Mickoski “kontrollon” bllokun opozitar shqiptar, në dëshirën për të rrëzuar Ali Ahmetin do të bëjnë gjithçka që kërkon VMRO-DPMNE!
Njohësit e situatës politike në vend janë pesimistë se VMRO-DPMNE-ja opozitare mund të reflektojë dhe votojë për ndryshimet e nevojshme kushtetuese – që vendi të ecë pa pengesa në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE). Ndërsa, sipas tyre, kushtëzimi i partive opozitare të shqiptarëve me ndryshimet kushtetuese duke hequr referencën 20 për qind si kategori kushtetuese për gjuhën shqipe, është retorikë e politikës ditore, shkruan PRESSonline.al
“Nuk pres që VMRO-DPMNE të ndryshojë kursin aktual të pengimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë kusht për vazhdimin e negociatave me BE-në, por është shumë e mundur, duke pasur parasysh ndarjet e dukshme në parti, që deputetë të caktuar do të mbështesin ndryshimet kushtetuese”, tha për “Frontline” Petrit Saraçini nga Instituti për Media dhe Analitikë – IMA, përcjell PRESSonline.al
Sa i përket partive opozitare të shqiptarëve, Saraçini mendon se retorika e tyre dhe kushtet për ndryshimet kushtetuese janë më shumë pjesë e betejës ditore politike në këtë vit parazgjedhor, kur partitë masin forcat e tyre në opinion dhe përpiqen të fitojnë sa më shumë votues të ardhshëm që të jetë e mundur.
“Megjithatë, nëse marrim parasysh se partitë opozitare shqiptare janë deklaruar qartë si mbështetëse të vendosura të integrimit europian të vendit, mendoj se ky synim strategjik ka më shumë peshë për to dhe se do të vazhdojnë të mbështesin ndryshimet kushtetuese”, theksoi Saraçini.
Sipas gazetarit dhe analistit politik, Aco Kabranov, është gjithnjë e më e sigurt se ndryshimet kushtetuese nuk do të ndodhin.
“Hristijan Mickoski kontrollon deputetët e partisë së tij dhe së fundmi edhe të bllokut opozitar shqiptar. Kasami tashmë publikisht vepron si zëdhënës i Mickoskit dhe Shtëpisë së Bardhë, me gjasë ka marrëveshje me Mickoskin për të formuar një koalicion në Qeveri e cila nëse fiton do ta formojë VMRO-DPMNE. Atë që do të thotë Mickoski sot, të nesërmen, Kasami e përsërit si qëndrim të tij. Partitë e tjera opozitare të shqiptarëve aktualisht janë më të turpshme, por në dëshirën e tyre për ta rrëzuar Ahmetin do të bëjnë gjithçka që do t’u kërkojë Mickoski”, thotë Kabranov në një prononcim për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al
Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë është kusht për vazhdimin e negociatave të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kushtetuta mund të ndryshohet me një shumicë prej dy të tretash në parlamentin prej 120 anëtarësh në Shkup, por për momentin shumica nuk i ka votat e nevojshme. Në ndërkohë, përfaqësues të Bashkësisë Ndërkombëtare theksojnë nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe të kaluar kanë dërguar mesazhe se ndryshimi i Preambulës është garanci për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe se i gjithë procesi ka nevojë të ç’mitizohet dhe nëpërmjet saj të mos humbasë identiteti, gjuha apo historia.