shumë analogji me Vëshimin Al-Aqsa: Ofensiva e Tet, Pearl Harbor, sulmi i Egjiptit më 1973, që nisi luftën e Yom Kippurit, dhe, sigurisht, 11 shtatori. Por analogjia më e afërt është një episod i rëndësishëm, dhe shpesh i harruar, në Luftën Algjeriane për Pavarësi: kryengritja e Philippeville në gusht 1955. Të rrethuar nga ushtria franceze, me frikën se do të humbisnin terren ndaj politikanëve reformues myslimanë që ishin pro një vendbanimi të negociuar, Fronti Kombëtar i Çlirimit nisi një sulm të tmerrshëm në dhe përreth qytetit portual të Philippeville.
Fshatarë të armatosur me granata, thika, shkopa, sëpata dhe sfurqe vranë dhe në shumë raste copëtuan 123 persona, shumica europianë por edhe myslimanë. Për francezët, dhuna dukej e paprovokuar, por autorët besonin se ata po merrnin hak për vrasjen e dhjetëra mijëra myslimanëve nga ushtria franceze, të ndihmuar nga milicitë e kolonëve, pas rebelimit për pavarësi në 1945.
Në përgjigje të Philippeville, gjenerali liberal i Francës, Jacques Soustelle, të cilin komuniteti europian e konsideronte një “dashurues të arabëve” të cilit nuk mund t’i zije besë, kreu një fushatë shtypjeje ku u vranë më shumë se 10 mijë algjerianë. Me këtë, Soustelle ra në grackën e Frontit Kombëtar Çlirimtar: brutaliteti i ushtrisë i shtyu algjerianët në krahët e rebelëve, ashtu si përgjigja mizore e Izraelit me gjasa do të forcojë Hamasin të paktën përkohësisht, edhe te palestinezët në Gaza që nuk e duan regjimin e tyre autoritar. Vetë Soustelle pranoi që ai kishte ndihmuar hapjen e “një hendeku përmes të cilit rridhte një lumë me gjak”.
Një hendek i ngjashëm po hapet sot në Gaza. Të vendosur për të lënë pas poshtërimin nga Hamasi, Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk janë treguar ndryshe nga dhe jo më të zgjuar se francezët në Algjeri, britanikët në Kenia, apo amerikanët pas 11 shtatorit. Shpërfillja e Izraelit për jetën palestineze nuk ka qenë kurrë më e pashpirt apo flagrante, dhe po ushqehet nga një diskurs për të cilin fjala “gjenocid” nuk duket më si hiperbolë. Në vetëm 6 ditët e para të sulmeve ajrore, Izraeli ka lëshuar më shumë se 6 mijë bomba, dhe më shumë se dyfishi i civilëve janë vrarë tashmë për shkak të bombardimeve, krahasuar me të vrarët në 7 tetor.
Këto mizori nuk janë të tepërta apo “dëm kolateral”: ato ndodhin me qëllim. Siç thotë edhe ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant, “ne po luftojmë me kafshë dhe do të veprojmë sipas rastit.” (Franon: “kur kolonizatori flet për të kolonizuarin, ai përdor koncepte të zoologjisë dhe vazhdimisht i referohet kafshërisë”.) Që prej sulmit të Hamasit, retorika shfarrosëse e ekstremit të djathtë të Izraelit ka arritur përmasa ekstreme dhe është përhapur. “Zero gazanë”, thotë një slogan izraelit. Një anëtar i Likud, partisë së Netanyahut, deklaroi se qëllimi i Izraelit duhet të jetë “një Nakba (Katastrofë Palestineze) që do të lërë në hije Katastrofën Palestineze të 1948”. “Vërtet po më pyesni për civilët palestinezë?” i tha ish-kryeministri izraelit Naftali Bennett një gazetari në Sky News. “A jeni mirë? Ne po luftojmë me nazistët.”
“Nazifikimi” i kundërshtarëve të Izraelit është një strategji e vjetër, që karakterizon luftërat dhe politikat ekspansioniste. Menachem Begin tha se ai po luftonte me nazistët gjatë luftës së 1982 kundër Organizatës për Çlirimin e Palestinës në Liban. Në një fjalim në 2015, Netanyahu tha se nazistët do t’i kishin dëbuar dhe jo shfarrosur hebrenjtë e Europës nëse Haj Amin al-Husseini, myftiu i Jeruzalemit nuk do t’i kishte shtënë Hitlerit në kokë Zgjidhjen Përfundimtare.
