Zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Dirk Bushle, thotë se Maqedonia e Veriut ka filluar tranzicionin energjetik dhe duhet të vazhdojë në atë rrugë. Procesi është i shtrenjtë dhe do të shkaktojë goditje çmimesh, por fondet evropiane të energjisë janë në dispozicion për këtë qëllim.
“Ne po mundohemi ta përkufizojmë me të gjitha palët e interesuara, Qeverinë, kryetarët e komunave, shoqërinë civile, ndërmarrjet, në mënyrë që të sigurojmë, si në Evropë ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut se gjithçka që po ndodh do të bëhet në atë mënyrë që qytetarët të mbështesin tranzicionin. Është një tranzicion që ndodh duke përfshirë edhe vetë Bashkimin Evropian.”, – deklaroi zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Dirk Bushle.
Bushle: Të mbështeten ata që s’mund ta paguajnë energjinë
Në pyetjen se a do të përsëritet skenari i viti të kaluar ku kishim masa kundër krizës së gazit dhe energjisë elektrike apo do të këtë ndonjë strategji të re, Bushle tha se kriza nuk do të jetë në një nivel të njëjtë si vitet e kaluara.
“Në të ardhmen, ndoshta duhet të jemi të përgatitur, ndoshta jo në të njëjtin nivel krize, por duhet të jemi të përgatitur për faktin se energjia ka një vlerë dhe një çmim dhe kjo duhet njohur dhe shteti duhet të mbështesë ata që nuk mund ta paguajnë atë çmim.”, – theksoi zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Dirk Bushle.
Bushle shtoi se RMV-ja ka filluar tranizicionin e saj duke investuar në një fazë të hershme në krahasim me vendet tjera në një burim që është energjia elektrike e prodhuar nga dielli, pasi burimet ekzistuese, veçanërisht qymyri, kanë arritur fundin e tyre natyror.