Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se nëse situata aktuale ekonomike vazhdon të jetë e njëjtë deri në fund të këtij viti, rritja ekonomike pritet që të jetë deri në 4 për qind.
Ai ka shtuar se çështjet e hapura me Serbinë dhe ngritja e tensioneve në veri të Kosovës ndikojnë që investitorët e huaj të hezitojnë që të investojnë në Kosovë.
Rafuna tha se nuk mund të ketë krizë ekonomike si shkak i ngjarjes së fundit në veri të vendit, por ajo mund të lidhet me shumë sfida të tjera, ai po ashtu ka falënderuar Policinë e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të sulmit terrorist në veri.
“Pa dyshim hapësirën më të madhe e kanë zënë ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në veriun e Kosovës. Fatmirësisht që është menaxhuar ai sulëm terrorist që ishte është menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshëm. Duke ju falënderuar Policisë së Kosovës situata është menaxhuar, fatkeqësisht ne e patëm një humbje jete por siç janë shprehur edhe familjarë e të ndjerit, që të biesh për atdhe është sikur të rilindësh prapë”, tha ai.
Rafuna tha se ngritja e tensioneve gjatë tërë kohës në veriun e vendit lënë mëdyshje dhe i bëjnë që të hezitojnë investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë, sipas tij, çdo investitor që vjen të investojë në Kosovë kërkon siguri politike dhe juridike.
Ai tha se megjithatë kjo situatë nuk do të lë gjurmë të mëdha pasi sipas tij, importi, eksporti i shërbimeve janë duke vazhduar e nuk janë ndalur.
“Çështja e hapur me Serbinë e kemi theksuar gjithë, se çështja e hapur më Serbinë është një pengesë, për arsye se ngritja e tensioneve gjatë tërë kohës në veri lenë një hapësire ose një mesash jo të mirë tekë investitorët e huaj që do të hezitojnë me ardh. Çdo investitor që vjen me investua në Kosovë e kërkon një siguri politike, juridike. Në këtë rast ngritja e tensioneve në veri të vendit mbyllja e rrugëve, sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it por tani edhe kjo ngjarja e fundit që ka ndodhur pa dyshim që një farë forme pak i shtyn me hezituar investitorët e huaj. Mirëpo në të përgjithshmen nuk do të ketë një gjurmë shumë të madhe për arsye se importi dhe eksporti do të vazhdojnë, eksporti i shërbimeve do të vazhdon nuk ka një ndalje dhe ne nuk e kemi asnjë problem me shet të tjera më përjashtim të Serbisë”, tha ai.
Ai tha se nuk do të ketë kriza ekonomike, pas ngjarjeve të fundit në veri, mirëpo janë sfidat e tjera me të cilat është duke u përballur ekonomia.
Sipas tij, tani për bizneset është sfiduese fuqia punëtore, siguria e energjisë elektrike dhe rreziku i rritjes se çmimit të saj gjatë dimrit.
“Krizë ekonomike, për të marr faktor kryesor ngjarjen e fundit që ka ndodhur në pjesën veriore nuk do të ketë, por janë sfidat tjera që do ti kishim edhe po të mos kishte ndodhur kjo ngjarja e fundit, me përjashtim të çështjes se hapur që e kemi. Për arsye se sfidë për biznesin tani është mungesa e fuqisë punëtore, sfide tani është se jemi duke hyrë në periudhën e dimrit dhe ende nuk e kemi një siguri që do të kemi energji elektrike, në qoftë se do të kemi energji elektrike a do të ketë rritje të çmimit siç e kishim vitin e kaluar. Më pas është çështja e inflacionit, inflacionin nuk po e krijojmë këtu por po e importojmë dhe në qoftë se rritet çmimi i gazit dhe çmimi i energjisë elektrike në Evropë ajo drejtpërdrejtë do të ketë ndikim edhe tekë ne”.
“Sa i përket rritjes ekonomike ne sillemi me institucionet ndërkombëtare financiare që shkojnë prej 3.5, 3.7, maksimumi që mundet me mbërri 4 nëse shkon situata siç jemi sot në variantin më të mirë”, është shprehur ai./EO