Në instrumentalizimin e guximshëm të Holokaustit dhe përgojimin e palestinezëve si nazistë më të këqinj se vetë nazistët, udhëheqësit izraelitë “tallen me kuptimin e vërtetë të tragjedisë së hebrenjve”, siç vëzhgoi Isaac Deutscher pas luftës së 1967. Për më tepër, këto analogji ndihmojnë në justifikimin e brutalitetit akoma më të madh ndaj popullit palestinez.
Sadizmi i sulmit të Hamasit e ka thjeshtuar Nazifikimin, duke rindezur kujtime të përbashkëta, të kaluara brez pas brezi, të masakrave dhe Holokaustit. Që hebrenjtë, si në Izrael dhe diasporë, kanë kërkuar shpjegime për vuajtjet e tyre në historinë e dhunës antisemitike, kjo është e pritshme. Trauma ndër breza është po aq e vërtetë për hebrenjtë sa edhe për palestinezët, dhe sulmi i Hamasit preku pjesën më të ndjeshme të psikikës së tyre: frikën e zhdukjes.
Por kujtesa mund të jetë edhe ndërlidhëse. Prej kohësh hebrenjtë nuk janë më të flakurit e shoqërisë, “të tjerët” e brendshëm të Perëndimit. Shteti që pretendon se flet në emrin e tyre ka një nga ushtritë më të fuqishme të botës – dhe një arsenal armësh bërthamore, të vetmin në rajon. Mizoritë e 7 tetorit mund të kujtojnë masakrat, por Izraeli nuk është Vendbanimi i Mbyllur.
Siç ka vënë në dukje historiani Enzo Traverso, hebrenjtë “tani zënë një pozitë të veçantë në kujtesën e botës perëndimore. Vuajtjet e tyre janë të njohura dhe janë subjekt i mbrojtjes me ligj, sikur hebrenjtë të ishin gjithnjë objekt i ligjeve të veçanta.” Për shkak të historisë së persekutimit antisemitik në Europë, shqetësimi i Perëndimit për jetët e hebrenjve është tërësisht i kuptueshëm. Por ajo që Traverso quan “feja civile e Holokaustit”, sa vjen dhe i rëndon në kurriz myslimanëve – dhe njohjes së vërtetë të problemit të Palestinës.
“Ajo që e ndan Izraelin, SHBA dhe demokracitë e tjera kur bëhet fjala për situata të tilla të vështira,” deklaroi sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken më 11 tetor, “është respekti ynë për ligjin ndërkombëtar dhe për ligjet e luftës.” Ndërkohë, Izraeli po respektonte ligjin ndërkombëtar duke rrafshuar lagje dhe duke vrarë familje të tëra – një rikujtesë që, siç shkruante Aimé Césaire, “kolonizimi punon për të decivilizuar kolonizatorin, për ta brutalizuar në kuptimin e parë të fjalës.”
Në ditët pas sulmit të Hamasit, administrata Biden ka kërkuar politika të zhvendosjes së popullsisë që mund të prodhojnë një tjetër Katastrofë Palestineze (Nakba). Ka mbështetur, për shembull, zhvendosjen gjoja të përkohshme të miliona palestinezëve në Sinai, që Izraeli të vijojë sulmin ndaj Hamasit. (Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi u përgjigj se nëse Izraeli është vërtet i interesuar për mirëqenien e refugjatëve nga Gaza, mund t’i zhvendosë ata në Negev – me fjalë të tjera, në krahun izraelit të kufirit me Egjiptin.) Për të ndihmuar sulmin, Izraeli ka marrë dërgesa të tjera me armë nga SHBA, që gjithashtu ka vendosur dy aeroplanmbajtëse në Mesdheun Lindor, si paralajmërim për aleatët kryesorë rajonalë të Hamasit, Iranin dhe Hezbollahun.
