Izraeli i shtyn të gjitha ndeshjet e futbollit, kërkon që lojën me Zvicrën ta luajë në Qipro

Federata Izraelite e Futbollit ka vendosur t’i shtyjë krejt ndeshjet e futbollit, të parapara të luheshin në këtë fundjavë.

Kjo për shkak të sulmeve nga organizata palestineze Hamas në Rripin e Gazës kundër Izraelit të shtunën në mëngjes, me raketat dhe trupat e armatosur që ia mësynë fshatrave izraelite dhe bazave ushtarake në afërsi të kufirit.

“Ne i mbështesim forcat e sigurisë dhe banorët e vendit tonë në këtë kohë të vështirë”, ka shkruar Federata Profesioniste e Futbollit Izraelit.

Përpos shtyrjes së ndeshjeve, krejt futbollistëve i është lejuar të largohen menjëherë nga Izraeli.

Ndërkohë, ndeshja mes Izraelit dhe Zvicrës, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024, e paraparë të luhet të enjten e ardhshme, mund të shtyhet ose të lëvizë në një vend tjetër, raportojnë mediat izraelite.

Uebfaqja sportive izraelite “One” raporton se Federata Izraelite e Futbollit do të diskutojë sot me UEFA-n për mundësinë e zhvendosjes së kësaj ndeshjeje në Qipro, njëjtë siç kishte ndodhur në të kaluarën në periudha të konfliktit.

Ndërkohë, nuk dihet ende nëse do të shtyhet apo jo ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit, e paraparë të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë të dielën tjetër.