Ballkani ka shënuar një fitore tejet të rëndësishme sonte.
Kampioni i Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri” triumfoi pastër 2:0 ndaj favoritit të grupit, Dinamo Zagrebit.
Pas ndeshjes, trajneri i Ballkanit, Ilir Daja u shpreh se emëruesi i përbashkët për këto suksese është grupi i bashkuar.
“Kemi bërë shumë histori. Kemi dy vjet që marrim pjesë në grupe, bëmë performanca shumë të mira. Kjo ka emërues të përbashkët këta djem që po luftojnë shumë. Me ekipe të tilla natyrshëm që nuk mund të bësh një lojë briliante, pasi ata kanë shumë eksperiencë dhe kualitet. Këtë ‘diferencë’ e zbusim sepse jemi grup, luftojmë bashkë prej atyre që janë në fushë e deri ata që janë në pankinë. Ne kemi studiuar kundërshtarin, ata janë ekip që duhet respektuar në maksimum. Kishim fokus të veçantë te kapiteni dhe disa lojtarë tjerë me kualitet, kjo rezultoi pozitive, megjithatë pa karakterin luftarak të djemve nuk do ishin të mundura gjithë këto suksese që kemi arritur deri sot“, tha Daja.