Më 13 tetor, Departamenti i Shtetit qarkulloi një shkresë të brendshme që nxiste zyrtarët të mos përdornin fjalët dhe frazat “shtensionim/armëpushim”, “fund i dhunës/gjakderdhjes” dhe “rivendosje e qetësisë” – nuk do të toleroheshin as qortimet më të vogla. Pak ditë më vonë, SHBA, siç mund të parashikohej, vendosi veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB që kërkonte një “pauzë humanitare” në Gaza (Mbretëria e Bashkuar abstenoi).
Në programin e CBS news Face the Nation, Jake Sullivan, këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, e përkufizoi “suksesin” e luftës si “sigurinë afatgjatë të shtetit dhe popullit hebre”, pa asnjë konsideratë për sigurinë – ose vazhdueshmërinë e të qenurit pa shtet – të popullit palestinez. Duke i rrëshkitur goja, ai mbështeti të drejtën e palestinezëve për t’u kthyer: “kur njerëzit largohen nga shtëpitë e tyre në raste konflikti, ata meritojnë të drejtën për t’u kthyer në ato shtëpi – në ato shtëpi. Dhe kjo situatë nuk është ndryshe.” Ndoshta, por nuk ka gjasa, veçanërisht nëse Hezbollahu braktis maturinë dhe i bashkohet luftës, një skenar që ofensiva tokësore izraelite e bën të ketë më shumë gjasa. Mbështetja e Amerikës për përshkallëzim mund të ketë kuptim elektoral për Biden, por mbart rrezikun e provokimit të një lufte rajonale.
Ndryshe nga shpërthimi shkatërrues në Spitalin Al-Ahli më 17 tetor një bombardim për të cilin Netanyahu menjëherë fajësoi “terroristët barbarë në Gaza” gazetat amerikane ishin si njoftime për shtyp të ushtrisë izraelite. Krisjet që kishin filluar të krijonin hapësira për realitetin palestinez, për fjalë si “pushtim” dhe “aparteid”, u zhdukën brenda natës: një dëshmi, ndoshta, se sa të vogla dhe të brishta kishin qenë këto fitore retorike. New York Times publikoi një editorial që pretendonte se Hamasi kishte sulmuar Izraelin “pa asnjë provokim” dhe profilin e zvenitur të një gjenerali izraelit në pension që “kishte marrë pistoletën për të luftuar Hamasin” – këshilla e tij për ushtrinë ishte të “barazohej fusha” në Gaza. (Sërish, gazeta e jashtëzakonshme e Izraelit Haaretz vuri në dukje burracakërinë e shtypit amerikan, duke fajësuar “qeverinë e aneksimit dhe shpronësimit” të Netanyahut për shkaktimin e luftës.)
Tre folësit myslimanë të MSNBC u shkëputën përkohësisht nga transmetimi, në dukje për të respektuar ndjeshmërinë izraelite. Rashida Tlaib, një kongresmene palestineze-amerikane nga Detroit, është akuzuar se udhëheq një “grupim të Hamasit” për shkak të kritikave ndaj Forcave Mbrojtëse Izraelite. Ka pasur krime urrejtjeje ndaj myslimanëve, të ushqyera pjesërisht nga një vrull i islamofobisë së njohur në një nivel që nuk ishte parë që nga lufta kundër terrorit. Ndër viktimat e para: një 6-vjeçar palestinez në Çikago, Wadea Al-Fayoume, i vrarë nga qiradhënësi i familjes së tij si një shpagim për 7 tetorin.
Në Europë, shprehja e mbështetjes për palestinezët është bërë tabu, dhe në disa raste është kriminalizuar. Novelistes palestineze Adania Shibli iu tha se ceremonia e çmimeve në Panairin e Librit në Frankfurt për romanin e saj Minor Detail, bazuar në historinë e vërtetë të një vajze beduine palestineze që u përdhunua dhe vra nga ushtarët izraelitë në 1949, ishte anuluar. Franca i ka ndaluar protestat pro-palestinezëve, dhe policia franceze ka përdorur ujë për të shpërndarë një tubim në mbështetje të Gazës në Sheshin e Republikës. Sekretarja e brendshme britanike Suella Braverman ka përmendur plane për të ndaluar shpalosjen e flamurit palestinez.
Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se “detyrimi i Gjermanisë shkaktuar nga Holokausti” e bën të “qëndrojë krah ekzistencës dhe sigurisë së shtetit të Izraelit” dhe fajësoi Hamasin për gjithë vuajtjet e Gazës. Një nga zyrtarët e paktë perëndimorë që shprehu tmerr për atë që po ndodhte në Gaza ishte Dominique de Villepin, ish-kryeministër i Francës. Në France Inter, ai kundërshtoi “amnezinë” e Perëndimit ndaj Palestinës, “harresën” që i lejoi europianët të imagjinonin se marrëveshjet ekonomike dhe tregtia e armëve mes Izraelit dhe miqve të rinj në Gjirin Arab do të bënin që të zhdukej çështja palestineze.
Më 14 tetor, Ione Belarra, ministrja spanjolle e të drejtave sociale dhe anëtare e partisë së majtë Podemos, shkoi edhe më larg, duke akuzuar Izraelin për ndëshkim kolektiv gjenocidal dhe duke kërkuar që Netanyahu të hetohej për krime lufte. Por Tlaib, Villepin dhe Belarra janë tejkaluar në numër nga politikanët dhe ekspertët perëndimorë që janë rreshtuar krah Izraelit si pala “e civilizuar” në konflikt, që po ushtron “të drejtën e vetë për t’u mbrojtur” ndaj barbarëve arabë. Debati për pushtimin, për rrënjët e konfliktit, po ngatërrohet gjithnjë e më shumë me antisemitizmin.
“Miqtë hebrenj të Izraelit” mund ta quajnë këtë një triumf. Por ashtu siç vë në dukje Traverso, mbështetja e pakritikuar e Perëndimit për Izraelin dhe identifikimi me vuajtjen e hebrenjve mbi atë të myslimanëve palestinezë, “promovon një lëvizje të hebrenjve në strukturat e sundimit”.
Më keq akoma, braktisja e neutralitetit ndaj qasjes së Izraelit i vendos hebrenjtë e diasporës në rrezik të shtuar të dhunës antisemitike, qoftë nga grupet xhihadiste apo persona specifikë. Censurimi i zërave palestinezë për hir të sigurisë së hebrenjve, por shumë larg mbrojtjes së tyre, në mënyrë të pashmangshme do të shtojë pasigurinë e hebrenjve.
Mbulimi i luftës në shtypin perëndimor reflektohet në botën arabe, dhe në pjesën më të madhe të Jugut Global, ku mbështetja e Perëndimit për rezistencën e Ukrainës ndaj agresionit rus dhe refuzimi për ta përballur agresionin e Izraelit ndaj palestinezëve të pushtuar, kishte nxitur akuza për hipokrizi. (Këto ndasi të kujtojnë përçarjet e 1956, ku njerëzit në “botën e zhvilluar” përkrahnin përpjekjen e Algjerisë për vetëvendosje, ndërsa vendet perëndimore mbështesnin rezistencën e Hungarisë ndaj pushtimit sovjetik.)
Në vende që kanë luftuar për të mposhtur sundimin kolonialist, mbizotërimin e të bardhëve dhe aparteidin, lufta e palestinezëve për pavarësi, në kushtet e një asimetrie groteske, tingëllon shumë e njohur. Dhe pastaj janë admiruesit e Hamasit në të majtën “dekolonizuese”, shumë prej të cilëve të rehatuar në universitete perëndimore.
Disa prej tyre – si për shembull Partia e Indigjenëve të Republikës në Francë, që e përgëzuan pafund Vëshimin Al-Aqsa – duken thuajse të mahnitur nga dhuna e Hamasit dhe e karakterizojnë si një formë të drejtësisë anti-kolonialiste, ngjashëm me atë të përshkruar nga Fanon në “On Violence”, kapitulli i parë kontrovers i The Wretched of the Earth. “Ç’mendonit ju se nënkuptonte dekolonizimi?” pyeti shkrimtarja somaleze-amerikane Najma Sharif në X. “Atmosferë? Shkrime? Ese? Dështakë.” “Dekolonizimi nuk është një metaforë,” nënvizuan mbështetësit e Vëshimit Al-Aqsa. Të tjerë thonë se të rinjtë në festivalin Tribe of Nova e merituan fundin e tyre, pasi patën guximin të organizonin një festë vetëm pak milje larg kufirit të Gazës.
