OSBE ka bashkuar aktivistet e reja nga Kosova dhe Serbia në Akademinë për dialog në Strugë

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, mbajti sot fjalim në Akademinë e Dialogut për Gratë e Reja, e organizuar nga Misionet e OSBE-së në Kosovë dhe Serbi, e cila mbahet në Strugë. Në kuadër të Akademisë, Osmani pati edhe një diskutim me pjesëmarrësit në seancën e Dialogut dhe Ndërmjetësimit.

Në fjalimin e tij, Osmani iu referua përvojës së Maqedonisë së Veriut në zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut dhe ndërmjetësimit, si dhe kapaciteteve dhe mjeteve që mund të ofrojë OSBE-ja si platformë unike për dialog.

“Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001 i dha fund konfliktit të shkurtër, duke iniciuar një periudhë të qëndrueshme stabiliteti dhe prosperiteti përmes integrimit, individual dhe kolektiv. Marrëveshja e Prespës i dha fund mosmarrëveshjes disa dekadash për emrin, por gjithashtu vendosi partneritet strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Për të parë rezultatet e këtyre marrëveshjeve duhet punë e vazhdueshme, përkushtim dhe dialog i mëtutjeshëm”, theksoi Osmani.

Para të pranishmëve ai ndau edhe përvojën e Maqedonisë së Veriut në ndërmjetësimin e rastit që prek drejtpërdrejt pjesëmarrësit, të cilat janë gra të reja nga Kosova dhe Serbia, e ajo është Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Osmani theksoi se në proceset e negociatave dhe dialogut duhet të përfshihen edhe gratë, të cilat mund të shfrytëzojnë përvoja të tilla, siç është Akademia e Dialogut e OSBE-së, për të prezantuar një qasje të re dhe konstruktive në ballafaqimin me sfidat, duke përdorur rrjetet e tyre të bashkëpunimit dhe përvojën.

Fuqizimi i grave dhe përfshirja e tyre e barabartë në proceset vendimmarrëse, si dhe pjesëmarrja në sektorin e sigurisë, janë prioritetet kryesore në programin e Presidencës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023.

Akademia e Dialogut e OSBE-së për Gratë e Reja është themeluar në vitin 2015 me qëllim të rrjetëzimit të grave të reja nga Kosova dhe Serbia dhe bashkëpunimi i tyre për të reduktuar sfidat ndërmjet dy shoqërive, për të promovuar dialogun dhe për të ndërtuar paqen.
OSBE ka bashkuar aktivistet e reja nga Kosova dhe Serbia në Akademinë për dialog në Strugë

Inserte, https://collect.wetransfer.com/board/se8oefr6kiqdf0g6i20231011101510?token=aaaceb5c-92c3-4113-9bb6-4ca4f7574f89