Saka nuk ia del të rikuperohet, tërhiqet nga Anglia

Bukayo Saka nuk do të jetë pjesë e Kombëtares së Anglisë për dy ndeshjet e këtij muaji.

Ylli anglez kishte pësuar lëndim në fillim të këtij muaji, në ndeshjen e Arsenalit ndaj Lens në Ligën e Kampionëve.

Shkaku i këtij lëndimi, Saka i mungoi “Topçinvje” në derbin ndaj Manchester Cityt të dielën.
22-vjeçari ishte ftuar nga Gareth Southgate për ndeshjet e këtij muaji, por tani Anglia ka njoftuar se sulmuesi është tërhequr nga ekipi kombëtar.

Ekipi mjekësor i “Tre Luanëve” vlerësoi se Saka nuk është gati për të luajtur dhe se duhet të vazhdojë rehabilitimin te Arsenali.

Southgate nuk ka ftuar asnjë zëvendësues.

Anglia më 13 tetor do të luajë një ndeshje miqësore ndaj Australisë, kurse katër ditë më vonë përballet me Italinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.