Është natyrisht e vërtetë që Fanon ka bërë thirrje për një luftë të armatosur kundër kolonializimit, por ai i është referuar përdorimit të dhunës nga të kolonizuarit si “dezintoksifikuese”, jo “spastrim”, një keqinterpretim shumë i përhapur. Kuptimi i tij për format më të përgjakshme të dhunës antikolonialiste është ai i një psikiatri që diagnostikon një patologji hakmarrëse të krijuar nën shtypjen koloniale, në vend që të ofrojë një recetë.
Është e natyrshme, shkruan ai, që “të njëjtëve njerëz që ju është thënë vazhdimisht se e vetmja gjuhë që ata kuptojnë është ajo e forcës, tani vendosin ta shprehin veten e tyre përmes forcës”. Duke ndjellë përvojën fenomenoligjike të luftëtarëve antikolonialistë, ai vëren se në fazat e hershme të revoltës, “jeta mund të materializohet vetëm nga kufoma e kalbur e kolonit.”
Por Fanon gjithashtu shkroi për ndikimet e traumës nga lufta – përfshi traumën e vuajtur nga rebelët antikolonialistë që vranë civilët. Në një pasazh që është cituar nga fansat e tij të ditëve të fundit, ai paralajmëron se “racizmi, urrejtja, inati dhe ‘dëshira legjitime për hakmarrje’ nuk mund ta ushqejnë një luftë për çlirim.
Këto momente të ndërgjegjes që e hedhin trupin në një zonë me turbulenca, që më pas e çojnë në një gjendje thuajse patologjike ëndërrimtare ku imazhi i të tjerëve shkakton marramendje, ku gjaku im kërkon gjakun e të tjerëve, ky shpërthim pasionant në fazën hapëse, shpërbëhet nëse lihet të ushqehet nga vetja. Patjetër abuzimet e panumërta nga forcat kolonizatore fusin faktorin emocional në këtë luftë, duke i dhënë militantit shkas për të urryer dhe arsye të reja që t’i hyjë kërkimit për ‘të vrarë një kolonizator’. Por, ditë pas dite, udhëheqësit do ta kuptojnë se urrejtja nuk ështa agjendë.”
Fanon beson se për të organizuar një lëvizje efikase, luftëtarët antikolonialistë duhet të tejkalojnë tundimin e hakmarrjes së qëmotshme, dhe të zhvillojnë atë që Martin Luther King, kur citonte Reinhold Niebuhr, quante “disiplinë shpirtërore kundër inatit”.
Bashkë me këtë zotim, vizioni i Fanon për dekolonizimin përfshin jo vetëm myslimanët e kolonizuar, që do të çlironin veten nga zgjedha e shtypjes kolonialiste, por anëtarë të pakicës europiane dhe hebreje (ata vetë një grup “indigjen” në Algjeri), për sa kohë ata i bashkohen luftës për çlirim. Në A Dying Colonialism, ai i bën homazhe jo-myslimanëve në Algjeri, të cilët bashkë me shokët e tyre myslimanë, imagjinuan një të ardhme ku identiteti dhe përkatësia algjeriane do të përcaktoheshin nga idealet e përbashkëta, jo nga etnia apo feja.
Fakti që ky vizion u shua, falë dhunës franceze dhe nacionalizmit autoritar islamik të Frontit Kombëtar të Çlirimit, është një tragjedi nga e cila Algjeria ende nuk e ka marrë veten. Shkatërrimi i këtij vizioni, të mbështetur nga intelektualë si Edward Said dhe një pakicë e vogël por me ndikim e të majtëve palestinezë dhe izraelitë, ka qenë jo më pak e dëmshme për popullin e Izraelit-Palestinës.
“Ajo që më tmerron,” më tregoi në një email historiani palestinez Yezid Sayigh, “është se jemi në një pikë ndryshimi në historinë botërore. Konfliktet e thella të vazhdueshme në të paktën dy dekadat e fundit, që i kanë dhënë jetë lëvizjeve (dhe qeverive) të krahut të djathtë apo edhe fashiste, janë duke u shtuar, ndaj e shoh masakrën e Hamasit ndaj civilëve si të barabartë me Sarajevën 1914 apo me Kristallnacht 1938 në përshpejtimin ose përhapjen e trendeve më të gjera.
