“Jam Arsene Wenger i Kosovës dhe Shqipërisë” – Batatina i kundërpërgjigjet Duros pas takimit me “Kuqezinjtë”

Tahir Batatina është takuar ditën e sotme me disa prej futbollistëve të Shqipërisë.

Ai zbuloi se i ka uruar futbollistët për suksesin e fundit, me “Kuqezinjtë” që janë një hap larg kualifikimit në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Përmes një postimi në faqen e tij në “Facebook”, Batatina gjithashtu iu kundërpërgjigj Klodian Duros, i cili për trajnerin llapjan deklaroi: “Batatina mund të bëhet selektor i Kosovës pasi të kuptojë se a është trajner apo president i Llapit”.
Trajneri i Llapit tha se e respekton Duron, por se në ndeshjet ndaj tij “ia ka humbur topin”.

46-vjeçari gjithashtu vlerëson se ai është Arsene Wenger i Kosovës dhe Shqipërisë.

Postimi i plotë nga Batatina (pa ndërhyrje):

“Një takim sot në Tiranë me disa nga yjet dhe protagonistët e suksesit të Kombëtares Shqiptare, të cilët i urova për suksesin dhe arritjen që bënë krenar gjithë shqiptarët.

Për disa që nuk e dinë se çfarë roli kam, po ua bëj me dije se jam Arsene Wenger i Kosovës dhe Shqipërisë ndërsa President i klubit është Beqir Batatina.

Klodian Duron e respektoj si lojtar por si trajner e din ai sepse jemi ballafaquar me të dhe se si kemi kaluar në ndeshje kur e ka kërkuar topin nga 10 minuta e se ka gjetur në fushë.

Jam krenar me Kosovën dhe Shqipërinë por mos harroni se disa herë radhazi iu kam treguar se Lider lind dhe nuk bëhesh.

P.s Pres që së shpejti këta djem t’i kem kundërshar në fushë por në një ndeshje kontrolluese mes 2 Kombëtareve”.