Në një ‘shkallë më të vogël’, jam i xhindosur me Hamasin që në thelb ka zhbërë gjithë çfarë kemi luftuar gjatë dekadave, dhe jam i tmerruar nga ata që nuk mund të bëjnë dallimin mes opozitës ndaj pushtimit izraelit dhe krimeve të luftës, dhe që bëjnë një sy qorr ndaj asaj që Hamas bëri në komunitetet jugore izraelite. Etno-tribalizëm.”
Fantazitë etno-tribaliste të së majtës dekoloniale, me recitimet nga Fanon dhe posterat fluturues, janë vërtet perverse. Siç shkrimtari palestinez Karim Kattan shkroi në një ese prekëse për Le Monde, duket se është bërë e pamundur për disa nga miqtë e vetëshpallur të Palestinës që të “thonë: masakra si ato që ndodhën në festivalin Tribe of Nova janë horror mizor, dhe Izraeli është një fuqi mizore kolonizatore.” Në epokën e humbjes dhe demobilizimit, ku shumica e zërave ekstremistë janë amplifikuar nga mediat sociale, kulti i forcës duhet se ka lënë pas pjesë të së majtës, dhe ka zvogëluar çdo lloj empatie për civilët izraelitë.
Por kulti i forcës i të majtës radikale është më pak i rrezikshëm, sepse është më pak me ndikim se ai i Izraelit dhe mbështetësve të tij, duke filluar nga administrata Biden. Për Netanyahun, lufta është një betejë për mbijetesë – e tija po aq sa e Izraelit. Ai në përgjithësi ka preferuar manovra taktike, duke u rezervuar ndaj ofensivave të plota. Teksa ai e ka udhëhequr Izraelin në disa sulme ndaj Gazës, ai është gjithashtu arkitekt i një antante me Hamasin, një pozicion që e justifikoi në 2019 në një takim të anëtarëve të Likud në parlament, ku tha se “kushdo që dëshiron të pengojë themelimin e një shteti palestinez duhet të mbështesë forcimin dhe transferimin e parave te Hamasi”. Netanyahu e kuptoi se për sa kohë Hamasi të jetë në drejtimin e Gazës, nuk do të ketë negociata për shtetin palestinez.
Ofensiva e Hamasit jo vetëm shkatërroi këtë bast të tijin se ekuilibri i brishtë mes Izraelit dhe Gazës do të zgjaste; por erdhi në një moment kur ai njëkohësisht po kundërshton akuzat për rryshfet dhe një lëvizje protestash, të nxitura nga plani i tij për të shkatërruar fuqinë e gjyqësorit dhe për ta rikrijuar sistemin politik të vendit sipas udhëzimeve Orbániste. I dëshpëruar për të tejkaluar këto pengesa, ai e ka futur veten e tij në këtë luftë, duke e quajtur një “luftë mes fëmijëve të dritës dhe atyre të errësirës, mes njerëzimit dhe ligjit të xhunglës”.
Kolonët fashistë të rritur në Izrael, të përfaqësuar në kabinetin e tij nga Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir, të dy mbrojtës të hapur të spastrimit etnik, kanë vrarë dhjetëra palestinezë në Bregun Perëndimor që nga sulmi i Hamasit (përfshi ata që janë vrarë nga ushtria, bilanci i viktimave atje është mbi 60). Qytetarët palestinezë të Izraelit ju tremben sulmeve që ata kanë vuajtur nga grupet hebreje në maj 2021, gjatë Intifadës së Bashkimit. Sa për njerëzit e Gazës, jo vetëm që po detyrohen të paguajnë për veprimet e Hamasit; ata po detyrohen, sërish, të paguajnë për krimet e Hitlerit. Dhe domosdoshmëria për të ringjallur Holokaustin është kthyer në Kupolën e Hekurit të ideologjisë izraelite, mburoja kundër kritikave për sjelljen e tyre.
Cili është qëllimi final i Netanyahut? Eliminimi i Hamasit? Kjo është e pamundur. Sado që Izraeli është përpjekur ta përshkruajë si dega palestineze e Shtetit Islamik, po aq reaksionare dhe e dhunshme se ata, Hamas është një organizatë islamike nacionaliste, jo një kult nihilist, dhe është pjesë e shoqërisë politike palestineze; ushqehet nga dëshpërimi i prodhuar nga pushtimi, dhe nuk mund të likuidohet më shumë se fanatikët fashistë në kabinetin e Netanyahut (ose, për atë punë, terroristët e Irgun, që kryen bombardimet dhe masakrat në vitet 1940 dhe më pas u bënë pjesë e establishmentit politik të Izraelit.) Vrasja e liderëve të Hamasit si Sheikh Ahmed Yassin dhe Abdel Aziz al-Rantissi, të dy të vrarë në 2004, nuk bëri asgjë për të penguar ndikimin në rritje të organizatës, por madje e ndihmoi.
A e imagjinon Netanyahu se ai mund t’i detyrojë palestinezët të heqin dorë nga armët e tyre, apo nga kërkesat për shtet, duke i bombarduar në nënshtrim? Kjo është provuar, herë pas here; rezultati i pandryshuar ka qenë një brez i ri dhe më i zemëruar i militantëve palestinezë. Izraeli nuk është një tigër letre, ashtu si liderët e Hamas kanë dalë në përfundim pas 7 tetorit, ende të ngazëllyer nga ndjesia e vrasjes së ushtarëve izraelitë në gjumë në krevatet e tyre. Por i mungon aftësia për të ndryshuar kurs, sepse klasës së vetë politike i mungon imagjinata dhe krijimtaria – për të mos përmendur ndjenja e drejtësisë, ndaj dinjitetit të të tjerëve – që janë të nevojshme për të arritur një marrëveshje afatgjatë.
Një administratë e përgjegjshme amerikane, një më pak e ndjeshme ndaj ankthit për zgjedhjet e ardhshme dhe më pak mbështetëse ndaj establishmentit pro-Izraelit, do të kishte përfituar nga kriza aktuale për të nxitur Izraelin të rivlerësonte jo vetëm doktrinën e vetë të sigurisë, por edhe politikat ndaj të vetmes popullatë në botën arabe për të cilën nuk ka treguar interes në krijimin e një paqeje të vërtetë: palestinezët. Në vend të kësaj, Biden dhe Blinken i kanë bërë jehonë banaliteteve të Izraelit se po luftojnë të keqen, duke harruar përgjegjësinë e Izraelit për ngërçin politik në të cilin ndodhet. Besueshmëria amerikane në rajon, kurrë në nivele të larta, është edhe më e dobët sesa ishte gjatë administratës Trump.
Në 18 tetor, Joshua Paul, që kishte qenë drejtori i çështjeve të kongresit dhe atyre publike në Byronë e Çështjeve Politike-Ushtarake në Departamentin e Shtetit për më shumë se 11 vite, hoqi dorë në shenjë proteste ndaj vendimit të administratës për të dërguar armë në Izrael. Një qëndrim i “mbështetjes së verbër për një palë”, ai shkroi në letrën e tij të dorëheqjes, ka çuar në politika që janë “dritëshkurtra, shkatërruese, të padrejta dhe kontradiktore me vetë vlerat që ne mbështesim publikisht”. Nuk është çudi që i vetmi shtet arab që kritikoi Vërshimin Al-Aqsa ishin Emiratet e Bashkuara Arabe. Standardet e dyfishta amerikane – dhe pamëshira e përgjigjes së Izraelit – e kanë bërë të pamundur.
E vërteta që nuk mund të shmanget është se Izraeli nuk mund ta shuajë rezistencën palestineze me dhunë, aq sa mund palestinezët të fitojnë një luftë çlirimi të stilit algjerian: hebrenjtë izraelitë dhe arabët palestinezë kanë ngecur me njëri-tjetrin, veçse nëse Izraeli, pala më e fuqishme, i shtyn palestinezët përgjithnjë drejt mërgimit.
E vetmja gjë e mirë që mund të shpëtojë popujt e Izraelit dhe Palestinës dhe të shmangë një tjetër Katastrofë Palestineze – një mundësi reale, ndërkohë që një tjetër Holokaust mbetet një haluçinacion traumatik – është një zgjidhje politike që njeh të dy palët si qytetarë të barabartë dhe ju lejon të jetojnë në paqe dhe liri, qoftë në një shtet të vetëm demokratik, dy shtete, ose një federatë. Përsa kohë kjo zgjidhje shmanget, një degradim i vazhdueshëm dhe një katastrofë akoma më e madhe janë të garantuara.